Një grup i të drejtave të njeriut ka dënuar komentet e bëra nga një zyrtar i lartë qeveritar i Emirateve të Bashkuara Arabe (UAE) i cili i kërkoi Gjermanisë dhe vendeve të tjera evropiane të ushtrojnë kontroll më të madh mbi xhamitë e veta, për të parandaluar sulmet “terroriste”.

“Nuk mund të hapim thjesht një xhami dhe të ftojmë të gjithë që të marrin pjesë dhe të predikojnë”, tha në një intervistë të martën Sheiku Nahyan bin Mubarak Al Nahyan, ministri i shtetit për tolerancë i Emirateve të Bashkuara Arabe.

Sheikh Nahyan tha se Gjermania me Francën, Britaninë dhe Belgjikën, nuk po ushtronin kontroll të mjaftueshëm mbi xhamitë lokale, sipas DPA.

Në përgjigje, Organizata Arabe për të Drejtat e Njeriut në Mbretërinë e Bashkuar (AOHR UK) refuzoi kategorikisht komentet e ministrit, duke thënë se angazhimi i tij ishte një “provokim kundër muslimanëve në Evropë”.

“Nëse një person që frekuenton një xhami të caktuar kryen një vepër penale, kjo nuk do të thotë që të gjithë ata që falen në këtë xhami e mbështesin këtë akt ose kryerjen e krimeve të tilla”, tha AOHR UK në një deklaratë.
Xhamitë në Evropë janë subjekt i rregullave strikte dhe zyrtarët e tyre e “kryejnë misionin e tyre në përputhje me mësimet e moderuara të Islamit”, tha deklarata.

Në intervistë, Sheikh Nahyan tha se Emiratet e Bashkuara Arabe “kanë ofruar gjithmonë trajnime për njerëzit”, por asnjë vend evropian nuk i është përgjigjur ofertave deri tani.

Ndërkohë, AOHR UK i këshilloi vendet evropiane që ta refuzojnë ofertën e Sheikh Nahjanit, “për të mos i kthyer xhamitë në Evropë në qendra të mbikëqyrjes të sigurisë për të mirën e Emirateve të Bashkuara Arabe”.

Qeveria e Emirateve të Bashkuara Arabe kontrollon rreptësisht funksionimin e xhamive brenda vendit të vet./ Gazeta Impakt

burimi:aljazeera

44