E bukura në Islam

Shkruan: Seyyed Hossein Nasr

Në Islam, ashtu si mëshira, dashuria dhe paqja, e bukura konsiderohet atribut i Zotit, bile njëri nga emrat e Tij është al-Jamil (i Bukuri). Sipas një hadithi, Allahu e do të bukurën, dhe kjo do të thotë që karakteristikat e së bukurës dhe të dashurisë janë të gërshetuara reciprokisht në planin hyjnor. Ky realitet është pasqyruar, gjithashtu, edhe në planin njerëzor, me fuqinë e faktit se shpirti jonë e pëlqen atë që e vëren si të bukur, kurse e shikon si të bukur atë që e pëlqen. E bukura gjithashtu ka forcë rrezatimi dhe shkëlqimi, dhe ajo në fakt ndan prirjen themelore për mëshirën dhe dhembshurinë. Për më tepër, e bukura merakoset rreth grumbullimit dhe ndihmon që elementet e shpërndara të shpirtit të mblidhen në gjendje të qetësisë. Nga kjo, e bukura është e lidhur edhe me paqen dhe ajo posedon fuqi të konsiderueshme qetësuese mbi shpirtin, mbi veçorinë thelbësore për shpirtëroren islame, siç është e pasqyruar qartë në artin islam.

Por, ç’është e bukura? Në universin islam si dhe në botët e tjera tradicionale, e bukura nuk është gjendje thjesht subjektive e cila ekziston vetëm “në syrin e vëzhguesit”, sepse çdo qenie intelektuale njerëzore ka forcë të vlerësojë zakonisht lloje të caktuara të së bukurës, kurse lloje të tjera jo. E bukura është dimension i vetë realitetit kurse filozofët islamë dhe mistikët, shekuj me radhë kanë dëshmuar, përmes kuptimeve individuale, atë thënien platonike: “E bukura është pasqyrim i së vërtetës.” Por, fjala arabe haqiqah nënkupton “të vërtetën” dhe “realitetin”, kurse emri i Allahut al-Haqq nënkupton unifikimin e atij dyshi në vetë Zotin, I Cili është Realitet në domethënien e Tij absolute, Realitet që na bën më të lirshëm, siç e ka dëshmuar edhe Krishti po edhe vetë Realiteti absolut. Meqë Zoti në kuptimin metafizik është i vërtetë dhe realitet, ai nuk mund të jetë tjetër përpos i bukur. Siç do të thoshin sufistët, çdo e bukur, tekembramja, rrezaton në nivelin e veçantë të realitetit të Bukurisë së Portretit Hyjnor.

Mund të thuhet se Islami është religjion i së bukurës, virtyt i cili asnjëherë nuk mund të shkëputet nga e mira. Në botën e sotme, e mira dhe e bukura janë të ndara nga njëra tjetra, bile edhe njerëzit religjiozë gravitojnë kah e mira duke e konsideruar shpeshherë të bukurën si luks. Aq me tepër, disa mendimtarë religjiozë të modernizmit perëndimor kanë zhvilluar “kultin e së shëmtuarës”, rezultati i së cilës është numri i madh i kishave tmerrësisht të shëmtuara që mund të shihen pikërisht në disa shtete katolike, ku gjithashtu mund të zbulohen shprehjet më të bukura të arkitekturës së krishterë. Kur flitet për të shëmtuarën, duhet theksuar që ai “kult i së shëmtuarës” sot ka depërtuar edhe në botën islame, e cila njeh shumë xhami pakrahasueshmërisht të prapambetura kundrejt moshatareve të tyre nga Perëndimi. Ato, në fakt nuk paraqesin artin apo mendimin islam, por hulumtojnë thjesht ndikimet nga jashtë. Zakonisht, në perspektivën tradicionale islame, bukuria dhe mirësia janë të pandashme. Në gjuhën arabe fjala husn nënkupton, realisht, të dyjat – “të bukurën” dhe “të mirën”, ndërsa qubh nënkupton “të shëmtuarën” dhe “të keqen”.

Mund të thuhet se e mira i përshtatet dimensionit të jashtëm të gjërave kurse e bukura dimensionit të brendshëm, që do të thotë se nuk ekziston e bukura e jashtme dhe e mira e brendshme. Ekziston një tregim në lidhje me këtë çështje që sqaron plotësimin ndërmjet meshkujve dhe femrave apo ndërmjet yin dhe yang, të cilët vëzhgohen kozmologjikisht dhe shpirtërisht, po edhe në shkallën njerëzore. Në Islam thuhet se bukuria femërore është e jashtme kurse mirësia e saj – e brendshme, ndërkaq mirësia mashkullore është e jashtme, kurse bukuria mashkullore, e brendshme. Njëjtë sikur yin dhe yang që plotësojnë njëra-tjetrën duke krijuar së bashku rrethin e përsosur që është i lidhur me Tao-n, e bukura dhe e mira plotësohen mes veti duke u bërë të pandashme. Roli i religjionit në perspektivën islame nuk është vetëm mësim i zbatimit të së mirës, por njashtu edhe rrezatim i së bukurës në të gjitha nivelet e saj – shpirtërore, intelektuale dhe fizike.

Thuhet se në budizëm, personaliteti i Budës i shpëton shpirtrat përmes bukurisë së tij. Po ashtu, mund të thuhet që vetë bukuria e recitimit kuranor ka fuqinë shpëtimtare. Në shoqërinë tradicionale islame, asnjëherë nuk dëgjohet fjala e Zotit dhe e atyre myslimanëve që nuk dinë arabisht dhe që nuk e kuptojnë bile as porosinë e asaj që recitohet. Kjo, gjithashtu vlen edhe për shkrimin e Kuranit që paraqet kaligrafinë e përgjithshme islame. Qysh nga kohët më të hershme, teksti i shenjtë është shkruar në kaligrafinë më të bukur, dhe padyshim, gjatë shekujve, për cilindo qoftë brez mysliman, Kurani ka qenë libri më mirë i stolisur. Në sytë dhe veshët e myslimanëve, teofania qendrore e religjionit të tyre, gjegjësisht Kurani, ka qenë gjithmonë i lidhur me të bukurën, siç janë të lidhura strukturat dhe godinat me çështjet religjioze. Ky theks, që ka të bëjë me lidhjen në mes të bukurës dhe të shenjtës, nuk ishte i vetmi në Islam. Para kohërave moderne, arti më i bukur i të gjitha civilizimeve ishte arti i shenjtë, drejtpërdrejt i lidhur me ceremonitë dhe praktikat fetare, siç shihet në katedralet gotike, në tempujt hindusë e budistë dhe në llojet e ndryshme të ikonave, pastaj të mos harrojmë pa përmendur edhe idenë tingullore të muzikës dhe të poezisë.

Nëse Islami mund të quhet religjion i së bukurës, mund të parashtrohet pyetja: përse mendimtarët religjiozë, myslimanët njëjtë sikur hebrenjtë dhe të krishterët kanë paralajmëruar se shpirti mund të dehet nga e bukura dhe të kundërshtohet nga Zoti; përse disa mistikë të mëdhenj janë kujdesur që të mos rrethohen me objekte të bukura? Përgjigjja është se e bukura është gjithsesi teofani e fuqishme tërheqëse apo manifestim i dukshëm i Realitetit të Zotit dhe ka fuqi që ta tërheqë shpirtin kah vetja. Thënë shkurt, fuqia e së bukurës që teofanisë t’ia ofrojë shpirtin, paraqet thikë me dy tehe. E bukura është rrugë mbretërore kah Zoti dhe njëkohësisht pengesë që të arrihet te Zoti. Mund të thuhet se, kur të mos ekzistonte e bukura në botën e këtushme, atëherë nuk do të kishte as huti të shpirtit me botën dhe çdo shpirt do të ishte më afër Zotit. Në një farë kuptimi, jeta shpirtërore nuk do të ishte provokim, kurse zhvillimi i gjendjes njerëzore për nga vetja do të ishte shfuqizuar. Ajo që këtë hulumtim shpirtëror e bën heroik, thënë shkurt, është ajo që shpirti medoemos duhet të mësohet të largohet nga botërorja (tokësorja), e cila sërish, të tërheq nga vetja sikurse të tërheqin e bukura dhe e këndshmja, në tendencë për të arritur Gurrën e të gjitha të bukurave.

Për sa i përket Islamit dhe religjioneve të tjera, këtu futet në lojë një element i asketizmit. Në tentim që të shikojë bukurinë e tokësores si shkallë që çon kah Bukuria e Zotit, shpirtit, para së gjithash, i është e nevojshme që t’i largojë rrënjët nga bota e këtushme dhe t’i mbjellë në Zotin. Nga kjo rezulton nevoja e praktikës asketike dhe e disiplinës shpirtërore. Nuk ekziston ligj fetar dhe shteg shpirtëror që nuk përfshin së paku disa praktika asketike. Meqë në Islam, asketizmi i tepruar që është praktikuar nga ana e disa murgarëve apo yogëve nuk është i pranueshëm, ai dhe vetëdisiplina shpirtërore padyshim se ekzistojnë, siç shihet në lutjet dhe agjërimin. Përmes disiplinës së Sheriatit, shpirti është i gatshëm që të pranojë disiplinën e mëtutjeshme shpirtërore dhe të ngjitet në shtegun shpirtëror që çon kah Zoti. Burime të të afruarit që e mundësojnë këtë udhëtim janë e bukura dhe dashuria. Gjithashtu, ekziston edhe fuqia shpirtërore dhe iniciative (wilayah/walayah) e sjellë përmes Profetit për të gjitha gjeneratat myslimane që kanë gjurmuar dhe që akoma tentojnë (bile edhe në jetën e këtushme) të shikojnë bukurinë e pakrahasueshme të Fytyrës – Burimit të të gjitha bukurive.

Për të mençurit e aktualizuar shpirtërisht, çdo bukuri është pasqyrim i Bukurisë Hyjnore. Shpirti i çdo personi të vetëm është ngjitur sipër rrezikut që të kapet në grackë, me fuqinë e reflektimit të Bukurisë, të mosshikimit të Atij I Cili është I Mrekullueshëm. Për individë të tillë nuk ekziston një bukuri e tillë tokësore që mund të bëhet pengesë në rrugën drejt Zotit. Përkundrazi, çdo trajtë e bukurisë, këtu poshtë ofron mundësinë për t’u kujtuar në Bukurinë Hyjnore dhe kujtimin për vëzhgimin e Bukurisë së ndihmave të Tij gjatë takimit tonë të parapërjetshëm me Zotëriun tonë, kur kemi dëshmuar, në përputhje me thënien kuranore, zotërimin e Tij.

Mendimi islam dhe ndjenja artistike e kanë lidhur vazhdimisht të bukurën me realitetin, kurse të shëmtuarën me joekzistencën. Sot, për shumicën është bërë e modës që t’i vëzhgojnë të shëmtuarën dhe të keqen dhe t’i vënë në dukje si diçka të vërtetë, ndërsa bukuria dhe mirësia janë lënë anash si diçka jodomethënëse, sekondare dhe të pavërteta. P.sh. mediat, shpeshherë gjurmojnë dhe tentojnë të gjejnë diçka të keqe në jetën e ndonjë individi dhe pastaj të potencojnë se e mira dhe e bukura mbeten plotësisht nën hijen e asaj jete. Bile edhe në fotografitë dhe filmat e përdorur nëpër media, e shëmtuara shpeshherë është më e theksuar se e bukura. Mbretëria e makinave dhe krijimi me fuqi i qenieve moderne njerëzore në ambientet artificiale urbane të shkëputura nga natyra e cila është fort e bukur, ka rezultuar me faktin që shumë njerëz e kanë marrë të shëmtuarën si njësi reale ndërsa të bukurën e konsiderojnë si luks që u takon vetëm të pasurve. Kjo i kundërvihet në mënyrë dramatike perspektivës islame e cila gjithmonë e ka kundërshtuar “kultin e së shëmtuarës” dhe e cila gjithmonë ka rikujtuar se e bukura (larg asaj se është luks) është po aq e domosdoshme për shpirtin sa edhe ajri për trupin. Nuk është e rastit që vetëm në ato mjedise urbane të privuara nga artet e shenjta dhe tradicionale, nga harmonia dhe bukuria natyrore, rriten agnosticistët dhe ateistët. Civilizimi islam është liruar nga kjo grackë duke krijuar artin dhe arkitekturën që është gjithashtu e bukur dhe akoma në kontakt me natyrën dhe harmonitë e ritmet e brendshme qarkulluese.

Gjatë tërë historisë, Islami ka krijuar rrezatimin e së bukurës. Sipas tekstit të një hadithi, mësojmë se “Zoti e ka përshkruar të bukurën në qenien e çdo sendi.” Misioni i Islamit, është mbështetur gjithmonë në orientimin e shpirtit kah Zoti përmes ligjit hyjnor dhe përmes krijimit të artit që do ta shpaloste të bukurën e shkruar në thelbin e gjërave nga ana e Zotit. Asnjëherë nuk do të ekzistonte shprehja burimore islame pa të bukurën, ndërkaq mund të thuhet, bile të tregohet se njësia e së bukurës mund të përdoret krahas njësisë së të vërtetës, ashtu që sot të gjykohet për burimin e deklaratës së çfarëdolloj lëkundjeje, e cila mundohet të përdorë emrin e Islamit dhe të identifikohet me Islamin.

“Allahu, gjithsesi është me bamirësit” (29:69), mund të përkthehet edhe kështu: “Allahu është me ata që janë ngatërruar në të bukurën.”

(Përktheu: Bekim Ramadani)/ shenja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne