Gjurmët e gishtërinjve të Izraelit gjenden në të gjithë konfliktin e përshkallëzuar të Indisë me Pakistanin

nga Robert Fisk.

Kur dëgjova raportimin e parë të lajmeve, mendova se ishte një sulm ajror izraelit në Gaza ose në Siri. Sulme ajrore mbi një “kamp terrorist” ishin fjalët e para. Një “komandë dhe qendër kontrolli” u shkatërrua, shumë “terroristë” u vranë. Ushtria u hakmor ndaj një “sulmi terrorist” kundër trupave të tij, na u tha.

Një bazë “xhihadi” islamike u eliminua. Pastaj dëgjova emrin Balakot dhe kuptova se nuk ishte as në Gaza, as në Siri dhe as në Liban, por në Pakistan. E çuditshme kjo. Si mundet që dukush të ngatërrojë Izraelin me Indinë?

E pra, të mos e lemë mendimimin që të na venitet. Dy mijë e pesëqind milje e ndajnë ministrinë e mbrojtjes izraelite në Tel Aviv me ministrinë indiane të mbrojtjes në Nju Delhi, megjithatë ka një arsye pse raportimet rreth tyre tingëllojnë kaq të ngjashme.

Për muaj me radhë, Izraeli ka qenë vazhdimisht i rreshtuar në krah të qeverisë nacionaliste BJP të Indisë, një koalicion i rrezikshëm si politikisht ashtu edhe “anti-islam”. Eshtë një aleancë e papranuar zyrtarisht për të cilën nuk flitet, ndërkohë vetë India është bërë tregu më i madh për shitjen e armëve izraelite.

Nuk ishte rastësi që shtypi indian i kushtoi vëmendje faktit se në bombarimet e forcave ajrore indiane kundër “terroristëve” të Jaish-e-Mohammed (JeM) brenda Pakistanit u përdorën “bomba të mençura” Rafael Spice-2000 të prodhimit Izraelit.

Ashtu sikurse mburrjet e shumta izraelite për goditjen e objektiva të ngjashme, aventura indiane në Pakistan ishte më tepër pjesë e imagjinatës sesa e një suksesi ushtarak. “300-400 terroristë” që thuhet se u eliminuan nga bombat e drejtuara me GPS të prodhimit izraelit, rezultuan të jenë diçka më shumë se gurë dhe pemë.

Megjithatë nuk pati asgjë te pabesueshme rreth sulmit të egër ndaj trupave indiane në Kashmir më 14 shkurt, sulm i cili u mor përsipër nga JeM, ku ngelën të vrarë 40 ushtarë indianë. Nuk pati madje as edhe ndaj rrëzimit të avionëve indianë këtë javë.

India ishte klienti më i madh i Izraelit në vitin 2017, me 530 milion paundë blerje në fushën e mbrojtjes ajrore, sistemeve të radarëve dhe municioneve të ndryshme, përfshirë ketu edhe raketat tokë-ajër, ku shumica e tyre jane testuar gjatë ofensivave ushtarake izraelite kundër palestinezëve dhe objektivave në Siri.

Ndërkohë që Izraeli përpiqet në anën tjetër të shpjegojë shitjet e vazhdueshme të tankeve, armëve dhe anijeve për diktaturën ushtarake të Myanmarit, vendet perëndimore kanë vendosur sanksione ndaj kësaj qeverie që po tenton të shkatërrojë popullatën e një pakicë vendase, muslimanëve Rohingya. Megjithatë tregtia e armëve të Izraelit me Indinë është e ligjshme dhe shumë e reklamuar nga të dyja palët.

Izraelitët kanë xhiruar ushtrime të përbashkëta midis njësive të tyre të “komandove speciale” dhe atyre të dërguara nga India për t’u trajnuar në shkretëtirën e Negev-it, përsëri me njohuri speciale izraelite që supozohet të jenë mësuar në Gaza dhe në luftimet e tjera kundër civilëve.

Të paktën 16 komando indiane “Garud”, pjesë e një delegacioni indian prej 45 ushtarakesh, ishin për një kohë të dislokuar në bazat ajrore Nevatim dhe Palmachim në Izrael. Në vizitën e tij të parë në Indi të vitit të kaluar që i parapriu një udhëtimi në Izrael të kryeministrit nacionalist indian Narendra Modi, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu rikujtoi sulmet islamike në Mumbai të vitit 2008 në të cilën u vranë gati 170 civilë.

“Indianët dhe izraelitët e njohin shumë mirë dhimbjen e sulmeve terroriste”, i tha ai Modit. “Ne rikujtojmë egërsinë e tmerrshme të Mumbait. Ne shtrënguam dhëmbët, u përgjigjëm, asnjëherë nuk dorëzohemi,” ishin disa nga fjalët e BJP-së.

Megjithatë, disa analistë indianë kanë paralajmëruar se zionizmi i djathtë dhe nacionalizmi i krahut të djathtë i Modit nuk duhet të bëhen gur themeli i marrëdhënieve mes dy vendeve, që në mënyra të ndryshme nga njëri tjetri, të dy vendet luftuan kundër Perandorisë Britanike.

Studiuesja nga Brukseli, Shairee Malhotra, shkrimet e së cilës janë publikuar në gazetën izraelite Haaretz, ka theksuar se India ka popullsinë e tretë myslimane në botë pas Indonezisë dhe Pakistanit, gati mbi 180 milion. “Marrëdhënia Indi-Izrael është duke u përkufizuar në një konvergjencë natyrore të ideve midis partive të tyre në pushtet BJP dhe Likud”, shkruante ajo vitin e kaluar.

Nacionalistët hindu kanë ndërtuar një “histori të tyren se historikisht kanë qenë viktima në duart e muslimanëve”, një ide tërheqëse për ata hindu që rikujtojnë ndarjen dhe marrëdhëniet e vazhdueshme të trazuara me Pakistanin.

Në fakt, ashtu sikurse Malhotra thekson në Haaretz “, admiruesit më të mëdhenj të Izraelit në Indi duket se janë ‘hindut e internetit’ të cilët e duan Izraelin kryesisht për mënyrën se si sillet me Palestinën dhe lufton kundër muslimanëve.”

Malhotra e ka shprehur një kundërshti të fortë kundër profesorit Vivek Dehejia të Universitetit Carleton për thirrjet e tij për një aleance “trepalëshe” midis Indisë, Izraelit dhe SHBA-së, pasi që të gjithë këto vende kanë vuajtur “nga fshikullimi i terrorizmit islamik”.

Në fakt, deri në fund të vitit 2016, vetëm 23 burra nga India kishin dalë për të luftuar për ISIS-in në botën arabe, edhe pse Belgjika, me një popullsi prej vetëm gjysmë milioni muslimanë, prodhoi afro 500 luftëtarë.

Argumenti i Malhotras është se marrëdhënia indiano-izraelite duhet të jetë me tepër pragmatike sesa ideologjike.
Megjithatë nuk është e vështirë të dallohet se si nacionalizmi zionist përlyehet me nacionalizmin hindu në një kohë që Izraeli po furnizon me kaq shumë armë Indinë.

Nënshkrimi ndaj “luftës kundër terrorit”, veçanërisht “terrorit islamik”, mund të duket i natyrshëm për dy shtete të ngritura në ndarjet koloniale, siguria e të cilave kërcënohet nga fqinjët myslimanë.

Në të dyja rastet, lufta e tyre lidhet me të drejtën për të zotëruar ose për të pushtuar territor. Izraeli, India dhe Pakistani kanë armë bërthamore. Një arsye tjetër e mirë për të mos lejuar që Palestina dhe Kashmiri të ngatërrohen së bashku. Dhe për të lënë 180 milionë myslimanët e Indisë vetëm./independent/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne