KMSH dhe BIK bashkëpunojnë në ringjalljen e trashëgimisë kulturore Islame në trevat shqiptare

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Haxhi Skender Bruçaj priti në një takim pune Myftiun e Kosovës z. Naim Ef. Tërnava, i cili shoqërohej nga sekretari i përgjithshëm i Bashkësisë Islame të Kosovës z. Resul Ef. Rexhepi dhe anëtarët e kryesisë z. Ahmet Sadriu dhe z. Ramadan Shkodra.

Kreu i KMSH-së falënderoi Myftiun Tërnava për bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet dy institucioneve si dhe për ndihmën konkrete që BIK ka dhënë në myftini të ndryshme të Shqipërisë si në atë të Kukësit, Pukës etj.

Nga ana e tij Myftiu Tërnava vlerësoi bashkëpunimin konkret të deritanishëm me Komunitetin Mysliman të Shqipërisë dhe theksoi nevojën e zgjerimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme ndërmjet dy institucioneve.

Më tej ai i dorëzoi Kryetarit të KMSH-së shumën prej rreth 52.000 eurosh të mbledhura nga besimtarët e Republikës së Kosovës si kontribut për restaurimin e Xhamisë së Gjin Aleksit, Delvinë, restaurim i cili po kryhet nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë.

Këto fonde do të përdoren në fazën e dytë të restaurimit të brendshëm të xhamisë së lartepërmendur.

Kryetari Bruçaj i shpreu mirënjohjen e tij personale dhe të institucionit që ai drejton Kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës, drejtuesëve të tjerë të pranishëm si dhe të gjithë besimtarëve të Kosovës që me kontributin e tyre e forcojnë edhe më shumë vëllazërinë e shqiptarëve në të dy anët e kufirit./ kmsh.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne