Nga Christian CARYL*

Në rast se nuk e keni vënë re, Britania sapo mbajti zgjedhjet dhe Partia Konservatore qeverisëse e cila pritej të fitonte me avantazh, u vendos në kudhër. Ekspertët nuk i kishin dhënë pothuajse asnjë shans liderit të opozitës laburiste, Jeremy Corbin për fitore. Për të qenë të saktë, ai fushatoi mbi një platformë të kundërshtisë së fortë ndaj viteve të gjata të kursimit të konservatorëve – një mesazh që ngjiti sidomos tek studentët dhe të pakënaqurit. Por, megjithatë, kush do të votonte për një marksist ende të pareformuar, një njeri që flirtoi publikisht me IRA-n, Hugo Chavez dhe Hamasin?

Ndodhi që kishte shumë votues që preferuan laburistin “e çmendur”, mjaftueshëm sa për të zhveshur kryeministren Theresa May nga shumica. Edhe një herë më shumë, ekspertët u ç’orientuan.

Zjarri i frikshëm në kullën Grenfell në Londrën Perëndimore mund të ndihmojë të shpjegohet përse erdhën gjërat kështu. Ndërtesa 24-katëshe ishte një ishull i strehimit publik në një zonë me prona të patundshme – të llojit ultra-të mrekullueshme që kanë mbirë në qytet gjatë viteve të fundit ndërsa çmimet marramendëse kanë larguar familjet e shtresës së mesme.

Banorët e Grenfellit prej kohësh kishin dhënë alarmin për sigurinë e dobët në ndërtesën e tyre – por askush nuk ua vuri veshin. Parashikimet e tyre të tmerrshme u shndërrua në realitet mëngjesin e zjarrit. Sistemi qendror i alarmit kundër zjarrit nuk funksionoi. Sistemi i fikjes së zjarrit funksionoi keq.

Të paktën 12 persona humbën jetën, deri tani, por bilanci total me gjasa mund të jetë më i madh. Kishte rreth 600 njerëz në ndërtesë në momentin e zjarrit dhe dhjetëra prej tyre ende janë të zhdukur. Në skenat e ngjashme me ato të sulmeve mbi kullat binjake më 11 shtator, disa zgjodhën të hidhen nga dritaret e kateve të larta sesa të digjeshin të gjallë.

Megjithatë, keqbërësit këtë radhë nuk ishin terroristët. Shumë londinezë menjëherë fajësuan neglizhencën sistematike nga autoritetet. Një pastor lokal nuk vuri fare doreza: “Pabarazia në këtë vend midis të pasurve dhe të varfërve është e neveritshme”, tha ai në një intervistë. “Kjo nuk do të kishte ndodhur në ato apartamentet 2 milionë apo 5 milionë paundëshe pas kthesës”.

Disa nga teoritë për zjarrin mund të dëshmohen si të nxituara. Disa vendas thanë se zjarri u ushqye nga rregullimet që ishin shtuar nga jashtë strukturës që ndërtesa të mos ishte aq e shëmtuar për syrin e të tjerëve në lagjet e shtresave të larta. Por, thjesht fakti që ide të tilla janë hedhur në publik, tregon shumë për problemet që infektojnë shoqërinë britanike.

Nuk keni pse të më besoni mua. Në një artikull të “Financial Times” – publikim që nuk dyshohet për ndonjë simpati për të majtin e çmendur – kolumnisti Edward Luce argumenton se bota anglo-amerikane është bërë viktimë e vetë arrogancës së saj. Ai sjell në kujtesë sesi britanikët dhe Shtetet e Bashkuara përqafuan tërësisht reformat e tregut të lirë gjatë “revolucionit Regan-Theçer të viteve 1980”. Ata kishin arsye përse e bënë këtë, arsyeton ai, por ata e tepruan: “Me qindra mijë gjykatës e financierë francezë mund të ishin vendosur në Londër brezin e kaluar. Shumë më tepër britanikë e lanë kryeqytetin e tyre për shkak të çmimeve të larta”.

Ashtu si edhe Luce vë në dukje: Si ia vendosim vlerën Demokracisë? Me gjithë stanjacionin e saj, Franca ka bërë një punë më të mirë për të mbajtur “të prapambeturit” sipër ujit sesa rivalët e saj anglo-saksonë. Ka më shumë burra francezë në punë sesa në SHBA, një statistikë e paimagjinueshme madje edhe dhjetë vjet më parë. Niveli i pabarazisë së të ardhurave në Francë është më i ulët sesa në SHBA dhe në Britani, të cilat janë të dyja gati në majë të koeficientit të pabarazisë. Mes vendeve të klubit të ekonomive të zhvilluara, vetëm Kili dhe Meksika janë më keq se Shtetet e Bashkuara. Ajo që aplikohet për Francën është edhe më e vërtetë për Gjermaninë, e cila duket e vendosur të rizgjedhë një qeveri të moderuar në shtator.

Për ballancë, Luce nxjerr në dukje se britanikët dhe amerikanët kanë një rekord jetë-gjatë të mburrjeve për përshtatshmërinë e tyre ekonomike, që zë vend keq në realitetin e trishtë. Nuk është e habitshme që shumë të rinj në të dyja vendet ndjejnë gjithnjë e më shumë se kapitalizmi nuk përmbush pritshmërinë e reputacionit të vet.

Për të qenë të drejtë, problemet që përballin demokracitë liberale shkojnë përtej ekonomisë. Ka edhe një ndjesi këmbëngulëse të ndasisë dhe mosbesimit, një paranojë në rritje të humbjes së identitetit. Votuesit e presidentit Trump, të cilët ai i quan “njerëzit e harruar’ duket se motivohen më shumë se nga çdo gjë tjetër prej ankthit kulturor. Ata që votuan për Brexit ndjenë urgjencën për të rimarrë nën kontroll jetët e tyre – “sovranitetin” – nga një Bruksel i largët dhe kërcënues.

Por, faktori ekonomik nuk mund të injorohet – sidomos në raste katastrofash si ajo e Londrës që tregojnë se pabarazia mund të jetë çështje për jetë a vdekje. A janë duke e dëgjuar këtë liderët e Perëndimit?

* Christian Caryl është redaktor i faqeve editoriale të gazetës amerikane “The Washington Post”, ku u publikua edhe artikulli./ tesheshi

19