Zgjedhjet e përgjithshme dhe ato të Kavajës, 205 milionë lekë për KQZ

Plot 205 290 000 milionë lekë është fatura e zgjedhjeve të përgjithshme dhe atyre të pjesshme në Kavajë. Fondi shtesë për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve është miratuar në mbledhjen e sotme të qeverisë.

Nga ky fond shuma prej 133 milionë lekësh për KQZ shkon për organizimin e zgjedhjeve të përgjithshme në datën e dekretuar nga Presidenti, 18 qershor.

Ndërkaq 65 milionë lekë janë përcaktuar për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për financimin e fushatës zgjedhore që do t’u shpërndahet subjekteve zgjedhore pjesëmarrëse në këto zgjedhje, në programin “Mbështetje për partitë politike”.

Ndërsa për zgjedhjet e pjesshme për kryetar të bashkisë së Kavajës, qeveria ka miratuar një shtesë fondi  Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, prej 7 milionë e 290 mijë lekë.

Efekti financiar prej 205 milionë e 290 mijë lekësh përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, ndërsa vendimi do të zbatohet nga Ministria e Financave dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. /OraNews

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne