Fregata TCG ORUÇREİS (F-245) e Forcave Detare të Turqisë po viziton Shqipërinë, në kuadër të rritjes së bashkëpunimit ushtarak mes dy vendeve.

Sipas Ambasadës së Turqisë në Tiranë kjo fregatë mori pjesë në stërvitjen “Trident Juncture” të NATO-s që u zhvillua më 25 tetor-7 nëntor 2018 në Norvegji dhe gjatë kthimit për në Turqi po realizon vizitën në Portin e Durrësit.

Me rastin e vizitës, në mbrëmjen e 26 nëntorit u organizua një pritje në kuvertën e fregatës, ku morën pjesë i ngarkuari me punë në Ambasadën e Turqisë në Tiranë, Muammer Hakan Cengiz, përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë, drejtues të fregatës, ushtarakë turq dhe shqiptarë, si dhe shtetas turq që jetojnë në Shqipëri.

Fregata TCG ORUÇREİS (F-245) do të qëndrojë në Portin e Durrësit në datat 26-28 nëntor 2018, ndërsa më 27 nëntor do të e jetë e hapur për vizitorët në port.

Ndërkohë, kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, ka pritur në një takim komandantin e fregatës turke TCG ORUÇREİS (F-245), kapiten i rangut të parë, Ahmet Burak Adeli, i shoqëruar nga atasheu ushtarak i Republikës së Turqisë në Shqipëri, kolonel Şakir Cumhur Somer dhe oficerë të anijes.

“Komandanti i fregatës turke Ahmet Burak Adeli dhe anëtarët e tjerë të delegacionit i kanë shprehur kryebashkiakut Dako kënaqësinë e kësaj vizite në Durrës qytet i cili i ka lënë mbresë ushtarakëve turq. Ata kanë diskutuar me kryebashkiakun e Durrësit çështje që kanë të bëjnë me bashkëpunimin ushtarak në kuadër të NATO-s si dhe miqësinë që ekziston midis popullit shqiptar dhe atij turk. Kryebashkiaku Vangjush Dako i ka njohur ushtarakët turq me resurset e shumta që ofron qyteti i Durrësit në të gjitha planet”, thuhet në një njoftim nga Bashkia e Durrësit.

Fregata turke ka ardhur në Portin e Durrësit në zbatim të planit të bashkëpunimit ushtarak dypalësh për vitin 2018 midis Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Turqisë.

Kujtojmë se në Portin e Durrësit në mars të këtij viti qëndroi për vizitë nëndetësja turke TCG PREVEZE S 353, në kuadër të zhvillimit të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ushtarak midis Turqisë dhe Shqipërisë./ AA

35