Bota

Zarif: Irani tërhiqet nga marrëveshja bërthamore nëse s’plotësohen nevojat ekonomike të vendit

Ministri i Punëve të Jashtme të Iranit, Mohammad Javad Zarif, kërcënoi të martën se Teherani mund të tërhiqet nga marrëveshja bërthamore nëse s’plotësohen nevojat ekonomike të vendit të tij.

“Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe vendet e tjera që i qëndrojnë marrëveshjes bërthamore, janë në dijeni që Irani mund të tërhiqet nëse nevojat e tij ekonomike nuk plotësohen me kornizën e marrëveshjes”, deklaroi Javad Zarif për Agjencinë e Lajmeve të Asamblesë Konsultative Islame (ICANA).

Ai bëri me dije se shtetet anëtare të BE-së kanë hasur vështirësi në gjetjen e një vendi pritës të Subjektit për Qëllime të Veçanta (SPV), një sistem i zhvilluar si një mekanizëm i konvertimit financiar që nuk përfshihet nga sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Pasi sqaroi se këtë gjë nuk e ka pranuar deri më tani asnjë vend, të cilit i është propozuar që të jetë pritës i SPV-së, shefi i diplomacisë iraniane theksoi se të gjitha vendet kanë të drejtë të kërkojnë rrugë alternative për të mbrojtur interesat e tyre kombëtare.

Të hënën, zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Iranit, Abbas Araghchi, tha se SHBA-ja ka kërcënuar vendet që kanë marrë në konsideratë kalimin në sistemin SPV.

Në muajin gusht, vetëm pak muaj pasi Uashingtoni u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 me Teheranin, SHBA-ja vendosi sanksione të reja ekonomike kundër Iranit duke synuar kryesisht sektorin bankar të këtij vendi.

Faza e dytë e sanksioneve amerikane të përditësuara mbi eksportuesin e tretë më të madh të Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) nisi zyrtarisht më datë 5 nëntor duke synuar sektorët iranianë të energjisë, ndërtimit të anijeve, transportit detar dhe financës./ trt

OPINIONE

INTERVISTA