Ndonëse në Tiranë festa e Ditës së Verës është shtyrë për të dielën për shkak të motit të keq, Elbasani ka nisur festimet që prej mbrëmjes së djeshme.

Gazetari Fatmir Popja raporton për “BalkanWeb” se qyteti “i origjinës” së Festës të Ditës së Verës është shndërruar në vendin e karnavaleve, panaireve dhe festimeve të ndryshme. Në Sheshin e qytetit është zhvilluar edhe një koncert me këngëtarët më të mirë të këngës popullore si Ylli Baka, Eranda Libohova etj.

Gjithashtu në Elbasan kanë mbërritur edhe kryeministri Edi Rama si dhe kreu i PD Lulzim Basha. “Rama dhe Basha kanë qenë në Elbasan. Festime janë bërë edhe në Peqin e në qyteza përreth Elbasanit. Kjo ditë ka një atmosferë shumë pozitive dhe të ndezur. Elbasani sot është kthyer në ‘kryeqendër’ festimesh. Edhe shtëpitë botuese më të mira të vendit kanë bërë panaire, duke i kushtuar një vëmendje të rëndësishme edhe kulturës dhe leximit”, tha ai.

Ballokumja edhe sivjet gjendet kudo në Elbasan, pasi është ëmbëlsira e festës. Ndonëse dita nuk është me diell siç i shkon për shtat kësaj dite, deri më tani reshje shiu nuk ka pasur.

17