Zarif: SHBA-ja duhet të japë llogari dhe të kompensojë humbjet e shkaktuara Iranit

Duke folur në Dialogun Mesdhetar (MED 2020), takim i realizuar me videokonferencë nën bashkëpunimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit dhe Qendrës Kërkimore për Politikat e Jashtme të Italisë, Zarif bëri vlerësime të rëndësishme në lidhje me Planin e Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit (JCPoA), njohur më gjerësisht si marrëveshja bërthamore me Iranin.

Zarif tha se e rëndësishme nuk është kush do të fitojë zgjedhjet presidenciale të muajit nëntor në SHBA, por ndryshimi i qasjes së Uashingtonit ndaj Teheranit.

“Administrata e re amerikane duhet të japë llogari dhe ndërmarrë hapa për kompensimin e humbjeve të shkaktuara Iranit si pasojë e vendimeve të njëanshme të marra nga pararendësja e saj”, u shpreh ai.

Sipas tij, marrëveshja bërthamore është “një arritje madhore në fushën e diplomacisë” si rezultat i negociatave serioze dhe punës së palodhur.

“Irani i ka përmbushur të gjitha angazhimet e tij dhe megjithatë s’ka përfituar dot nga marrëveshja bërthamore për shkak të dështimit të evropianëve për të përmbushur angazhimet e tyre dhe shkeljeve të atyre që renditen në anën e kundërt”, theksoi Zarif.

Shefi i diplomacisë iraniane gjithashtu denoncoi terrorizmin ekonomik të SHBA-së kundër Iranit.

“Ata që pretendojnë se nuk kanë vendosur asnjë sanksion mjekësor ndaj Iranit, duhet ta dinë se për Teheranin ka qenë e pamundur të marrë ilaçe dhe pajisje mjekësore për shkak të kufizimeve bankare të vendosura nga SHBA-ja”, potencoi Zarif mes të tjerash./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne