Artistja nga Kuvajti promovon Shqipërinë përmes fotografisë

Bashkëshortja e ambasadorit të Kuvajtit çel në Muzeun Historik Kombëtar një ekspozitë për të promovuar vlerat e shqiptarëve. Në ekspozitën “Shqipëria, buzëqeshja e ndritur e mikpritjes” artistja Ebitsam Al-Houti ndalet në 6 qytete

Mikpritje do të thotë ta bësh të ndihet atë që vjen nga jashtë, sikur të jetë në shtëpinë e tij edhe pse larg saj. Është kjo ndjesia që shqiptarët i kanë dhuruar artistes kuvajtiane Ebitsam Al-Houti, e cila prej tre vitesh jeton në vendin tonë për shkak të detyrës së bashkëshortit, Ambasadorit të Kuvajtit në Tiranë Fayez Mishari Al-Jassim. Mbresa këto, të cilat ka dashur t’i përcjellë përmes pasionit të saj, fotografisë. “Shqipëria, buzëqeshja e ndritur e mikpritjes” është ekspozita e çelur nga artistja në Muzeun Historik Kombëtar në kuadër të 50-vjetorit të lidhjeve të ngushta diplomatike mes Kuvajtit dhe Shqipërisë, e cila ka për synim të promovojë vlerat e kombit shqiptar, ku ndër të tjera gjen pika të përbashkëta me vendin e saj. “Ka shumë vlera që Kuvajti dhe Shqipëria ndajnë, sidomos sa i takon kohezionit familjar dhe bashkëveprimit të shëndetshëm mes anëtarëve të shoqërisë, pavarësisht besimeve të ndryshme”. Në ekspozitën e kuruar nga Erzen Pashaj, Ebitsam Al-Houti fton vizitorët në një rrugëtim në qytete si Tirana, Berati, Mirdita, Shkodra etj., ku ajo ndjeu ngrohtësinë e njerëzve dhe u impresionua nga traditat e shqiptarëve, veçanërisht pasqyrimi i mikpritjes përmes qerasjes. “Shqipëria, buzëqeshja e ndritur e mikpritjes” vjen gjithashtu si një shenjë falënderimi nga ana e artistes. “Shpreha dëshirën të jap kontributin tim modest për të vënë në pah ndjenjat e dashurisë dhe mirënjohjes të popullit shqiptar, i cili e do dhe e respekton mysafirin”, shprehet ajo. Fotografitë e ekspozuara evidentojnë traditat shqiptare përmes veshjeve tradicionale tipike, mikpritjen përmes tryezës së ngrohtë, vashën e re duke qerasur mikun si dhe bukuritë e rralla të vendit.

“Qëndrimi im këtu u kthye në një nga përvojat më të bukura, me kujtime të paharrueshme. Pata mundësinë të shoh vende të veçanta dhe kënaqësinë të shëtis në qytete dhe fshatra të ndryshme të Shqipërisë, ku u ndjeva vërtet mirë me natyrën e bukur dhe klimën e përshtatshme gjatë gjithë vitit. Lindi në mua një kureshtje e madhe për të ditur më shumë mbi kulturën shqiptare dhe shqiptarët”. E nxitur nga kureshtja për të zbuluar dhe njohur sjelljet e individëve dhe kulturën e vendit që viziton, përmes fotografisë ajo fokuson figurën  e fëmijëve. “Ishte dëshira ime të promovoj vlerat e bukura njerëzore të këtij brezi, në mënyrë që të vihen në pah marrëdhëniet mes njerëzve. Ndoshta ju nuk e dini se sa shumë e shijojnë vizitorët bukurinë e natyrës së këtij vendi, e cila është unike dhe të lë pa fjalë”, rrëfen Ebitsam. Edhe pse Shqipëria është një vend i vogël, në hartën e botës, artistja nga Kuvajti vlerëson edhe përmes fotografisë monumentet që kanë lënë qytetërimet e njëpasnjëshme, shtëpitë qindra vjeçare, që sipas saj mbartin emrin dhe rëndësinë e këtij vendi.  Nga Tirana ajo veçon Xhaminë e Ethem, Beut si një nga monumentet e para të krijuara për themelimin e qytetit dhe rrëfen përshtypjet gjatë vizitës në një shtëpi 91-vjeçare, ku ishte e ftuar. “Më pritën shumë ngrohtë të gjitha gratë e asaj familje të zgjeruar, më mbuluan me dashuri, bujari e mikpritje. Ishin çaste aq të bukura sa do të mbeten brenda meje përgjithmonë”. Nuk lë pa përmendur as ushqimin e shijshëm të servirur, si lëngun e thanës apo ëmbëlsinë e hasudes, të cilat i ka përjetësuar përmes aparatit të saj, ashtu si dhe kafen turke të përgatitur në një mënyrë të veçantë në një oxhak me dru që tërheq vëmendjen e vizitorëve.

Nga vizita e saj në të bukurën “Shkodër Loce”, nuk mund të mungonte imazhi i një pre 50 xhamive më të bukura në botë, nga lagjja e vjetër Tabake. Monumenti i “Xhamisë së Plumbit” vjen me stilin turko-arab, në një foto ku e kaltra me grinë bëhen njësh, si për të rrëfyer “betejat” që kësaj mrekullie arkitektonike i është dashur të përballojë. Edhe pse diktatura e mbylli, objekti, falë strukturës së rrallë, i mbijetoi edhe ateizmit “të çmendur” komunist. Nga qyteti i njohur si “djepi i kulturës”, artistja kuvajtiane veçon vizitën e saj në një shtëpi të ndërtuar para 200 vitesh, ku i ka bërë përshtypje larmishmëria në elementët e trashëgimisë që ajo mbart. “Mikpritësit ishin mjaft të dashur dhe nuk mungoi kafeja turke dhe haxhimakulla, një ëmbëlsirë tipike e zonës”. Nuk mund të mos ishte i pranishëm në këtë “tur” përmes imazhit, as qyteti i luleve, arteve dhe muzeve. Prej Korçës Ebitsam Al-Houti na sjell imazhet e dy vajzave të vogla të hijshme, teksa mirëpresin mysafirët me një shportë me mollë, reçelin dhe lëngun e pjeshkës të përgatitura në shtëpi, apo mjaltin e shërbyer në koshere. “Gjatë bisedave tona të qeta dhe spontane të shoqëruara me shpirtin e bukur të korçarëve diskutuam një sërë çështjesh kulturore. Sa me krenari e shpalosnin dashurinë për qytetin dhe  për të mirat që ai jep”. Imazhi i dy fëmijëve që reflektojnë sinqeritetin e “buzëqeshjes së ndritur të mikpritjes shqiptare” na çon në qytetin e “njëmijë e një dritareve”. Djaloshi me qylafin e bardhë në kokë, ndërsa vajza e re me xhamadanin lejla të qëndisur me fije ari, duke servirur kafen e reçelin e ftoit, zbukurojnë shtëpinë antike dy shekullore ku artistja ka ndaluar. “Sapo u futëm në shtëpi, u duk qartë se sa të përkushtuar ishin këta njerëz për të ruajtur këtë trashëgimi të çmuar”, rrëfen Ebitsam Al-Houti.

Qëndrimi im këtu u kthye në një nga përvojat më të bukura, me kujtime të paharrueshme

“Bukë, kripë dhe zemër të bardhë”

Në ekspozitën “Shqipëria, buzëqeshja e ndritur e mikpritjes” për të promovuar vlera shqiptare si kruajua, nacionalizmi, kullat shekullore e bukuritë natyrore, artistja nga Kuvajti nuk mund të mos ndalej në qytetin e Mirditës. Monumenti më shumë se 250-vjeçar i Kullës së Përlatit, me hijeshinë e stilit të thjeshtë përcjell tek vizitorja vlerat historike. Al-Houti, përmend mikpritjen e trashëguar brez pas brezi në këtë qytet, ku udhëtarët që kanë kaluar në ato rrugë kanë gjetur gjithmonë një derë të hapur. “U pritëm me shumë bujari e dashamirësi, ku kënaqësi të veçantë më dhanë bisedat mbi historinë e Mirditës, vlerat morale dhe njerëzore të zonës, të cilat ruhen edhe sot e kësaj dite”. Bukuria e vajzës mirditore, i shton edhe më hijeshinë veshjes së zonës në imazhet e ekspozuara, teksa ajo qeras miken speciale me gështenja të pjekura, mare apo “laknor”. Gjirkostra do t’i jap mundësinë artistes nga Kuvajti, që përmes shtëpive të vjetra si ajo e familjes Çenaj të udhëtoj 4 shekuj pas në histori. “Një kryevepër e mrekullueshme arkitekturore. Gjirokastra është një shembull i rrallë i ruajtjes së një qyteti Otoman, ndërtuar nga fermerët” pohon ajo. Gjatë vizitës, banorët e zonës do t’i shpjegonin se pse Gjirokastrën e quanin “qyteti i udhëheqësve” ndërsa çiltërsia e vajzave të vogla mes ngjyrës së kuqërremtë të veshjeve tipike të zonës, do ta bënin qëndrimin e saj edhe më të këndshëm. Gjatë fjalës së saj Ebitsam Al-Houti theksoi, se “Shqipëria, buzëqeshja e ndritur e mikpritjes”, përpos të tjerave, mbart kujtime shumë të bukura të cilat ajo i përjetoi. E konsideron veten me fat, për faktin që pati mundësi të njohë njerëz të mrekullueshëm dhe dinjitoz, të krijojë miqësi të reja, të mësonte për historinë e vendit tonë, si dhe të provonte ushqimin e shijshëm, që siç ajo tregon,  çdo qytet i këtij vendi bujar ofron me shumë zemër. “Gjatë këtyre vizitave, një gjë dallova qartë. Bujaria e mikpritjes shqiptare është e pashoqe. Nga çdo qytet, u largova me ndjenja shumë pozitive mbi pastërtinë e zemrës dhe të shpirtit të këtyre qytetarëve mikpritës, e përmbledhur bukur në thënien ‘bukë e kripë e zemër të bardhë’”.

Rreth artistes

Ebitsam Al-Houti është një artiste kuvajtiane, e cila ushqen një pasion të madh për fotografinë. Ajo lindi në Kuvajt në vitin 1958. U diplomua për psikologji në Universitetin e Kuvajtit. Pas kësaj periudhe Al-Houti u emërua si psikologe kryesore dhe zëvendës drejtoreshë e Departamentit për Këshillim Psikologjik në Fakultetin e Edukimit, në Universitetin e Kuvajtit. Lidhja e saj me artin e të fotografuarit nisi në Republikën e Beninit në vitin 2011. Pikërisht gjatë kësaj kohe atë e tërhoqi natyra piktoreske dhe mrekullia e arteve, si dhe bukuria e njerëzve të Beninit. Që nga ajo kohë Al-Houti i ka kushtuar një vëmendje të veçantë fotografisë dhe zhvillimit të aftësive dhe njohurive. “Shqipëria, buzëqeshja e ndritur e mikpritjes” është projekti i parë fotografik në Shqipëri, ku vihet theksi tek përvoja e saj me njerëzit e këtij vendi. Kjo ekspozitë paraqet imazhe të qëndrimit të saj në vendin tonë bashkë me bashkëshortin e saj, ambasadorin e Kuvajtit në Shqipëri. Ekspozita përfshin fotografi nga gjashtë qytete shqiptare, ku mishërohet shpirti i mikpritjes.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne