Historia e misionarëve të krishterë të Kanadasë

Për më shumë se një shekull kanadezët kanë shkuar jashtë vendit për të bërë “mirë” në pjesët më të varfra të botës. Edhe nëse kanë nxitur ndryshime pozitive apo thjesht janë bërë agjentë të huaj, sidoqoftë të dyja rastet duhet të jenë me interes për organizatat joqeveritare ndërkombëtare.

Javën e kaluar Globe dhe Mail raportuan për të krishterët kanadezë që u nisën për të konvertuar në Kinë në vitin 1891. E fokusuar mbi arritjet e tyre mjekësore, historia lavdëruese hodhi dritë në një anë të errët të punës së tyre. Ajo citoi një misionar i cili ishte “kritik ndaj mënyrës së jetesës që udhëhiqte shumicën e misionarëve, me shtëpitë e tyre të mëdha, me shumë shërbëtorë dhe me komoditetet e importuara, të cilat ishin në kundërshtim me standardin e ulët të jetesës së të krishterëve kinezë”.

Më me rëndësi sesa pasuria e tyre ishte mbështetja në mënyrë agresive e misionarëve kanadezë për zyrtarët kolonialë, gjë që e zbulova duke studiuar Kanadaja në Afrikë: 300 vite ndihmë dhe shfrytëzim. Deri në fund të periudhës koloniale, 2.500 misionarë kanadezë po konvertonin në Afrikë, dhe kishat kanadeze mblidhnin shuma të mëdha për të mbështetur stacionet e misionit në të gjithë kontinentin.

Katër etër jezuitë nga Kebeku u nisën për në Misionin e Zambisë në Afrikën Jugore në vitin 1883. Alfons Denjo (Alphonse Daignault) u rrit në radhët e famullisë së meshkujve katolikë për t’u bërë Prefekti Apostolik i Rodezisë Veriore (Zambisë). Më pas, Kreu i Misionit të Jezuitëve në Zambi mbështeti pushtimin e Mashonalandit (Zimbabves) nga Kompania Britanike e Afrikës së Jugut në vitin 1890. Meqë evangjelizimi i tyre u shmang nga Ndebeletë e Zimbabves, jezuitët dhe misionarët e tjerë të huaj mbështetën “shkatërrimin e sistemit Ndebele.”

Duke marrë privilegjin nga Londra në vitin 1889, Cecil Rhodes i Kompanisë Britanike të Afrikës së Jugut, i ofroi Kimberleit (Afrikë e Jugut) burra të bardhë, 3,000 hektarë tokë si dhe të drejtat e minierave, nëse ata bashkoheshin me luftën e Kompanisë për të pushtuar një pjesë të Zimbabves së sotme. Denjo i ofroi forcave pushtuese shërbimet ushtarake, ambulancat e lëvizshme dhe infermierët. Kompania Britanike e Afrikës së Jugut (BSA) pagoi shpenzimet e infermierëve të jezuitëve dhe e kompensoi misionin e Denjosë me ​​territorin e pushtuar, duke përfshirë një pjesë të madhe toke në periferi të Hararës së sotme. Në Një Histori e Misioneve të Krishtera në Zimbabve, C.J.M. Zvobgo shkruan se ferma e Hararës, e cila përbëhej nga 12,000 hektarë, e rrethuar bukur me kodra, iu dha Jezuitëve nga kompania BSA në këmbim të shërbimit të Alfons Denjosë për të sëmurët [e kompanisë].”

Udhëheqësi jezuit i Kebekut punoi me Rodezin (Cecil Rhodes) dhe me zyrtarët britanikë për vite me rradhë. Ai gjithashtu mbështeti përpjekjet e autoriteteve koloniale për t’i kaluar afrikanët nga ekonomitë e tyre tradicionale në punën me pagë. Duke reflektuar qëndrimin e komunitetit të kolonizuesve në vitin 1897, Denjoi i tha zv/administratorit të qytetit të Bulauajos në vitin 1897 se “banorët e këtij vendi … janë thjesht fëmijë të rritur” të prirur për “përtaci”. “Njerëzit me autoritet që kanë në zemër interesat e vërteta të vendasve, jo vetëm që duhet t’i trajtojnë vendasit si fëmijë, por gjithashtu duhet të bëjnë gjithçka që munden për t’i bërë ata të fitojnë zakonet e punës. Meqenëse kjo nuk mund të arrihet thjesht me bindje morale, duhet domosdoshmërisht të përdoret autoriteti.”

Në veri, dhjetëra misionarë kanadezë ndihmuan autoritetin kolonial të depërtonte në shoqëritë e Ugandës në fillim të viteve 1900. Figura kryesore ishte Xhon Forbz (John Forbes), i cili ishte peshkop dhe misionar i kishës katolike, duke u bërë i dyti në krye të mbi 30 posteve të misionit në Ugandë. Një biografi e vitit 1929 e themeluesit të Atit të Bardhë në Kanada përshkruan “marrëdhëniet e mira” të tij me autoritetet koloniale britanike, dhe “shërbimet e rëndësishme që Forbz i bëri autoriteteve të Protektoratit”.

Në vitin 1918, Forbz mori pjesë në një konferencë të madhe në koloni, të organizuar nga Guvernatori Robert Korindon (Coryndon), me shpresën e nxitjes së punës me pagë të indigjenëve. Vendasit e provincës së Vodrolit në Kebek shkruan se “ekziston një pikëpyetje të madhe. Kultivuesit evropianë në zonën tonë, të cilët kultivojnë kafe, pambuk dhe gomë, kanë nevojë për punëtorë për shfrytëzimin e tyre. Por fuqia punëtore është e rrallë. Zezakët tanë janë të lumtur të hanë banane, dhe për pak copë pambuku apo leshi për rroba, nuk e kanë me aq qejf të vihen në shërbim të kultivuesve dhe të punojnë gjatë gjithë ditës për një rrogë të vogël.” Zyrtarët britanikë subvencionuan shkollat ​​e Etërve të Bardhë si pjesë e një përpjekjeje për të zgjeruar fuqinë punëtore vendase.

Gjatë Luftës së Parë Botërore, Etërit e Bardhë të Kanadasë, Ernest Paradis dhe Uillfred (Wilfred) Sarrazin ndihmuan gjeneralin e brigadës, Eduard Northi (Edward Northey) të pushtonte Afrikën Lindore Gjermane. Duke shërbyer si oficerë të transportit civil, Paradis dhe Sarrazin u përqëndruan në organizimin e transportuesve afrikanë, të cilët në përgjithësi ishin futur me zor në shërbim. Paradis u bë Zyrtar i Lartë i Transportit për të gjitha forcat britanike në lindje të Niasalandit, në veri të Zambisë.

Duke dalë vullnetarë për t’u bashkuar me luftën, Etërit e Bardhë kërkonin “respekt … në sytë e kultivuesve dhe zyrtarëve qeveritarë”. Më pas, Paradis e përdori statusin e tij të rritur për të fituar mbështetjen e administratës koloniale për punën edukative të Etërve të Bardhë.

Paradis konvertoi në Malavi për disa dekada. Ai e udhëhoqi fushatën e Etërve të Bardhë për të zhdukur “Njaun”, një besim fetar të njerëzve Çiua (Chewa) dhe Njanja (Nyanja) që përfshinte valle të përpunuara. Në maj të vitit 1929 Paradis shkroi një artikull për Afrikën Lindore me titull “Djajtë Kërcimtarë të Terrorit”, ku pretendonte se vallet e Njaut ishin provokuese.

Një tjetër misionar kanadez i angazhuar në përpjekjet e Etërve të Bardhë për të nxjerrë të jashtëligjshme zakonet e Njaut në Njasaland, Ati Superior Devid Roj (David Roy), u bëri thirrje zyrtarëve kolonialë që të kriminalizonin vallet e tyre, dhe në vitin 1928, të krishterët në rrethin e Likunit që mbikëqyrte Roj, vranë dy Njau.

Tomas Uestgejt (Thomas Buchanan Reginald Westgate) ishte një misionar kanadez i cili u bashkua me Shoqatën Misionare të Kishës në Afrikën Lindore Gjermane në vitin 1902. Me mbështetjen e degës së Ontarios të Shoqërisë së Misionit të Kishës, Uestgejt mbeti në Tanzani për më shumë se një dekadë. Misionari i lindur në Uatford, Ontario, përktheu pjesë të Testamentit të Vjetër nw Sigogisht, gjuha e folur nga kombi Gogo në rajonin qëndror të kolonisë.

Uestgejt ka punuar me administratën koloniale. Djali i tij, Uillfrid Uestgejt (Wilfrid Westgate), shkroi një libër për jetën e babait të tij me titull T. B. R. Westgate: Një misionar kanadez në tre kontinente. Në biografi, Uestgejt shkruan: “Guvernatori [Heinrich] Schnee e pa misionin si një pasuri për këtë pjesë të perandorisë koloniale gjermane.” Ushtarët gjermanë mbrojtën vendin e misionit të Kanadasë kur populli u ngrit në vitin 1905 kundër autoritetit kolonial. Disidenca u nxit nga masat që detyronin afrikanët të shtonin sasinë e pambukut për eksport, dhe një kryengritje e njohur si rebelimi Maxhi Maxhi përfshiu gjithë koloninë e madhe. Ajo zgjati dy vjet. Gjatë rebelimit, Uestgejt u koordinua me kapitenin gjerman Hirsch. Gruaja e Uestgejt, Rita, më vonë shkroi: “herë pas here kishim frikë se mos gjermanët nuk do mund ta shtypnin kryengritjen.” Megjithatë, gjermanët ia dolën dhe ajo që i frikësohej Uestgejt nuk ndodhi. Në Spektri i Gjenocidit: Vrasjet Masive në Perspektivën Historike, Isabel Hull shkruan se 15 evropianë dhe 389 ushtarë afrikanë aleatë u vranë nga rebelët. Përkundrazi, shkruan Hull, të gjitha zonat e kolonisë ishin shpopulluar me 200,000 deri në 300,000 tanzanianë të vrarë mes viteve 1905 – 1907.

Një tjetër zonjë nga Ontario me emrin Marion Uitiç (Wittich, më vonë Marion Keller) u thirr në punën misionare ndërsa punonte si një mësuese anglikane në Peri Saund (Parry Sound), Ontario. Ajo u nis me burrin e saj për të konvertuar në Tanzani në vitin 1913. Burri i saj vdiq në Tanzani dhe disa vite më vonë ajo u martua me një burrë me emrin Otto Keller, një emigrant gjerman i lindur në SHBA, të cilin Asambleja Pentekostale e Kanadasë e sponsorizoi për të ngritur një Stacion të Misionit në Kenian perëndimore. Në vitin 1914, Otto Keller pretendonte se “këtu [në Afrikë] ne e shohim fuqinë e djallit në një formë të habitshme, pothuajse përtej besimit. Zhurma e burrave dhe e grave të dehura, teksa përmbushin epshin e mishit, arrin te veshët tanë. Të gjithë dukeshin të vendosur dhe të bindur për të përmbushur kupën e paudhësisë së tyre.” Në kohën kur Marion Keller vdiq në vitin 1942, Asambletë konservative Pentakostale të Kanadasë kishin mbi 200 degë kishash në Kenia.

Një histori zyrtare e kishës kanadeze e sulmoi lëvizjen antikoloniale në Kenia si “një ringjallje të animizmit primitiv”. Botuar në vitin 1958, Çfarë ka Punuar Perëndia: Një histori e Asamblesë Pentakostale të Kanadasë, thotë: “Për fat të keq, forcat e majta po bënin oferta të larta për shpirtrat e miliona banorëve të Kenias. Në vitet 1950 u desh një ringjallje e paganizmit primitiv që kishte për qëllim përjashtimin e njeriut të bardhë nga Kenia dhe zhdukjen e çdo gjëje të krishterë nga vendi i tyre. Kjo ishte kryengritja Mau Mau.” Në rrëzimin e kryengritjes britanikët vranë dhjetëra mijëra.

Në vitin 1893, torontonianët Uallter Gouans (Walter Gowans) dhe Rouland Bingam (Rowland Victor Bingham) themeluan atë që më vonë u bë misioni më i madh ndërdenominacional protestant në kontinent: Misioni i Brendshëm i Sudanit. Shefi i MBS për katër dekada, Bingam, përshkroi se ishte “përballur me miliona njerëz në errësirën e paganizmit të tyre” dhe se kishte “parë njerëz në të gjitha egërsitë dhe mëkatet e tyre.”

Në vitet 1950, MBS e përshkroi nacionalizmin në rritje të Nigerisë si “të errët dhe kërcënues”. Adeleye Liagbemi shkruan se “rritja nacionaliste e epokës pas Luftës së Dytë Botërore krijoi një frymë të re të pavarësisë dhe eksperimentimit; pozitive, përparimtare, qëllimplotë dhe militante. Situata trembi organizatat misionare të krishtera në vend – duke përfshirë MBS-në.” Në përgjigje, MBS rriti produktin e letërsisë së saj, duke vendosur “të merrte ofensivën nga duart e Satanit”, që ndihej se “po e fitonte luftën e fjalëve mes shkrimtarëve të rinj” të Afrikës.
Kanadaja zyrtare në përgjithësi i mbështeti këta aktivistë të krishterë. Udhëheqësit misionarë u respektuan shumë dhe morën një mbulim simpatik nga media. Njerëzit kryesorë të biznesit financuan punën e misionit dhe Otava nganjëherë kërkonte këshillat e misionarëve.

Shumica e kanadezëve që konvertuan në Afrikë ishin “të krishterë të mirë”, të cilët e shihnin veten duke ndihmuar në “qytetërimin e kontinentit të errët”. Përderisa kolonializmi formal ka mbaruar dhe paternalizmi është zbutur, kanadezët që mbështesin OJQ-të ndërkombëtare duhet të reflektojnë mbi historinë misionare.

Nga Yves Engler

/ © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne