Për herë të parë pas më shumë se një shekulli, në Athinë dhe Selanik të Greqisë do të hapen varreza për muslimanët.

Kërkesa që për çdo vend europian do të tingëllonte tashmë si e kapërcyer, në Greqi shfaqet si një çështje e mprehtë sociale, me projeksione politike.

Ndaj dhe për këtë arsye, kërkesa për zgjidhjen përfundimtare të këtij ngërçi u bë prej 34 deputetëve të partisë Syriza. Nëpërmjet një letre drejtuar ministrive përkatëse, 34 deputetë i kërkojnë qeverisë hapjen urgjente të varrezave të posaçme për muslimanët, dhe dhënien e mundësisë për të kryer rritet ndaj të vdekurve të kësaj popullsie, çka sipas tyre vë në vend dinjitetin e bashkëqytetarëve të një besimi jo ortodoks, për më tepër do të jetë një hap në drejtim të përmirësimit të imazhit demokratik të një vendi anëtar të BE siç është Greqia.

Në letër thuhet se ka ardhur koha që muslimanët t’i varrosin të vdekurit në vendin që ata duan, me respektin dhe dinjitetin e duhur. Për këtë ata kërkojnë akordimin e menjëhershëm të një sipërfaqe në varrezën e Athinës, në vendin e quajtur “skisto”, si dhe në varrezën bashkiake të Selanikut.

Kërkesa që deri pak kohë më parë do të quhej herezi prej kishës vendase, por edhe prej opinionit, erdhi si pasojë e nevojës emergjente për krijimin e vendeve të posaçme ku do të varrosen të vdekurit muslimanë, por edhe si nevojë për hapjen e xhamive dhe faltoreve për mijëra muslimanë që jetojnë në qytetet e mëdha të vendit.

Duket se kërkesa e deputetëve ka marrë dhe konsensusin e kishës greke, e cila pak kohë më parë ka rënë dakord për dhënien e sipërfaqes në fjalë.

Deri në fillimin e shek. të 20-të, në Greqi kishte edhe xhami edhe varreza për muslimanët, por mbas viteve ’40-të, Athina zyrtare ka ndjekur linjën e ashpër kundrejt komunitetit musliman që jeton në qytetet e mëdha të vendit, duke mohuar të drejtat e tyre njerëzore dhe kushtetuese. Madje, jo pak herë Athina ka konfrontuar imazhin e saj, jo vetëm para botës demokratike por edhe para vendeve muslimane, me të cilat ruan marrëdhënie të mira tradicionale.

Deri tani, në qytetet e mëdha të Greqisë, muslimanët i kryejnë ritet e tyre fetare nëpër bodrume dhe magazina të përshtatura si xhami, ndërsa të vdekurit dërgoheshin për tu varrosur me ritet muslimane në zonën e Trakës dhe Komotinisë, zona në të cilët jeton një komunitet musliman, ose trupi i të ndjerit dërgohej me avion në vendin e origjinës, kundrejt vlerave të mëdha monetare.

25