Bota

Zyrtari i OKB-së apelon për respekt të ndërsjellë mes grindjeve për karikaturat

Përfaqësuesi i lartë i Kombeve të Bashkuara për Aleancën e Qytetërimeve, Miguel Angel Moratinos bëri thirrje për respekt të ndërsjellë të të gjitha feve dhe besimeve si dhe për nxitje të një kulture të vëllazërimit dhe paqes.

Në një njoftim, Moratinos tha se ai po ndjek me shqetësim të thellë tensionet në rritje dhe rastet e intolerancës të shkaktuara nga botimi i revistës franceze Charlie Hebdo të karikaturave satirike që vizatuan Profetin Muhammed të fesë Islame.

“Karikaturat inflamatore po ashtu kanë provokuar akte dhune kundër civilëve të pafajshëm, të cilët u sulmuan për fenë e tyre të pastër, besimin ose etninë e tyre”, tha Moratinos.

Ai theksoi se fyerja e feve dhe simboleve të shenjta fetare provokuan urrejtje dhe ekstremizëm të dhunshëm, duke çuar, siç tha ai, në polarizimin dhe përçarjen e shoqërisë.

Përfaqësuesi i lartë i OKB-së tha se liria e shprehjes duhet të ushtrohet në mënyrën duke respektuar plotësisht besimet fetare dhe parimet e të gjitha feve.

“Aktet e dhunës nuk mund dhe nuk duhet të shoqërohen me asnjë fe, kombësi, civilizim ose grup etnik”, tha ai.

Në fillim të këtij muaji, presidenti francez, Emmanuel Macron përshkroi Islamin si “një fe në krizë” dhe njoftoi planet për ligje më të ashpra për të trajtuar “separatizmin islamik” në Francë.

Tensionet u përshkallëzuan më tej më 16 tetor pas prerjes së kokës së mësuesit të shkollës së mesme, Samuel Paty në periferi të Parisit, pasi ai paraqiti karikaturat blasfemuese të Profetit Muhammed gjatë orës mësimore dedikuar lirisë së shprehjes.

Sulmuesi i tij, Abdullakh Anzorov, një 18-vjeçar me origjinë çeçene, u vra më pas nga policia.

Macron i dha homazhe Paty-t dhe karikaturat fyese të revistës Charlie Hebdo u projektuan edhe në ndërtesa në disa qytete.

Presidenti francez mbrojti karikaturat duke theksuar se Franca “nuk do të heqë dorë nga karikaturat”, veprim që shkaktoi zemërim në të gjithë botën muslimane.

Përveç dënimeve nga shumë vende, përfshirë Turqinë, Iranin dhe Pakistanin, ka pasur edhe thirrje për të bojkotuar produktet franceze, protesta dhe sulme në faqet franceze të internetit./AA

OPINIONE

INTERVISTA