Haradinaj i kujton Mimoza Kusarit vallëzimin para Gaddafi-t

Një vizitë e Behgjet Pacollit me një “delegacion” të madh prej 128 vetash, vazhdon të mbetet një nga anekdotat tërheqëse në politikën kosovare. Në vitin 2010 Libia ende udhëhiqej nga diktatori Gaddafi, një kolonel i shkolluar në Jugosllavi.

Kjo vizitë u aktualizua dje nga kryeministri Ramush Haradinaj, i cili bashkëpunëtores së dikurshme të Pacollit, Mimoza Kusarit, i kujtoi vallëzimin para diktatorit. Por, gjatë përplasjes, shefi i Qeverisë sikur harroi t’ia kujtojë publikut, që vizitën te Gaddafi e kishte sponsorizuar zëvendësi aktual i tij, Behgjet Pacolli.

Një vizitë në kontinentin e nxehtë afrikan e realizuar në vitin 2010 vazhdon të prodhojë debate të nxehta në skenën politike të Kosovës. Udhëtimi që ishte sponsorizuar nga kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, i cili kishte dërguar rreth 130 veta në Tripoli, përfshirë shumë bashkëpunëtorë të tij, e më pas edhe në vendlindjen e Gaddaffit, kishte për qëllimin të animonte diktatorin libian me zhvillimet në Kosovë. Më saktësisht atje kërkohej njohja e pavarësisë së Kosovës.

Por, jo gjithçka kishte shkuar si duhet. Diktatori libian botërisht njihej për teket e tij. Ai i kishte kërkuar delegacionit që të vallëzojnë pandërprerë. Pas kthimit nga Tripoli pjesëmarrësit e “pelegrinazhit” në Libi kishin zbuluar detaje të udhëtimit të famshëm.

E vizita nuk u kishte shpëtuar edhe mediave ndërkombëtare. Gazeta “The Economist” kishte raportuar rreth episodit poshtërues të vitit 2010, të delegacionit të AKR-së në Libi.

“Në Ballkan u diskutua gjatë kur Pacolli dërgoi një delegacion të madh të kosovarëve në Libi, si pjesë e përpjekjes për t’ia ndryshuar orientimin pro-serb, dhe për ta bërë atë që të njohë pavarësinë e Kosovës. Në një pikë të agjendës, i gjithë delegacioni u dërgua në mes të shkretëtirës për ta takuar liderin libian.

Me të arritur, Gadafi urdhëroi ata që të këndonin dhe të kërcenin. Kur ata u lodhën dhe u ndalën, u qortuan nga një ndihmës. Më vonë koloneli i mirë u tha se mund të ndalonin, para se t’i linte për të shtuar se ai kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës derisa liderët e tyre vazhdojnë të mbesin kukulla të Amerikës. Me këtë kosovarët e poshtëruar u kthyen në shtëpi”, shkruante Economist.

E në Kosovë, i gjithë vallëzimi identifikohej me Mimoza Kusari –Lilën, pavarësisht se atje Pacollin e shoqëronin pothuaj të gjithë këshilltarët e tij. Kusari -Lila disa herë është detyruar të japë shpjegime rreth vallëzimit të famshëm në Libi me muzikë të Shkëlzen Jetishit.

Por kjo vizitë u aktualizua dje, pikërisht nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në foltoren e Kuvendit.

Krejt kjo ndodhi kur Mimoza Kusari – Lila adresoi kritika ndaj Haradinajt për zotimet që ai i ka bërë para se të vijë në krye të ekzekutivit dhe që, sipas saj, nuk po sheh progres.
Haradinaj i tha Kusari – Lilës se ajo do të njihet për vallëzimin para Gadafit, dhe se vetë ai do të njihet për punën që e bën në Kosovë.

“Unë nuk di të kërcej para Gadafit, por di të punoj në vendin tem”, ka thënë Haradinaj.

Sidoqoftë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, po harron se në kabinetin e tij qeverisës e ka zëvendës të tij Behgjet Pacollin, zyrtar ky i cili ishte organizator i lobimit në Libi e edhe pjesëmarrës në vallen para Gadaffit, për të cilin veprim e përqeshi kryetaren e Alternativës.

Thuhet se delegacioni atëkohë kishte marrë porosi në fillim që të mos i merrnin me vete telefonat dhe aparatet fotografike, për faktin se përdorimi i tyre nuk ishte i lejuar brenda tendës së Gaddafit. Libia ka njohur Kosovën në vitin 2013 pas rënies së diktatorit.

 

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne