Kur do të shpërthejë ajo? Pse Trump po përkujton vdekjen e marinsave në Bejrut pas 34 vjetësh? A do ta vendosë Hezbollahun në vend të ISIS-it në listën e luftës kundër terrorizmit pas rrënimit të këtij të fundit? Kërko për Ivankën dhe bashkëshortin e saj Kouchner.

Abdul-Bari Atuan

Me rënien e qytetit të Rakka – kryeqyteti zyrtar i të vetëquajturit “Shteti islamik” në duart e Forcave të Sirisë Demokratike – me ndihmën e rreth 900 ushtarëve marinsë dhe me mbulim ajror amerikan, kanë filluar përgatitjet amerikane për luftën më të rëndësishme dhe më të rrezikshme kundër Iranit në përpjekje për të ndryshuar sistemin e tij dhe për të eliminuar krahun e tij goditës në rajon, Hezbollahun.

Hezbollahu që mundi Izraelin në dy luftëra – luftën e parë për çlirimin e jugut të Libanit në vitin 2000 dhe të dytën në përgjigje të një sulmi izraelit në vitin 2006 – tani është në zemër të shënjestrimeve të reja amerikane dhe zë të njëjtin rang që pati zënë i ashtuquajturi “Shteti Islamik” apo “Daesh” gjatë tre viteve të kaluara në krye të strategjisë amerikane dhe të aleatëve të tyre në Tel Aviv.

Ka disa tregues në këtë drejtim, më i spikaturi i të cilëve kremtimet e papritura të 34-vjetorit të shpërthimit të bazës së marinsave amerikanë në Bejrut në vitin 1983, në të cilin janë vrarë 241 ushtarë amerikanë, si pasojë e një operacioni martirizues vetëvrasës të kryer nga një celulë e Hezbollahut.

***

Presidentët amerikanë të cilët kanë qeverisur para presidentit Donald Trump nuk e kujtuan këtë proces martirizimi dhe nuk e kremtuan atë, apo edhe të flisnin për të. Prandaj, cicërimat (tweet-et) e këtij të fundit, d.m.th. Trumpit, në të cilat ai tha se “vendi i tij nuk do t’i harrojë ushtarët amerikanë që u vranë në Bejrut nga duart e Hezbollahut”, ndërkohë që zëvendësi i tij Mike Pence shkoi më larg se kaq kur theksoi se “sulmi me bombë ndaj marinsave ishte shkëndija e parë për fillimin e luftës kundër terrorizmit… ne do ta transferojmë betejën në vendin e terroristëve dhe sipas kushteve tona”, duke pretenduar se “Hezbollah është një grup terrorist që konsiderohet si një agjent i Iranit, i cili është sponsori kryesor i terrorizmit në botë”, janë treguesi më i madh i qëllimit të përshkallëzimit me Iranin, si rrjedhojë edhe me Hezbollahun, dhe ndoshta Libani do të jetë arena e konfrontimit të vogël, për të kaluar në atë më të madhen, në mbarë rajonin.

Në harmoni me të njëjtin kor dhe në të njëjtën linjë, Avigdor Lieberman, ministri izraelit i Luftës, inicioi akuzat ndaj Sejid Hasan Nasrullah, liderit të Hezbollahut, duke pretenduar se ai ka dhënë urdhra “personalisht” për hedhjen e dy raketave të shtunën e kaluar në drejtim të Lartësive të pushtuara Golan dhe theksoi se “kjo punë është e qëllimshme dhe jo si rezultat i raketave të shkujdesura për shkak të konfrontimeve midis ushtrisë siriane dhe opozitës”.

Politika e përshkallëzimit e adoptuar aktualisht nga Trumpi kundër Iranit është “deklarim lufte”, refuzim i plotë i të gjitha llojeve të diplomacisë dhe adoptim i fjalëpërfjalshëm i politikave dhe qëndrimeve të Netanyahut. Ai e shprehu atë nëpërmjet fjalimit të tij në Kombet e Bashkuara muajin e kaluar dhe e përmblodhi atë duke thënë “ose tërhiqja nga marrëveshja bërthamore e Iranit, ose modifikimi i saj, ose edhe anulimi i saj”.

Jared Kushner, dhëndrri i Trumpit dhe këshilltari i tij i parë në politikën e jashtme, është një mik shumë i afërt me Netanyahun, ndërsa babai i tij është një nga mbështetësit më të mëdhenj të politikave të kolonizimeve izraelite në Bregun Perëndimor dhe, në përgjithësi, të Partisë Likud. Më e rëndësishmja nga të gjitha këto është fakti se ai, Kouchneri, është shumë i afërt me John Bolton, të cilin e konsideron, në një mënyrë apo në një tjetër, si një at shpirtëror. Ky i fundit ishte një nga skifterët më të shquar neo-konservatorë, mbështetës të Izraelit, që parashtruan dhe planifikuan agresionin kundër Irakut. Në kujtimet e tij, Bolton thotë: “Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ose duhet të privojë Iranin nga e drejta e tij për patur një program bërthamor, ose Uashingtoni duhet të zgjedhë opsionin e goditjes së tij”.

Shkurtimisht, ne mund të jemi në prag të luftës së tretë të Libanit dhe kërkimi për gjetjen e një preteksti për të ndezur fitilin e saj është në proces. Ndoshta edhe fjala e Lieberman-it për lëshimin e disa raketave nga Hezbollahu mbi Golanin e pushtuar dhe mohimi nga ana e udhëheqjes së ushtrisë izraelite, është njëri prej tyre. Fabrikimi izraelito-amerikan i preteksteve tashmë njihet botërisht dhe nuk ka nevojë për dëshmi – mjafton të përmendim vetëm gënjeshtrën e armëve të shkatërrimit në masë të Irakut.

Pyetja që qarkullon në qarqet ushtarake perëndimore është rreth mënyrës se si Izraeli do t’i hyjë kësaj lufte. A do të jetë si lufta e parë e vitit 1982, kur trupat dhe tanket e tij hynë dhe arritën deri në Bejrut? Apo do të ndjekë opsionin e luftës së dytë të vitin 2006, të mbështetet në epërsinë e tij ajrore e të shkatërrojë raketat dhe bazat ushtarake të Hezbollahut?

Ka analiza që flasin për një kombinim të të dy teorive – inkursionit tokësor dhe bombardimeve të intensifikuara ajrore. Por duket se Hezbollahu është i përgatitur mirë për to, pra, të lëshojë të gjitha raketat dhe predhat që posedon – të cilat, ka njerëz që vlerësojnë se Hezbollahu posedon më shumë se 150 mijë të tilla – në qytete dhe objektiva izraelite në thellësi të territoreve të pushtuara palestineze dhe, në të njëjtën kohë, të ndjekë stilin e luftës rraskapitëse të aplikuar nga forcat e Organizatës për Çlirimin e Palestinës dhe forcave aleate të saj – forcave kombëtare libaneze – duke e bërë koston e inkursionit izraelit shumë të kushtueshme në rang njerëzor dhe ushtarak.

Zhvillimi i ri, i cili mund të dallojë çdo luftë të re izraelite në Liban nga paraardhësja e saj është se ushtria libaneze nuk do të qëndrojë neutrale këtë herë dhe do të luftojë në krah të forcave Hezbollah, sepse ajo i detyrohet besnikëri kryesisht presidentit Aoun, aleatit më të afërt të Sejid Nasrullahit, doktrina e rrënjosur kombëtare luftarake e të cilës është të luftojë e të përballet me çdo agresion izraelit.

Izraeli ndjen shqetësim të fortë strategjik si pasojë e rritjes së pranisë ushtarake të Iranit në territorin sirian dhe qarkullimit të lajmeve në lidhje me synimin e tij për të ngritur bazë detare në Tartus dhe një tjetër ajrore në afërsi të aeroportit të Damaskut, që do të thotë se Garda Revolucionare Iraniane do të jetë në brigjet e Mesdheut. Pjesa tjetër e të njëjtit shqetësimi strategjik është prania e disa njësive që i përkasin Gardës Revolucionare në jug të Sirisë dhe përballë Lartësive të pushtuara të Golanit, gjë që e fut pllajën në rrezen e raketave të saj dhe raketave të Hezbollahut, gjithashtu.

***

Nëpërmjet përkrahësve të tij në Komisionin e Punëve të Jashtme të Kongresit Amerikan, Trump është duke punuar për nxjerrjen e një ligji për të vendosur në listën e terrorizmit të gjithë Hezbollahun – dhe jo vetëm krahun e tij ushtarak -, si dhe për vendosjen e sanksioneve të reja që përfshijnë të gjithë ata që bashkëpunojnë me të, apo që e financojnë atë, apo që kontribuojnë në rekrutimin në radhët e tij, si një hap thelbësor në politikën e përshkallëzimit që ai ka adoptuar aktualisht. Kjo është ajo që shpjegon “hapjen e papritur” të dosjes së sulmit të vitit 1983 mbi marinsat në Bejrut.

Fitimi i kësaj lufte nga Amerika dhe Izraeli nuk do të jetë gjë e lehtë. Nënshtrimi i Iranit ndaj presioneve amerikane për hapjen e negociatave të reja për ndryshimin e marrëveshjes bërthamore si një mënyrë për shmangien e saj, do të ishte një pretekst për ndezjen e fitilit të luftës, sepse Irani do ta konsideronte provokim këtë hap, madje edhe fyerje ndaj tij. Si rrjedhojë, ka të ngjarë që ta refuzojë atë, pasi supozohet se e ka mësuar mirë leksionin e kërkesave të përsëritura amerikane ndaj presidentit irakian Saddam Husein rreth armëve të shkatërrimit në masë që ai zotëronte, kërkesa të cilat çuan në shkatërrimin e tyre (pra, të armëve të shkatërrimit në masë) si dhe në shkatërrimin dhe pushtimin e Irakut pas tyre.

Ndiqni skenarin amerikano-izraelit dhe zbatimet e tij të pritshme në Liban… Do të ketë luftë… Kush thotë ndryshe nuk e njeh historinë moderne amerikane dhe ende nuk është i bindur se Trump është më i përfshirë në planet izraelite se sa ish-homologu i tij George W. Bush. Ditët janë mes nesh dhe ato kanë ç’të tregojnë./ pt

55