Haradinaj: Ushtri si çdo ushtri e botës, asgjë ‘mangu’ nuk ka

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se ushtria e Kosovës nuk e ka asnjë element më të vogël në mandat se sa ushtritë e vendeve në botë dhe është mbrojtëse.

Haradinaj gjatë takimit me strukturat e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Obiliq, tha se janë duke punuar intensivisht që liberalizimi i vizave të ndodhë brenda këtij viti.

Ai përmendi edhe Ligjin për Paga, për të cilin tha se ka një kosto prej 80 milionë eurosh. Kurse, sa i përket Ushtrisë së Kosovës, Haradinaj tha se kjo ushtri nuk ka asnjë element që i mungon nga ushtritë e vendeve të tjera.

Sipas tij, ushtria ka deklaratë financiare, buxhet të paraparë dhe dinamiken e vet.

Kryeministri Haradinaj po ashtu u zotua para anëtarëve të AAK-së se asnjëherë nuk do ta dëmtojnë vendin për interesa të partisë.

I pranishëm ishte edhe ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, tha se shteti nuk mund të zhvillohet pa infrastrukturë të zhvilluar dhe njoftoi se vetëm këtë vit janë investuar afro 3 milionë e gjysmë euro në infrastrukturën e komunës së Obiliqit. Ai përmendi edhe disa nga investimet që ka bërë ministria që ai drejton.

Kurse, kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi ka thënë se me pesë milionët që do të fitojë nga Ligji i Obiliqit, katër milionë prej tyre do të shkojnë në projekte kapitale, kurse pjesa tjetër për subvencione, mallra e shërbime.

Ndër të tjerash, Gashi tha se prej tetë bursash sa ofronte kjo komunë për studentët, tani ka arritur në 169.

Prej tyre, 2 bursa do të ndahen për doktoraturë, 6 për mastër, 100 për studentë, 60 për nxënës të shkollave të mesme, si dhe çmimi “Adem Preniqi” për studentin më të mirë të kësaj komune.

Përndryshe, gjatë ditës së sotme Haradinaj ka marrë pjesë në përurimin e fillimit të punimeve të sheshit “Adem Preniqi” në Obiliq.

Ky shesh, me një hapësirë prej 10600 metrash katrorë ka një buxhet afro 1 milionë e 200 mijë euro.

[youtube https://www.youtube.com/watch?v=KoFbbxEbHX0]
Temat:

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne