Amerikanët janë trajnuar nga dekadat e propagandës së Luftës së Ftohtë për të konfirmuar se ‘socializmi do të thotë varfëri’. Por në rastin e Venezuelës dhe shteteve të tjera që nuk qeverisen nga tregu i lirë, kjo klishe thjesht nuk është e vërtetë.
Kriza politike dhe ekonomike me të cilën ballafaqohet Venezuela po tregohet si dëshmi e superioritetit të tregut të lirë.
Imazhet dhe portretizimet e venezuelianëve të rebeluar në rrugë për shkak të kostove të larta të ushqimit, dyqaneve ushqimore të zbrazëta, mungesës së ilaçeve dhe kazanëve të mbeturinave të tejmbushur janë titujt kryesorë, dhe raportimi i referohet socializmit si shkak.
Gazeta Chicago Tribune publikoi një artikull me titull: “Një revolucion socialist mund të shkatërrojë pothuajse çdo vend.” Një titull në blogun Hit and Run të Reason thotë: “Socializmi venezuelian është ende një katastrofë e plotë”. Edicioni amerikan i The Week thotë: “Socializmi autoritar ka shkaktuar përmbysjen e Venezuelës.”
Në të vërtetë, mediat mainstream në pronësi të korporatave i këshillojnë amerikanët që të shikojnë inflacionin dhe linjat e ushqimit në Venezuelë, dhe pastaj të përsërisin klishenë që dëgjuan në shkollën fillore rreth asaj se si “komunizmi thjesht nuk funksionon”.
Në realitet, miliona venezuelianë kanë parë që kushtet e tyre të jetesës janë përmirësuar shumë përmes procesit Bolivarian. Problemet që shqetësojnë ekonominë venezueliane nuk janë për shkak të ndonjë defekti të qenësishëm në socializëm, por për shkak të çmimeve të naftës artificialisht të ulëta dhe sabotimit nga forcat që janë armiqësore ndaj revolucionit.
Duke filluar në vitin 2014, Mbretëria e Arabisë Saudite e mbyti tregun me naftë të lirë. Ky nuk është një vendim i thjeshtë biznesi, por një veprim i llogaritur i koordinuar me qëllimet e politikës së jashtme të SHBA-së dhe Izraelit. Pavarësisht humbjes së parave dhe thellimit në borxhe, monarkia saudite vazhdon të zgjerojë aparatin e saj të prodhimit të naftës. Si rezultat ajo e ka çuar çmimin e naftës nga 110 dollarë, në 28 dollarë për fuçi në muajt e parë të këtij viti. Qëllimi është të dobësojë kundërshtarët e Wall Street-it, Londrës dhe Tel Avivit, ekonomitë e së cilëve janë përqëndruar në eksportin e naftës dhe gazit natyror.
Dhe Venezuela është një nga ato vende. Përpjekjet saudite për të ulur çmimet e naftës kanë ulur në mënyrë drastike buxhetin e Venezuelës dhe kanë sjellë pasoja të mëdha për ekonominë Venezueliane.
Në të njëjtën kohë, korporatat private të përpunimit të ushqimit dhe importit kanë nisur një fushatë të koordinuar të sabotazhit. Kjo, së bashku me dobësimin e një sektori shtetëror të rëndësishëm të ekonomisë, ka sjellë inflacion dhe mungesa të ushqimit. Çmimet artificialisht të ulëta të naftës e kanë lënë Venezuelën të uritur për para, duke shkaktuar një krizë në financimin e programeve sociale që ishin çelësi për forcimin e Partisë së Bashkuar Socialiste.
Korrupsioni është një problem i madh në Venezuelë dhe në shumë vende të botës së tretë. Kjo ishte e vërtetë para procesit Bolivarian, si dhe pasi Hugo Chavez nisi reformat masive ekonomike. Në situata të varfërisë ekstreme, njerëzit mësojnë të kujdesen për njëri-tjetrin. Njerëzit që punojnë në qeveri pothuajse pritet të përdorin pozicionin e tyre për t’u kujdesur për miqtë dhe familjen e tyre. Korrupsioni është një problem i madh në çdo sistem, por është shumë më i lehtë për t’u toleruar në kushtet e bollëkut më të madh. Problemi është zmadhuar në Venezuelë për shkak të rënies së të ardhurave shtetërore të shkaktuara nga çmimet e ulëta të naftës dhe sabotimi nga importuesit e ushqimit.
Përvoja Bolivariane në Venezuelë
Amerikanët janë trajnuar nga dekadat e propagandës së Luftës së Ftohtë për të konfirmuar se ‘socializmi do të thotë varfëri’. Një portret i thjeshtë i problemeve me të cilat ballafaqohet aktualisht Venezuela, së bashku me faktin se presidenti Nikolas Maduro e përshkruan veten si marksist, u jep atyre një konfirmim të tillë. Megjithatë, historia aktuale, e padiskutueshme e ndërtimit socialist rreth botës, duke përfshirë dekadat e fundit në Venezuelë, tregon një histori krejtësisht të ndryshme.
Hugo Chavez u zgjodh president i Venezuelës në vitin 1999. Zgjedhja e tij u konsiderua si një referendum mbi politikat ekstreme të tregut të lirë të miratuara në Venezuelë gjatë viteve 1990. Në dhjetor, kur kaloja nëpër lagjet e Karakasit qëndror, venezuelianët flisnin për këto kohë tmerri.
Venezueluanët treguan se si privatizimet e mandatuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar e bënë jetën në Venezuelë pothuajse të pamundur gjatë viteve 1990. Mbeturinat nuk mblidheshin. Energjia elektrike mungonte për javë të tëra. Haido Ortega, një anëtar i një organi qeverisës vendas në Venezuelë, tha: “Nën qeveritë e mëparshme ne digjnim goma dhe shkonim në grevë vetëm për të marrë energji elektrike, për të rregulluar rrugët ose për të bërë ndonjë investim”.
Chavez e mori detyrën me një platformë që mbështeste një rrugë ndërmjet kapitalizmit dhe socializmit. Ai ristrukturoi kompaninë e naftës në pronësi të qeverisë, në mënyrë që fitimet të shkonin për shtetin venezuelian, jo për xhepat e korporatave të Wall Street. Me të ardhurat e eksporteve të naftës së Venezuelës, Chavez financoi një aparat të madh të programeve sociale.
Pas mundjes së një grushti të mundshëm shteti kundër tij në vitin 2002, Chavez njoftoi synimin e sjelljes së Venezuelës drejt “Socializmit të shekullit 21.” Chavez citonte Marksin dhe Leninin në daljet e tij të shumta televizive në vend, dhe e mobilizoi vendin rreth qëllimit të krijimit të një vendi të begatë, jo-kapitalist.
Në vitin 1998, Venezuela kishte vetëm 12 universitete publike, sot ajo ka 32. Mjekët kubanë u sollën në Venezuelë për të ofruar kujdes shëndetësor falas në klinikat e komunitetit. Qeveria siguron gatim dhe ngrohje me gazit në lagjet me të ardhura të ulëta, dhe ka nisur një fushatë shkrimi-leximi për të rriturit e paarsimuar.
Gjatë administratës së Xhorxh W. Bushit, çmimet e naftës ishin më të lartat që kishin qenë ndonjëherë. Shkatërrimi i Irakut, sanksionet ndaj Iranit dhe Rusisë, sulmet dhe trazirat në Nigeri – këto ngjarje krijuan një mungesë në tregjet ndërkombëtare, duke ngritur çmimet.
Të ardhurat e mëdha të naftës i mundësuan Chavezit dhe Partisë së Bashkuar Socialiste që të nxirrnin miliona venezuelanë nga varfëria. Mes viteve 1995 dhe 2009, varfëria dhe papunësia në Venezuelë u përgjysmuan.
Pas vdekjes së Chavez, Nicolas Maduro ka vazhduar programin Bolivarian. “Misionet e strehimit” janë ndërtuar në të gjithë vendin, duke u siguruar familjeve me të ardhura të ulëta në Venezuelë vende për të jetuar. Qeveria e Venezuelës raporton se mbi një milion ndërtesa moderne banimi ishin ndërtuar deri në fund të vitit 2015.
Problemet me të cilat ballafaqohet Venezuela tani filluan në vitin 2014. Bollëku i tanishëm i naftës për shkak të nxjerrjes së saj me metodën e presionit, u bashkua me furnizimin e tregjeve me naftë të lirë nga Arabia Saudite. Rezultati: çmimet masive bien. Megjithë përballjen me një krizë të brendshme fiskale, Arabia Saudite vazhdon të zgjerojë aparatin e saj të prodhimit të naftës.
Çmimi i naftës mbetet i ulët, ndërsa negociatat midis shteteve të OPEC-ut vazhdojnë me shpresën se çmimet mund të rriten. Ndërsa mediat amerikane këmbëngulin se çmimet e ulëta të naftës janë vetëm cikli i natyrshëm i tregut në punë, kjo nuk është mjaft e përshtatshme për politikën e jashtme të SHBA-së. Rusia, Venezuela, Ekuadori dhe Republika Islamike e Iranit, të gjitha i kanë përqendruar ekonomitë në kompanitë shtetërore të naftës dhe në eksportet e naftës, dhe secili prej këtyre vendeve ka pësuar goditje nga çmimet e ulëta të naftës.
Presidentja e majtë e Brazilit, Dilma Rousseff, tashmë është rrëzuar për shkak të skandalit që rrethon Petrobrasin, ndërmarrjen shtetërore të naftës që po përjeton probleme ekonomike për shkak të çmimit në rënie të naftës. Megjithëse shumica e naftës së Brazilit është për konsumin e brendshëm, është zbuluar se ata që e kanë rrëzuar atë, kanë koordinuar me CIA-n dhe forcat e tjera në Uashington dhe Ëall Street, duke shfrytëzuar pasojat ekonomike të çmimeve të ulëta të naftës për të rrëzuar presidenten braziliane.
Djali i Presidentit Ronald Reagan ka argumentuar se Obama po synon me qëllim uljen e çmimeve të naftës, jo vetëm për të dobësuar ekonominë e Venezuelës, por edhe për të ngushtuar ndikimin e Rusisë dhe Iranit. Duke shkruar për Toënhall në vitin 2014, Michael Reagan vlerësoi se babai i tij bëri të njëjtën gjë për të dëmtuar Bashkimin Sovjetik gjatë viteve 1980:
“Meqë shitja e naftës ishte burimi i pasurisë së Kremlinit, babai im bëri që sauditët ta mbushnin tregun me naftë të lirë.
Çmimet e ulëta të naftës zhvlerësuan rublën, duke shkaktuar falimentimin e Bashkimit Sovjetik, që çoi në … rënien e Perandorisë Sovjetike”.
Historia e ndërtimit socialist
Para revolucionit të vitit 1917, Rusia ishte një vend primitiv, agrar. Deri në vitin 1936, pas përfundimit të Planit Pesëvjeçar, ishte një fuqi industriale botërore, duke tejkaluar çdo vend tjetër në botë në aspektin e prodhimit të çelikut dhe traktorëve. Fshatrat e humbura sovjetike u ndriçuan me energji elektrike. Fëmijët e fshatarëve analfabetë në të gjithë Bashkimin Sovjetik u rritën për t’u bërë shkencëtarët dhe inxhinierët që pushtuan të parët hapësirën e jashtme. Ekonomia e planifikuar e Bashkimit Sovjetik përmirësoi në mënyrë drastike standardet e jetesës së miliona njerëzve, duke u sjellë atyre ujë të rrjedhshëm, strehim modern, punësim të garantuar dhe arsim falas.
Nuk ka kontradikta mes planifikimit qëndror dhe rritjes ekonomike. Në vitin 1949, Kina nuk kishte industri çeliku. Sot, më shumë se gjysma e të gjithë çelikut të botës prodhohet në industrinë e çelikut të kontrolluar nga qeveria të Kinës.
Kuba ka zhdukur analfabetizmin dhe kubanezët gëzojnë një nga pritshmëritë më të larta të jetës në Amerikën Latine.
Kur qeveritë marksiste-leniniste të Europës Lindore u shembën në fillim të viteve 1990, ekonomistët si Jeffrey Sachs i Universitetit të Kolumbisë, të cilët mund të numërohen në mesin e “besimtarëve të vërtetë” të kapitalizmit, parashikuan rritje të shpejtë ekonomike. Që nga vitet 1990, kushtet në atë që George W. Bush e quajti “Evropa e Re” janë bërë shumë më keq se në socializëm. Jetëgjatësia është zvogëluar dhe vdekshmëria foshnjore është rritur. Trafikantët e qenieve njerëzore dhe të drogës kanë formuar biznes. Në sondazhet e pafundme, njerëzit e Evropës Lindore përsërisin se jeta ishte më e mirë para disfatës së komunizmit.
Rimëkëmbja e Rusisë nga fatkeqësia e viteve 1990 ka ardhur në drejtim të riorientimit të ekonomisë te ajo e përqendruar rreth kontrollit publik të burimeve të naftës dhe gazit natyror – ashtu si Venezuela. Qeveria e Putinit u ka dhënë gjithashtu një goditje numrit të vogël të “oligarkëve”, të cilët u bënë të pasur pas rënies së Bashkimit Sovjetik. Sapo një shtet i fortë u rikthye për të kontrolluar ekonominë, prodhimi i brendshëm bruto i Rusisë u rrit me 70 për qind gjatë tetë viteve të para të administratës së Putinit. Nga viti 2000 deri në vitin 2008, varfëria u përgjysmua dhe të ardhurat u dyfishuan.
Kapitalizmi neoliberal ka dështuar
Vetëm për shkak se këto fakte janë thjesht jashtë kufijve në mediat amerikane dhe në diskutimet e tyre për socializmin dhe kapitalizmin, njerëzit besojnë tregimet e shtrembëruara rreth vështirësive aktuale të Venezuelës.
Kur diskutojnë meritat e kapitalizmit dhe socializmit, mediat amerikane zakonisht e kufizojnë bisedën për të vënë në dukje se vendet socialiste në botën e tretë kanë standarde më të ulëta të jetesës sesa Shtetet e Bashkuara, një vend i identifikuar gjerësisht me kapitalizmin. Pa asnjë kontekst apo krahasim të drejtë, vetëm kjo supozohet të provojë superioritetin e pandarë të kapitalizmit sipas stilit amerikan.
Nëse lloji i “tregtisë së lirë” neoliberale e mbështetur nga korporatat amerikane do ishte zgjidhja për varfërinë globale, Meksika, një vend që më parë adaptoi Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut, do të ishte një shembull i shkëlqyeshëm i zhvillimit, jo një rrëmujë e karteleve të drogës dhe e varfërisë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për vendet e pasura me naftë si Nigeria, ku eksportet janë masive, por popullsia mbetet në kushte të vështira.
Qeveritë e Bangladeshit, Hondurasit, Guatemalës, Indonezisë dhe Filipineve kanë bërë gjithçka që munden për të çrregulluar tregun dhe për të akomoduar “investimet” perëndimore. Megjithë premtimet e teoricienëve neoliberalë, popujt e tyre nuk e kanë parë jetën të përmirësohet.
Nëse krahasohet ekonomia e SHBA-së më e orientuar kah tregut, jo me vendet në jugun global që përpiqen të zhvillohen me një ekonomi të planifikuar, por me vendet e tjera perëndimore me më shumë qeveri socialdemokrate, inferioriteti i “tregut të lirë” mund të zbulohet.
SHBA vlerësohet e 43-ta në botë përsa i përket jetëgjatësisë, sipas CIA World Factbook. Njerëzit jetojnë më gjatë në Gjermani, Britani, Spanjë, Francë, Suedi, Australi, Itali, Islandë – në thelb, pothuajse çdo vend tjetër perëndimor. Statistikat mbi shkallën e vdekshmërisë foshnjore thonë përafërsisht të njëjtën gjë. Shërbimet kombëtare të kujdesit shëndetësor së bashku me sigurinë më të madhe të punës dhe mbrojtjet ekonomike i bëjnë popullatat shumë të shëndetshme.
Edhe pse shtetet social-demokrate të Evropës shkojnë më pranë modelit ekonomik të SHBA-së me “shkurtimet shtrënguese”, SHBA ende mbetet prapa tyre në aspektin e shëndetit themelor shoqëror. Vendet e Evropës Perëndimore me sindikatat e fuqishme, partitë e forta socialiste dhe të punës, dhe sistemet më pak ndëshkuese të drejtësisë penale, kanë tendencë të kenë shoqëri më të shëndetshme.
Perceptimi amerikan që socializmi ose ndërhyrja e qeverisë automatikisht krijon varfëri, ndërsa një qasje laissez faire ofron prosperitet të pafund, është thjesht i pasaktë. Përkundër vështirësive aktuale, ky realitet është reflektuar në dy dekadat e fundit të historisë së Venezuelës.
Një votë dënimi, jo një votë për kapitalizmin
Çmimet artificiale të ulëta të naftës e kanë lënë Venezuelën të uritur për para, duke shkaktuar një krizë në financimin e programeve sociale që ishin çelësi për forcimin e Partisë së Bashkuar Socialiste.
Është e çuditshme që media mainstream fajëson “socializmin” për problemet e ushqimit në Venezuelë, kur shpërndarësit e ushqimit mbeten në duart e korporatave private. Siç tha analisti politik i Venezuelës, Jesus Silva kohët e fundit: “Shumica e ushqimeve në Venezuelë importohen nga kompani private, kërkojnë dollarë të subvencionuara nga shitjet e naftës për ta bërë këtë; ata rrallë prodhojnë diçka ose të investojnë paratë e tyre”.
Sipas Silvas, sanksionet ekonomike të vendosura ndaj Venezuelës nga SHBA-ja, përveç krizës së naftës, e kanë bërë më të vështirë për qeverinë e Venezuelës të paguajë kompanitë private të importimit të ushqimit në dollarë amerikanë. Si përgjigje, kompanitë e ushqimit janë “duke kryer sabotim të përgjithshëm”.
“Ekonomia e Venezuelës varet nga shitjet e naftës. Tani që çmimet e naftës po bien, sfida është që të marrim burime të tjera të të ardhurave ekonomike,” shpjegoi ai. “Ndërkohë, opozita po mbledh mbështetjen elektorale për shkak të krizës aktuale ekonomike.”
Kur Partia e Bashkuar Socialiste dhe Poli Patriotik i lidhur me të humbën kontrollin e parlamentit në dhjetor, shumë njerëz parashikuan rënien e menjëhershme të qeverisë bolivarine. Megjithatë, kanë kaluar muaj dhe kjo nuk ka ndodhur.
Ndërsa një shumicë e qartë hodhi një votigo castigo (votë dënimi) në dhjetor, duke dënuar qeverinë për keqmenaxhimin e krizës, administrata e Maduros ka një qendër solide të aktivistëve socialistë që mbeten besnikë ndaj projektit bolivarian. Përmes Venezuelës janë themeluar komuna. Aktivistët e majtë jetojnë së bashku dhe punojnë në kooperativa. Shumë prej tyre janë të armatosur dhe të organizuar në “Milici Bolivariane” për të mbrojtur revolucionin.
Edhe disa nga kritikët më të mëdhenj të qeverisë venezueliane pranojnë se ajo e ka përmirësuar ndjeshëm situatën në vend, pavarësisht nga vështirësitë e tanishme.
Në dhjetor, fola me Glen Martinez, një folës radioje në Karakas, i cili votoi për opozitën. Ai hodhi poshtë nocionin se kapitalizmi i tregut të lirë do të kthehej në Venezuelë. Siç shpjegoi ai, shumica e njerëzve që votuan kundër Partisë së Bashkuar Socialiste – përfshirë veten – janë të frustruar me mënyrën se si po trajtohet kriza aktuale, por nuk duan kthimin në modelin ekonomik neoliberal të viteve 1999.
Ai tha se reformat ekonomike të krijuara gjatë administratës së Çavezit nuk do të ktheheshin kurrë. “Ne nuk jemi të njëjtët njerëz që kemi qenë para vitit 1999,” këmbënguli Martinez.
Partia e Bashkuar Socialiste aktualisht është duke u angazhuar në një ri-orientim masiv, duke shpresuar që të theksojë reagimin e saj ndaj sabotazhit ekonomik dhe të forcojë drejtimin socialist të revolucionit. Gjithashtu flitet për reforma masive në mënyrën se si vepron qeveria, për të parandaluar shembujt ekstremë të korrupsionit dhe keqmenaxhimit që po shkaktojnë frustrime në mesin e popullatës.
Klima po intensifikohet nga një numër vrasjesh politike të kohëve të fundit. Tensionet vazhdojnë të ekzistojnë në kufirin e Venezuelës me qeverinë e Kolumbisë të lidhur me Shtetet e Bashkuara. Baza solide e aktivistëve socialistë nuk do të lejojë që revolucioni të përmbyset dhe tensionet të vazhdojnë të rriten. Detyra kryesore e Partisë së Maduros dhe Partisë së Bashkuar Socialiste është të mbajnë Venezuelën të bashkuar dhe të mos lejojnë që vendi të përshkallëzohet në një shtet të luftës civile.
Caleb T. Maupin
/ © Gazeta Impakt