Shqiperia

Zbardhet projektligji për strukturën e posaçme që do të mbikqyrë “peshqit e mëdhenj”

Ministria e Drejtësisë kërkon, në projektligjin e dorëzuar në Kuvend, që të ngrihet struktura e Posaçme e Policisë së Burgjeve, e cila do të shërbejë në regjimin e ashpër 41 Bis.

Sipas projektligjit që Top Channel disponon, efektivët e policisë që do të jenë pjesë e strukturës së posaçme jo vetëm do mbikëqyrin të dënuarit e rrezikshëm të organizatave kriminale që do të mbyllen në 41 Bis, por ata do të jenë njësia kompetente që do të ruajnë edhe zyrtarët e burgjeve në rast të kërcënimit të tyre nga anëtarë të grupeve kriminale, që ndërkohë mund të kenë shefat në qeli.

Por ndërsa qelitë e posaçme të 41 Bis janë bërë gati, duket se fryma e këtij regjimi të ashpër i ka bërë më të kujdesshëm të fortët në burgje, të cilët pas hapjes së ambienteve ku do izolohen, kanë marrë mesat e tyre dhe po tregohen më të kujdesshëm në komunikim me anëtarët e grupeve jashtë burgut.

Njëkohësisht me këtë situatë, burimet shtojnë për Top Channel se, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve i ka propozuar Ministrisë së Drejtësisë për policët që do shërbejnë në 41 Bis, të trajtohen me paga të diferencuara krahasuar me efektivët e tjerë në burgje. Paga e sugjeruar pritet të jetë 35 mijë lekë më të tepër nga të tjerët, jo vetëm për shkak të shkallës së rrezikshmërisë, por edhe për t’i bërë këta policë të pakorruptueshëm.

Llogaritet që si fillim në 41 Bis të angazhohen 94 efektivë policie. Siç ka shpjeguar më herët gjatë një interviste për Top Channel, Agim Ismaili, drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve, çdo punonjës që do të angazhohet në 41 Bis do t’i nënshtrohet vetting-ut. “Ata do të jenë elita, kemi zgjedhur më të mirët”, është shprehur Ismaili.

Megjithatë, projektligji për Policinë e Burgjeve përmend ngritjen e rrogës edhe për efektivët e tjerë në burgje, si edhe ndryshim të sistemit të gradave, por edhe mënyrës si do rekrutohen. Në projektligj, përfshihet si kriter ndalues, konkurrimi i çdokujt që është larguar nga vetting-u i Policisë së Shtetit./tpz

OPINIONE

INTERVISTA