Pas një anketimi vjetor të Dhomës Gjermane të Tregtisë, ambasadorja gjermane në Shqipëri Susanne Schütz është shprehur se situata ekonomike është përkeqësuar në krahasim me një vit më parë.

Ajo theksoi se më shumë se 50% e bizneseve e vlerësojnë më keq situatën ekonomike, ndërsa 43 % e sipërmarrjeve mendojnë se situata do të përkeqësohet.

“Anketimi vjetor i Dhomës Gjermane të Tregtisë dhe Industrisë në Shqipëri është një matës i rëndësishëm për mbarëvajtjen e sipërmarrjeve anëtare të DIHA dhe tregojnë si e vlerësojnë ata klimën e biznesit. Në tërësi, për fat të keq këtë vit konstatojmë një përkeqësim të situatës ekonomike. Pritshmëritë ekonomike të sipërmarrjeve janë trazuar dukshëm, nga 36 % vitin e shkuar në 13 për qind këtë vit. Pak më shumë se 50 % e bizneseve e vlerësojnë me keq situatën ekonomike.

43 % e sipërmarrjeve mendojnë se situata do të përkeqësohet. Atmosfera mes sipërmarrjeve që duket në ketë anketim përkon dhe me përvojat e ambasadës tonë vitin e kaluar. Do të uroja që së bashku t’ia dalim të përmirësojmë klimën e biznesve. Përmes transparencës duhet të krijojmë shembuj pozitivë për krijimin e sipërmarrjeve të suksesshme”, u shpreh Schütz.

16