Kreu i Lëvizjes vetëvendosja, Albin Kurti, ka deklaruar gjatë një interviste, se shpenzimet e presidentit Hashim Thaçi, duhet t’i paguajë Serbia dhe jo Kosova.

Sipas tij Thaçi është president vetëm për veten e tij dhe Serbinë dhe jo për Kosovën. Më tej Kurti deklaroi se Presidenti Hashim Thaçi do që ta zëvendësojë Gjermaninë me Rusinë në politikën e jashtme të Kosovës dhe në orientimet e saj gjeopolitike dhe historike.
“Vuçiçi e çoi te Putini, kurse Putini e rikthen te Vuçiçi, po luajnë me Thaçin si me top ping-pongu”, tha Kurti në një intervistë për koha.net.

Më tej ai u shpreh se udhëtimet me avion dhe qëndrimet nëpër hotele të Thaçit për bisedime me Vuçiçin, “do të duhej të paguheshin nga buxheti i Serbisë e jo nga buxheti i Kosovës”.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje thotë gjithashtu se nuk ka asnjë kusht që do ta pranonin Thaçin për kryenegociator në Bruksel, në bisedimet Kosovë-Serbi.

Thaçin e quan “seri të dështimeve” dhe thotë se “ta pranosh Thaçin është si ta pranosh hajnin që vjedh shtëpinë e vet kur të thotë: më lër të bëj pazar në emrin tënd me kojshinë. Thaçi është president për veten dhe për Serbinë, jo për Kosovën”.

11