Në vitin 1918, Gjermania, Austro-Hungaria dhe aleatët e tyre mposhten dhe firmosin një marrëveshje paqeje me kushte shumë të rëndë.

Hipoteza: Perandoritë qendrore fitojnë konfliktin dhe kontrollojnë Europën. Nuk ndodh ardhja e nazizmit. Hitleri? Një piktor, ose maksimumi një piktor i të dielave. Çështja arabo-izraelite? Nuk do ish marrë asnjëherë. Tragjedia e Holokaustit? Një film horror, i mbetur në sferën e fantazisë. Kështu ndoshta do të na dukej bota nëse Perandoritë qendrore (Austro-Hungaria dhe Gjermania, në krah të tyre Bullgaria dhe perandoria otomane) do të kishin fituar Luftën e Parë Botërore kundër aleatëve. “Gjërat nuk shkuan kështu, sigurisht, megjithatë do të kishin mjaftuar shumë pak “momente të spikatur” të historisë, pikërisht ata momente kur gjërat marrin një rrugë në vend të një rruge tjetër, e do t’i jepnin jetë skenarëve alternativë”, rrëfen historiani i nëntëqindës, Sergio De Santis. “Skenarë që duhet të analizohen duke mbajtur parasysh që shekulli i njëzetë ka qenë kushtëzuar jo vetëm nga ky apo ai personazh, por edhe nga ideologjitë e masës”.

Farat e mosmarrëveshjes

Përpara se të përshkojmë këto rrugë alternative, duhet të vlerësojmë se cilat ishin interesat në terren në vigjilje të Luftës së Madhe, që mes viteve 1914 dhe 1918 tronditi të gjithë botën. Duke rrëmuar mes interesave të vendeve të përfshirë në këtë konflikt gjejmë se kush dëshironte të rifitonte territore të humbur në të kaluarën në avantazh të gjermanëve (Franca e dëbuar nga Alsasa dhe Lorena), kush dëshironte të konsolidonte dominimet e vet kolonialë (Britania e Madhe), kush ëndërronte një dalje në Mesdhe (Rusia), kush kërkonte prestigj ndërkombëtar (Italia), kush ishte në konflikt të përhershëm me fqinjët austro-hungarezë (Serbia), kush kishte me nxitim për të rifituar kohën e humbur (Japonia në fazën e modernizimit) dhe kush ishte gati të zgjeronte interesat e veta në kontinentin e vjetër, duke braktisur një izolacionizëm të thellë (Shtetet e Bashkuara). Ishte më tej një vend i vogël i Bullgaria, që kish synim të zgjerohej, një perandori, ajo otomane, në krizë të thellë dhe Austro-Hungaria që dëshironte të vinte nën kontroll serbët. “Ky skenar kaq i ndërlikuar kompletohej prej Gjermanisë së Perandorit Vilhelmi II, i cili kishte nisur një garë të armatimit detar për t’iu kundërvënë dominimit britanik në dete dhe për ta bërë vendin e tij një fuqi të pashoqe”, shton De Santis.

Një pikë e parë kthese u paraqit në frontin lindor të konfliktit, në perandorinë ruse, të tronditur në 1917 prej një revolucioni që solli rënien e Carit Nikolla II dhe ngjitjen në pushtet të partisë bolshevike të Leninit. “Nëse Gjermania do të kish hyrë menjëherë në konflikt nuk do të kish patur asnjë interes, në 1917, që të nxirrte në plan të dytë planet e Leninit, i cili u lehtësua edhe sepse ishte në favor të daljes së rusëve nga lufta, me pasojë daljen në pah të perandorisë luftarake gjermane”, shpjegon historiani. “Me shpërthimin e lëvizjeve të para revolucionare në 1917 (ato të prillit, antipastë e Revolucionit të Tetorit), lideri bolshevik ishte në fakt në mërgim në Zvicër dhe u rikthye në atdhe pikërisht falë ndihmës së gjermanëve, i mbrojtur nga një tren special i blinduar”. Një afirmim i shpejtë gjerman do të kishte rrezikuar të frenonte forcimin e revolucionit rus dhe do i kish lejuar Gjermanisë t’i gërryente territore të mëtejshëm perandorisë ruse. “Por që idealet revolucionarë nuk do të kishin hedhur gjithësesi rrënjë, kjo është e vështirë të thuhet (e provon fakti tjetër që kish patur nëj kryengritje në 1905)”, saktëson eksperti.

Ndoshta edhe fati i perandorisë otomane nuk do të kish qenë i ndryshëm nga sa ishte në realitet. E dobësuar tashmë nga revolta të shumta për pavarësi, kjo u shemb në vitin 1923 për t’u transformuar në Republikën e Turqisë. “Por edhe nëse otomanët do të kishin triumfuar, është e drejtë të mendojmë që ky vend do të kish marrë në cdo rast rrugën e modernitetit”, sqaron historiani. “Një risi e madhe mund të kish të bënte me Palestinën (otomane në 1914), e cila nuk do të kish përfunduar nën kontrollin e anglezëve (që favorizonin një atdhe hebraik) e që si pasojë nuk do të ish e destinuar të priste shtetin e Izraelit (1948). Kjo do të kishte shmangur gjakderdhje të ardhshme në Lindjen e Mesme, ku nuk do të kish shpërthyer lufta arabo izraelite”.

Totalitarizma të munguar?

Por pyetja që shumë historianë, dhe jo vetëm ata, kanë bërë shpesh në lidhje me Luftën e Madhe është: në rast të fitres së gjermanëve, a do të kishim patur ardhjen e fashizmit dhe të nazizmit? Për sa u përket ideve të përqafuara nga Musolini, është e vërtetë që në krye të herës u mbështetën nga veteranë të luftës së parë botërore. Por është e mundur që edhe pa fitoren “e çalë” të Italisë në konflikt ideologjia fashiste do të kish zënë vend: shumë prej parimeve të saj, në fakt, nuk ishin të lidhur me rezultatin e konfliktit ushtarak. “Për më tepër, në rast të fitores së austro-hungarezëve, Italia do të kish rrezikuar humbjen e territoreve të saj veriorë dhe humbjen e kolonive afrikane”, thotë De Santis. “Sa për Gjermaninë, në rast të një fitoreje të saj do të kishim shumë më pak kushte për ngjitjen e Hitlerit. Në fakt, lideri i ardhshëm nazist nuk vonoi për të përqafuar tezën e “thikës pas shpine” që i kishin futur Gjermanisë politikanët gjermanë, tek kishin firmosur armëpushimin dhe e kishin detyruar vendin të firmoste traktatin poshtërues të Versajës (1919). “Përgjegjës për atë marrëveshje kaq të ashpër ishin, sipas disa nacionalistëve më të thekur dhe sipas vetë Hitlerit, të ashtuquajturit “komplotues hebrenj”, kujton historiani. “Kriza e pasluftës (që erdhi pikësëpari prej dëmshpërblimeve ekonomikë që duhej të paguanin gjermanët) arriti të shfrytëzohet me aftësi prej nazistëve, kreu i të cilëve e përdori si levë për të siguruar mbështetje popullore, duke i paraqitur si i dërguar i qiejve. “Një i dërguar” të cilit nuk do ia kish patur askush nevojën, nëse epilogu i konfliktit do të kish qenë pozitiv. Sa i përket rolit gjeopolitik që do të kish marrë Gjermania, është e mundur që, edhe pa Adolf Hitlerin, do të kish qenë në plan të parë.

Një tjetër perëndim

Që përpara konfliktit, në lojën e aleancave mes perandorive kryesore, pjesën e luanit e bënte Berlini, industritë luftarake të të cilit puno0nin me ritëm të shpejtë duke garantuar furnizime të vazhdueshëm edhe për aleatët austriakë. “Përballë një suksesi gjerman, është e mundur që një prej vendeve të parë që do të vuanin pasojat do të ishte Franca, e destinuar që të gjermanizohej pjesërisht dhe të humbiste peshën ndërkombëtare”, pohon De Santis. “Sa për Britaninë e Madhe, ajo me siguri do të shihte një reduktim të perandorisë së saj koloniale”.

Ndërsa Gjermania do të kishte vazhduar të zgjerohej dhe do të kishte ndihmuar Austro-Hungarinë që të mbante nën kontroll presionet e brendshëm për pavarësi. Por rivaliteti mes austrohungarezëve dhe gjermanëve do të kish sjellë një klimë tensioni në rritje, destinuar që të çonte në kontrollin gjerman mbi Austrinë. “Siç ka hedhur hipotezën historiani britanik Niall Ferguson, një triumf i Gjermanisë në Luftën e Madhe do të kish sjellë një lloj Bashkimi Europian ante litteram, udhëhequr nga një makroshtet austrogjerman në gjendje të garantonte stabilitet për kontinentin dhe që të përballej si i barabartë me Shtetet e Bashkuara. Këta të fundit, nëse Gjermania do të kish fituar në 1917, vit kur Amerika hyri në luftë, mund edhe të ishin futur në listën e të mundurve”.

Poshtë hirit

Duhet thënë që, përtej udhëheqjes gjermane (ajo që në fund të fundit shohim sot, por për arsye të tjera), ideja e një bashkimi të popujve dhe të shteteve europianë ishte e përhapur prej shekujsh. “Po kaq me rrënjë ishte edhe plaga e antisemitizmit që megjithatë, pa nazizmin, nuk do të kish rezultuar ndoshta në Holokaustin”, konkludon De Santis.

“Në tërësi, nuk duhet përjashtuar që shumë probleme të fshehur të gjeopolitikës botërore do të kishin shpërthyer gjithësesi, duke shkaktuar konflikte dhe kriza (duke përfshirë ndoshta edhe krizën financiare të 1929), ndonëse në kohë, me protagonista dhe me forma të ndryshme”. Për këtë arsye ka nga ata që pohojnë se forma të totalitarizmit (fashist dhe komunist) do të ishin zhvilluar gjithësesi. Dhe që në kufijtë juglindorë të Europës, një sukses i otomanëve (me një Turqi e cila që në vitet ’10 ishte e ndikuar nga nacionalistët) do të ishte shoqëruar me persekutime kundër grekëve dhe hebrenjve, si ata që pësuan armenët në 1915-16. Po kështu, konfliktet e brendshëm në Ballkan ndoshta vetëm do të shtyheshin në kohë edhe në rast të një triumfi gjerman. Dhe ndoshta është utopike të mendosh që një lëmsh i tillë gjeopolitik do të mund të zgjidhej me rrugë diplomatike. Me fjalë të tjera, një Europë e bashkuar në emër të Gjermanisë do të kishte shmangur ngjitjen e Adolf Hitlerit, por jo domosdoshmërisht do të kishte shmangur një konflikt të dytë të madh në nëntëqindën.

43