“Vendosja e bazës së reciprocitetit me Serbinë ka synim përfundimin e dialogut”

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë diskutuar të hënën në seancë të jashtëzakonshme për vendimin e marrë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, javën e kaluar për heqjen e pjesshme të tarifës 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Kurti përmes një konference për media të enjten njoftoi se Qeveria e Kosovës ka vendosur ta heq tarifën për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina nga 15 marsi, ndërsa nëse pala serbe dëshmon përkushtim të mirëfilltë dhe ndalon fushatën kundër Kosovës, nga 1 prilli tarifa do të hiqet komplet.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj i cili ka parashtruar kërkesën për seancën e jashtëzakonshme mbi diskutimin për heqjen e tarifës 100 për qind për produktet me origjinë serbe, tha se Qeveria nuk duhet ta heq tarifën.

Sipas Haradinajt, tarifa e vendosur nga qeverisja nën udhëheqjen e Ramush Haradinajt në nëntor të vitit 2018 arriti t’i sjell dëm ekonomik Serbisë dhe arriti ta zbehë ndikimin e Serbisë në tryezën e bisedimeve me Kosovën.

“Ai shkeli mbi parimet e veta me të cilat më 6 tetor populli ja dha mandatin. Shkeli mbi prodhuesit vendorë, shkeli mbi çdo kod etik që e proklamonte me vite të tëra kundër Serbisë. Pra sot, këtu i kemi 100 arsye të kundërshtojmë heqjen e taksës 100 për qind dhe aq më tepër kur kjo heqje e taksës nuk e ka garancinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për njohje reciproke. Pra, Kosova duhet ta dijë se nëse sot i hapim tregun Serbisë, ky do të jetë rrezik për nesër”, tha Haradinaj i cili theksoi se Albin Kurti i është dorëzuar Serbisë pa presion serioz.

Kryetari i Grupit Parlamentar nga Vetëvendosje, Rexhep Selimi, tha se opozita nuk po flet njëzëri për mos-heqjen e tarifës 100 për qind ndaj Serbisë, dhe theksoi se kjo tarifë nuk e ndaloi Serbinë të vazhdonte fushatën për çnjohjet e pavarësisë së Kosovës.

Ndërkaq, kryetari i Grupit Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, tha se koalicioni LDK-VV që në fushatë elektorale të zgjedhjeve të vitit 2019 është deklaruar kundër tarifës.

Gashi theksoi se heqja e tarifës dhe vendosja e bazës së reciprocitetit me Serbinë ka synim përfundimin e dialogut midis dy vendeve fqinje.

“Me synim përmbylljen e procesit të dialogut dhe marrëveshjen përfundimtare me Serbinë, Lidhja Demokratike e Kosovës synon të bashkërendoj veprimet me aleatët tanë, në radhë të parë SHBA-të, duke i njoftuar ata fillimisht me listën gjithëpërfshirëse të pengesave ekonomike dhe politike që Serbia ia shkakton Kosovës”, tha Gashi i cili shtoi se me tarifën e hequr, në rast se dialogu nuk rezulton të prodhojë rezultatet e pritura masat reciproke të identifikuara dhe të dakorduara do të vendosen sipas një plani të bashkërenduar mes partnerëve të koalicionit.

Kryetari i Grupit Parlamentar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Bedri Hamza tha se Serbia nuk ka zbatuar disa nga marrëveshjet e ndryshme ekonomike, përfshirë atë të CEFTA-s. Ai pyeti partitë në pushtet se a janë të sigurt për vënien dhe mbajtjen e masës së reciprocitetit ndaj Serbisë, por fillimisht kërkoi sqarim se çfarë VV e LDK nënkuptojnë me reciprocitet.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas fjalimeve të kryetarëve të grupeve parlamentare, tha se efekti i tarifës ka qenë minimal për shkak se nuk është zbatuar si duhet.

Kurti ka thënë se aplikimi i tarifës është shfrytëzuar si pretekst nga Serbia për ta refuzuar dialogun.

“Ne nuk e trajtojmë njësoj si lëndën e parë për produktet nga Serbia që mund t’na vijë për prodhuesit tanë, sikur produktet e gatshme finale që i sjell prodhuesi serb, me të cilat ne hapim vende pune në Serbi. Është padrejtësi nëse këto dy kategori trajtohen njësoj”, tha Kurti.

Në fillim të kësaj seance u betuan 11 deputetët e rinj të cilët do t’i zëvendësojnë ministrat e zgjedhur. /AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne