Izraelitët arrestojnë 18 palestinezë, mes tyre edhe guvernatori i Kudsit

Forcat izraelite në Kudsin Lindor dhe Bregun Perëndimor, arrestuan të dielën 18 palestinezë, në mesin e të cilëve ndodhet edhe Adnan Ghaith, guvernatori i Kudsit pranë Qeverisë së Palestinës, raporton Anadolu Agency (AA).

Burime lokale bëjnë të ditur se forcat izraelite në Kudsin Lindor arrestuan pesë palestinezë, përfshirë Ghaithin.

Ai thuhet se është arrestuar gjatë një bastisjeje të kryer natën, pas çka është dërguar për t’u marrë në pyetje.

Guvernatori i Kudsit ishte arrestuar edhe më herët, më 27 shkurt, por pas daljes para gjykatësit u lirua.

Ndërkohë, mediat palestineze thonë se 13 palestinezë të tjerë janë arrestuar në bastisjet e kryera natën në Bregun Perëndimor, nën pretekstin për përfshirje në aktivitete terroriste.

Sipas Unionit të Familjeve të Burgosurve Palestinezë, forcat izraelite vitin e kaluar privuan nga liria së paku 1.600 palestinezë. Në raportin e organizatës theksohet se një katërta e të ndaluarve janë të mitur dhe se në mesin e tyre janë së paku 30 fëmijë të moshës nën 14 vjeç.

Sipas institucioneve palestineze, aktualisht në burgjet izraelite ndodhen së paku 6.000 palestinezë./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne