Bie qeveria e Kosovës!Prishet koalicioni, në qershor zgjedhje

PRISHTINE-Me 78 vota pro Kuvendi i Kosovës ka vendosur rrëzimin e qeverisë së drejtuar nga Isa Mustafa duke e dërguar shtetin më të ri në Ballkan në zgjedhje të parakohshme, që sipas të gjitha gjasave do të zhvillohen në qershor, ndërsa data do të vendoset nga Presidenti Thaçi.

Seanca në Kuvendin e Kosovës ka qenë e tensionuar, pasi aleati kryesor i koalicionit Partia Demokratike e Kosovës ka bashkuar votat me opozitën duke votuar pro mocionit që inicioi Fatmir Limaj. Vetë Kadri Veseli ka votuar pro rrëzimit të qeverisë.

Mes dy forcave kryesore të qeverisë së Kosovës PDK dhe LDK pati mjaft debate në parlament, ndërsa në fund e fituar doli opozita që ia arriti qëllimit për rrëzimin e qeverisë.

Rrëzimi i qeverisë e fut Kosovën në një tjetër spirale krize, pasi me rrëzimin e qeverisë bllokohet kalimi i demarkacionit dhe rrjedhimisht liberalizimi i vizave me BE.

votimi ne kuvendin e kosoves.Momenti kur deputetët urojnë njëri-tjetrin për rrëzimin e Qeverisë

Zbardhet procesverbali/Veseli votoi për rrëzimin e qeverisë
Qeveria e Isa Mustafës u rrëzua në mocion mosbesimi me 78 vota, duke e çuar kështu Kosovën në zgjedhje të parakohshme brenda 45 ditëve.

Pak orë pas votimit, është zbardhur edhe procesverbali i seancës dhe si votuan deputetët në Kuvend.

Mes deputetëve që kanë votuar pro rrëzimit është edhe partneri i koalicionit të Isa Mustafës, Kadri Veseli i Partisë Demokratike të Kosovës.
kadri veseli
(Kadri Veseli votoi pro rrëzimit të qeverisë)

Qeveria e Isa Mustafës e përbërë nga koalicioni PDK-LDK dhe minoritetet është rrëzuar sot, pas kalimit të mocionit të iniciuar nga Nisma për Kosovën. Mocioni mori 78 vota pro dhe 34 kundër.

Ndërsa në listën e votimit që ka publikuar Kuvendi shihet se si kanë votuar deputetët.

Thaçi shpërndan Kuvendin, zgjedhjet me 18 Qershor?
Pas votimit të mocionit për rrëzimin e Qeverisë Mustafa, presidenti Kosovës, Hashim Thaçi ka vendosur që ta shpërndaje Kuvendin e Kosovës.
Ai shpërndarjen e Kuvendit e ka bërë përmes dekretit dhe i cili ka hyrë mënjeherë në fuqi.
Mediat kosovare shkruajne se, pas rrëzimit pritet që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, të cilat, sikurse në Shqipëri, mund të mbahen më 18 qershor.

Zafir Berisha: NISMA e AAK, bashkë në zgjedhje
Deputeti i NISMA-s për Kosovën, Zafir Berisha, deklaroi për Report Tv, pas fitores së mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë “Mustafa”, se që ditën e parë, koalicioni ka qenë i panatyrshëm.

NISMA ishte një nga forcat politike të opozitës që inicioi edhe mocionin e mosbesimit.

Berisha tha se me rrëzimin e qeverisë, NISMA është përgatitur për zgjedhjet e parakohshme dhe do të arrijë një rezultat bindës me AAK-në.

Ndërsa përjashtoi çdo koalicion me dy partitë në pushtet PDK dhe LDK.

Z.Berisha, NISMA mbështeti mocionin e mosbesimit, ju kishit besim që qeveria do rrëzohej sot?
Ky koalicion që në ditët e para ka qenë një koalicion i panatyrshëm, mes dy individëve të liderëve të partive politike. Ideja për mocion lindi nga NISMA dhe kryetari i saj, Fatmir Limaj. Qytetarët e Kosovës ishin të stërlodhur nga kjo qeveri e cila nuk ka funksionuar dhe Kuvendi i Kosovës nuk ka qenë funksional. Dhe rezultati i kësaj u pa sot.

Tani që Kosova shkoi në zgjedhje të parakohshme, ju si forcë politike jeni gati për një platformë që t’ua ofroni qytetarëve?
Ne presim të bëjmë koalicion me AAK-në e Ramush Haradinajt. Në zgjedhjet e pas 45 ditëve presim që qytetarët të mbështesin alternativën tonë, të dy partive në koalicion NISMA dhe AAK.

Z.Haradinaj theksoi se AAK ka një vijë të kuqe për partitë në koalicion, ju si NISMA e përjashtoni çdo mundësi bashkëpunimi?
Shumë nga firmat për mocionin i kemi diskutuar me AAK-në. Qytetarët e Kosovës të stërlodhur nga kjo qeverisje do t’i japin një mundësi forcave NISMA dhe AAK. Kudo shqiptarët që janë e dinë se keqqeverisja dhe korrupsioni u ka sjellë qytetarëve të Kosovës moslëvizjen pa viza në Europë.

Visar Ymeri për Report Tv: Rrëzimi i Mustafës shpëtoi Kosovën
Kreu i Vetëvendosjes Visar Ymeri u shpreh për Report Tv se rrëzimi i qeverisë së Isa Mustafës shpëtoi Republikën e Kosovës.

Sipas tij, koalicioni PDK-LDK ishte një koalicion interesash të ngushta mes dy liderëve Thaçi dhe Mustafa.

Ymeri theksoi gjithashtu se Vetëvendosje është e hapur për koalicion me AAK dhe NISMA, por gjithçka varet nga vullneti i këtyre dy forcave.

“Rrëzimi i qeverisë së Isa Mustafës shpëtoi Republikën e Kosovës.

Vetëvendosje është gati për zgjedhjet e parakohshme dhe nuk do të bëhet pjesë e koalicioneve të krimit.

Lëvizja Vetëvendosje ka pasur si synim bashkëpunimin me të gjitha forcat politike në opozitë. Por nuk duket se ka vullnet për të pasur bashkëpunim me AAK dhe NISMA”, tha ai.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne