Më 15 janar 1993 në Palermo u arrestua shefi historik i Cosa Nostras siciliane, krimineli më i kërkuar në botë deri atëherë, Salvatore Riina. Ky i fundit është cilësuar edhe si mafiozi më i madh që ka pasur historia e mafias. Arrestimi i tij erdhi si rezultat i një hetimi të karabinierisë, Palermos dhe konkretisht i një skuadre speciale, në krye të të cilës ishte kapiteni Serxho De Kaprio, i mbiquajtur “Ultimo”, që do të finalizohej me kapjen e bosit të bosëve. Pas arrestimit të Riinas, falë punës së karabinierisë, Policisë dhe sidomos Prokurorisë së Palermos e Kaltanisetas do të bëhej e mundur identifikimi dhe kapja e të tjerë shefave mafiozë si Benedeto Santapaola, Leoluka Bagarela, Xhovani Bruska, Pietro Alieri, Salvatore Kancemi, Antonino Xhufre, Rafaele Ganci, Bernardo Provencano, Salvatore Lo Pikolo, etj.

Jeta e Riinës
Rreth jetës së Salvatore Riinës dhe familjes së tij, ende ka mistere. Për jetën dhe veprimtarinë e tij janë bërë shumë filma, ku më i spikaturi ka qenë seriali “Il capo dei capi”. Riina lindi në fshatin Korleone në vitin 1930 dhe veprimtaria e tij si “njeri i nderuar” fillon një ditë vere të vitit 1958, kur në afërsi të fshatit të tij, Luciano Lixho, masakron me plumba mitralozi, drejtorin e spitalit, doktorin Mikele Navarra, i cili ishte shefi i mafies në vend. Në krah të Lixhos, qëlluan edhe një grup të rinjsh, midis të cilëve ishte edhe Salvatore Riina. Fillimisht Riina ishte mëkëmbës i Lixhos, shef i plotfuqishëm i Mafies Korleoneze, i cili zëvendësoi Navarren. Gjatë kësaj kohe ai ka bashkëpunuar me Bernardo Provencanon.

Salvatore Riina fillon të bëhet shumë i pushtetshëm pas rënies së bosit të “korleonezëve”, Luciano Lixho, i cili arrestohet në maj të vitit l974. Pushteti i don Toto-s, sikundër zbulojnë disa të penduar, arrin deri në SHBA ku në pak vite, bosi korleonez ia arrin të lidhë aleanca me disa nga “familjet” më të pushtetshme të Cosa Nostras amerikane.

Për pushtetin e Riinas, fliste në hetimet e tij edhe prokurori Xhovani Falkone. Këtë e bën pas rikthimit nga udhëtimi i shkurtër në SHBA, ku kishte shkuar për të takuar prokurorin e Neë Yorkut, Rudolf Xhuliani dhe prokurorin e Manhattanit, Ricard Martin.
“Por shefi i Cosa Nostras nuk ishte më Luciano Lixho, por Salvatore Riina. Është ai, që nga vendi i arratisjes, drejtonte trafiqet më të mëdha të drogës në gjysmën e Botës. Dhe është gjithmonë ai prapa çdo ngjarje të përgjakshme” kishte shkruar Falkone.

Ngjitja
Hetuesit shpjegojnë shkallën e ngjitjes zyrtare të Toto Riina-s në majat e Cosa Nostras, e cila arrin kulimin në vitin l981. Është viti i fillimit të luftës së familjeve mafioze me njëra-tjetrën për pushtet. Nga njëra anë është klani i “korleonezëve” dhe nga ana tjetër bosët Gaetano Badalamenti, Stefano Bontade dhe Salvatore Inzerilo, që përfaqësonin mafien palermitane. Në më pak se dhjetë vjet, kronistët përshkruajnë skenat e një çmendurie të vërtetë, të kryer ndërmjet qytetit dhe provincës.

“Është luftë “familjesh” që përballen me interesa. Vriten ndërmjet tyre. Pas disa muajsh do të vijë paqja dhe gjithçka do të kthehet si më parë. Në se për momentin qëllohet, është vetëm problem aleancash dhe ndarje territoresh. Me arritjen e marrëveshjes, gjithçka do të harrohet”, shkruajnë hetuesit. Duken optimistë.

Nuk imagjinojnë se shpejtë do të duhet të merren me “korleonezët”, këtë grup mafiozësh me origjinë nga Korleone, që bosët palermitanë do t’i përcaktojnë si “fshatarë”, domethënë ata që vijnë nga fshati. Të parët që do të japin sinjalet e luftës me “korleonezët”, janë don Gaetano Badalamenti, bosi historik i Cinisi-t, Tomazo Busheta, i “familjes” Porta Nuova dhe Stefano Bontade, që në ambientet e Cosa Nostras quhej “Princi” i Villagrazia. Është fillimi i viteve ’80. I pari që përfundon në shënjestrën e armëve të zjarrit të vrasësve të Toto Riina-s është Stefano Bontade. Është mbrëmja e 23 prillit 1981. Bontade vritet në Rrugën “Aloi”, një rrugë që kryqëzohet me atë “Regione Siciliana”. Policët e sektorit të policisë kriminale gjejnë trupin e Bontades brenda në Alfa Romeon e tij. Fytyra e bosit është shpërfytyruar nga një numër i madh plumbash. Pak do t’i kishte shërbyer pistoleta kalibër 7,65, me karikatorin e dyfishtë në rripin e pantallonave. “Vrasja e Stefano Bontades ishte vendosur me siguri nga “korleonezët”, në bashkëpunim me persona të tjerë të afërt te Bontade-s”, do të thoshte ish bosi Tomazo Busheta në vitin l984, kur ai do të fillonte bashkëpunimin me drejtësinë palermitane. Dy burgime të përjetshme jepen për këtë vrasje, që do të sinjalizonte fillimin e “luftës” ndërmjet “familjeve” palermitane dhe atyre “korleoneze”.

Për këtë vrasje Riina dënohet me burgim të përjetshëm, ndërsa njëzetë e pesë bashkëpunëtorë të tjerë të prezumuar të tij, ndër të cilët “korleonezi” Bernardo Provencano, marrin pafajësi. Por në vitet e para ’90, do të arrijnë zbulimet e të penduarve dhe çështja e vrasjes së Bontades do të rihapet. Do të tregojnë detaje para prokurorëve palermitanë të penduarit Gaspare Mutolo dhe Xhuzepe Markeze, të cilët sqarojnë detajet mbi eliminimin e Stefano Bontade-s: “Stefano e paguan me jetë projektin për një komplot kundër Riina-s”. Dhe ishte vërtetë i sigurt don Toto Riina që në harkun e pak viteve do të arrinte në majën e Cosa Nostras. Ai do të thoshte para bashkëpunëtoreve të tij se: “Është vetëm çështje kohe, mjafton të detyrohen disa familje palermitane të bashkohen me ne dhe ajo që mbetet do të jetë vetëm një lojë fëmijësh”. Fjalë profetike këto të Toto Riina-s: do të kalonte të gjitha pengesat duke masakruar dhe eliminuar “armiqtë”.
Vrasjet e dukshme

Në projektet e Riina-s nuk parashikohej vetëm vrasja, apo thjeshtë ekzekutimi mafioz. Objektivi i tij ishte të vritet në mënyrë të dukshme, të jepen sinjale, te cilat nuk lenë shteg për ekuivoke, në mënyrë që të gjithë të kuptojnë. Për të nuk mund të kishte “familje” neutrale: “Nëse nuk janë me mua, janë armiq”, thoshte shefi i “korleonezëve”, ndërsa vendoste dënimin me vdekje te Stefano Bontade-s. Të njëjtin fund si Bontade, do të kishte Salvatore Inzerilo, shef i mafies së lagjes palermitane te “Passo di Rigano”. Tetëmbëdhjetë ditë pas vrasjes së Bontades, do të ndodhte pusia kundër Inzerilos. Është 11 maj 1981. Kishte kaluar pak nga ora 12.20, kur zëri i një njeriu anonim do të njoftojë policinë se në Rrugën “Bruneleski” është kufoma e një njeriu. Kur agjentët e seksionit të vrasjeve të policisë kriminale arrijnë në vendin e saktësuar nga telefonisti misterioz, do të gjejnë trupin e Salvatore Inzerilos. Në gjoks kishte një revolver 357 Magnum. Fytyra e bosit nuk mund të njihej, e shpërfytyruar nga plumbat.

“Dhe janë dy”, thonë hetuesit. Policia dhe karabinierët i kanë vendosur në një relacion të dy vrasjet dhe kuptojnë shpejtë se të dy bosët palermitanë janë vrarë nga “korleonezët”, sepse të dyja vrasjet bënin pjesë në të njëjtin projekt kriminal: vrasja Bontade lexohet së bashku me atë te Inzerilos. Ata do të eliminoheshin sepse “janë elementë pengues në ngjitjen e Riina-s”. Edhe për vrasjen e Inzerilos do të hetohen dhe dërgohen në gjyq rreth tridhjetë mafiozë, ndër të cilët i zakonshmi Toto Riina.

Por megjithatë çmenduria nuk ndalon këtu. I penduari Mutolo do të flasë rreth vrasjes së shefit te tij Rosario Rikobono i “familjes Partanna-Mondello dhe gjashtë personave të tjerë. Mutolo tregon para hetuesve se grupi i lidhur me Riçobonon, më parë do të mbytet me litar dhe pastaj trupat e tyre do të shuhen në acid. Një vrasje e paralajmëruar kjo e Rikobono-s. Toto Riina nuk do t’a kishte falur kurrë vendimin për shkëputje nga “korleonezët”. Riina dhe Provencano kishin mbërthyer sytë mbi Palermon dhe mbi një numër të madh biznesesh që nga kryeqendra siciliane gërshetoheshin me pjesën tjetër të botës, mbi të gjitha për trafikun e drogës, si dhe miliona dollarët e “kombinuar” me SHBA, Amerikën e Jugut dhe Italinë.

Të njëjtin fat si Rikobono do të prisnin të gjithë bosët e tjerë “jo besnikë”. Masakrohen Filipo Markeze, shef i familjes “Corso dei Mille”, Pino Greko, Mario Prestifilipo dhe Pietro Mesikati Vitale. Por janë vetëm disa nga një numër i madh njerëzish të mafies të vrarë me urdhër te don Toto Riina. Njëri nga të fundit “njerëz të nderuar” të eliminuar me urdhër të don Toto Riina, do të ishte Xhovani Bontade, vëllai i Stefano Bontades, i cili asgjesohet bashkë me gruan e tij. Do të eliminonte me të vërtetë çfarëdolloj pengese don Toto Riina. Atje ku nuk arrinte vetë “delegonte” njeriun që, – sikundër shprehet prokurori Xhovani Tinebra- ishte gjithmonë në një nivel me të: Bernardo Provencano, që me Riinan kishin qenë të preferuarit e Luciano Lixhos. “Sipërmarrja të vret”, titulloheshin faqet e para të gazetave siçiliane në vitet ’70. Është pikërisht kështu, kush kundërshtonte sistemin rreth të cilit xhironin dhjetëra miliarda rrezikonte të zhdukej nga qarkullimi. Janë vite të korrupsionit, ku xhironin dhe pastroheshin para rreth qindra miliona në veprimtari të ligjshme në dukje. Janë të penduarit që shpjegojnë para magjistratëve palermitanë, se cilat ishin mekanizmat e përdorura për dhënien e sipërmarrjeve publike. Ata flasin edhe për rregullin e 15 përqindshit, një shifër fikse, një metaforë, që nënvizon rregullin lidhur me veprimtarinë e sipërmarrjes. Në thelb, një sistem ryshfeti që për shume vite kishte mbajtur të shtrënguar ekuilibrat ndërmjet politikanëve të korruptuar, afaristëve dhe majës së Cosa Nostras me në krye Toto Riina.

Bosi i Cosa Nostrës, do të ishte urdhëruesi direkt edhe i vrasjes së njerëzve të institucioneve që do ta pengonin në rrugën e tij kriminale, si gjyqtari Gaetano Costa, prokurorët Roko Kinici, Xhovani Falkone, Paolo Borsellino, punonjësit e policisë dhe karabinierisë, gjenerali Karlo Alberto Dala Kieza, Emanuele Bazile, Nini Kasara, Boris Giuliano, Xhuzepe Montana e shumë e shumë të tjerë.

53