Në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë sot u nënshkrua memorandum për bashkëpunim mes Komitetit nacional për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe luftës kundër terrorizmit, Qendrës për veprim të përbashkët nga Shkupi dhe komunat e Çairit, Gostivarit dhe Kërçovës.

Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Suhejl Fazliu, theksoi se në kushte të globalizimit, proceseve dhe lëvizjeve asnjë vend nuk është i kursyer nga depërtimi i terrorizmit në truallin e tyre.

“Veçmas vendet si i yni, të cilat janë më të ndjeshme për shkak të multietnicitetit dhe multikonfesionalitetit nga njëra anë, si dhe për shkak të rreziqeve nga margjinalizimi dhe çështjeve të pazgjidhura ekzistenciale të disa kategorive nga ana tjetër”, theksoi Fazliu.

Ai theksoi se me rëndësi është që të punohet në bashkësitë lokale, veçmas në ato ku rreziqet janë më të shprehura.

Koordinatori nacional për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe luftës kundër terrorizmit, Borçe Petrevski në firmosjen e memorandumit deklaroi se fillojnë një proces të rëndësishëm për rezistencën e bashkësive lokale.

“Po fillojmë një proces të rëndësishëm, qëllimi i të cilit është forcimi i rezistencës së bashkësive lokale në aspektin e parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm”, deklaroi Petreski.

Në firmosjen e memorandumit për mirëkuptim për projektin “Përforcimi i rezistencës nga ekstremizmit i dhunshëm në bashkësitë lokale në Maqedoni” në emër të të gjithë kryetarëve të komunave të Çairit, Gostivarit dhe Kërçovës u adresua kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.

Ai tha se ekstremizmi i dhunshëm është diçka që nuk ka arsyetim dhe nuk duhet të identifikohet me ndonjë përkatësi etnike ose religjioze.

“Prandaj dua të theksoj se asnjë vend vet nuk mund t’i kundërvihet dhe të luftojë kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit. Diçka që para nesh e vendos misionin si të përbashkët në të gjitha nivelet”, tha Ganiu.

Strategjia nacionale për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm u miratua nga ana e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë më 6 mars të vitit 2018.

Burimi: AA

10