Veliaj fiton gjyqin, ish-deputetja e PD dënohet për shpifje

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi është dënuar nga Gjykata e Tiranës, pas akuzës për shpifje ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Vendimi u mor paraditen e sotme dhe sipas verdiktit të Gjykatës, Vokshi i detyrohet t’i paguajë një dëmshpërblim moral prej 1 milion lekësh Veliajt. Ky i fundit paditi ish-deputeten demokrate për shpifje, lidhur me disa deklarata që ajo ka bërë në adresë të tij nga selia e PD. Ende nuk ka asnjë reagim nga ana e ish-deputetes për këtë vendim të Gjykatës.

Pak kohë më parë, kryebashkiaku Veliaj fitoi gjyqin edhe ndaj ish-këshilltarit të PD-së, Akil Kraja, i cili u dënua po ashtu për shpifje, pasi denoncoi mungesën e transparencës në rritjen e çmimit të ujit. Veliaj ngriti padi ndaj Krajës me pretendimin se ishte “i turbulluar shpirtërisht” nga komentet dhe statuset në llogaritë këshilltarit të PD-së në “Facebook”.

Sipas vendimit të Gjykatës, Kraja i detyrohej t’i paguante Veliaj një dëmshpërblim prej 250 mijë lekësh. Në kundërpërgjigje, Kraja tha se vendimi është marrë nën presion politik nga gjykatësit, mbi të cilët qëndron kërcënimi i procesit të vetting-ut./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne