Koment – E ardhmja e afërt në Siri dhe Irak pas DAESH-it

Autor: Cemil Dogaç Ipek

Operacioni kundër DAESH-it, i filluar më 17 tetor 2016 nga ana e forcave të koalicionit ndërkombëtar dhe forcave irakiane të sigurisë, mori fund më 9 korrik 2017. Pas kësaj është shumë e mundshme të ndërmerren operacione për çlirimin e vendeve tjera që ndodhen nën kontrollin e DAESH-it me në krye të qytetit Telafer. Ndërkaq në Irak vazhdojnë përpjekjet e aktorëve, të cilët dëshirojnë të kenë ndikim politik dhe administrativ, për marrjen e qëndrimeve dhe sigurimin e epërsive në procesin pas DAESH-it. Në këtë pikë, e ardhmja e Irakut do të formohet sipas qëndrimeve që do të marrin shiit, sunitë, kurdët dhe turkmenët. Ndërsa si rezultat i pazarllëqeve dhe marrëveshjeve në Siri, aktorët e jashtëm marrin vendime se në cilin drejtim do të avancoj secili aktorë. Prandaj në Siri e ardhmja fillimisht përcaktohet sipas qëndrimeve të forcave rajonale dhe globale.

Procesi i luftës kundër DAESH-it në Irak veçanërisht nxori në planë të parë dhe u siguroi avantazh dy aktorëve. Ndërmarrja e akteve të terrorit nga ana e DAESH-it në territore ku popullsia sunite është e dendur, përgatiti terren për forcimin e identitetit shii dhe atij kurd në Irak. Ndërsa në Siri forcat e regjimit gjatë periudhës disa mujore bënë një përparim serioz. Ky avancim i regjimit po realizohet kundër DAESH-it. Procesi i Astanës ka një ndikim të rëndësishëm në këtë avancim. Si vazhdim i këtij procesi të filluar nga Turqia, Rusia dhe Irani, u nënshkrua marrëveshja për formimin e zonave jokonfliktuale. Në 4 zona të kontrolluara nga opozitarët u vendos armëpushimi. Ulja e nivelit të luftimeve i mundësoi forcave të regjimit të orientuara nga Rusia dhe Irani, të kthehen drejt fronteve tjera.

Aktorët kryesor të cilët ndikohen negativisht nga forcimi i kurdëve dhe shiive në Irak janë sunitë dhe turkmenët. Për shkak të DAESH-it sunitë në Irak mbahen si “dash i kurbanit”. Ndërkaq turkmenët, të cilët ndodhen në pothuajse të gjitha viset e Irakut, duke filluar prej pjesës veriperëndimore e deri tek pjesët juglindore, janë kthyer në objektiv më të lehtë në Irak. Zhvillimi i betejave më të mëdha në luftën kundër DAESH-it në zonat ku jetojnë turkmenët, bënë që ata të mbeten në qendër të luftimeve. Edhe në periudhën pas DAESH-it zonat turkmene si Telafer, Tuz’hurmatu, Kirkuk e Xhelevle bëhen skenë e luftimeve për dominim.

Ndërkaq njëra prej zonave të konflikteve në Siri, e cila ndodhet në rendin e ditës ditëve të fundit, është edhe ajo e Idlibit. Me fillimin e procesit të Astanës në Idlib filloi edhe tensionimi mes grupeve opozitare. Tensionimi i jetuar mes grupeve të Ushtrisë së Lirë Siriane që i përmbahen armëpushimit pas pranimit të procesit të Astanës dhe fraksionit të udhëhequr nga El-Nusra, i cili e cilëson këtë proces si tradhti, u kthye në konflikt të armatosur. Njëra prej objektivave kryesore të procesit të Astanës ishte edhe ndarja e radikalëve dhe të moderuarve nga njëri-tjetri dhe eliminimi i radikalëve. Ky proces vetvetiu bëri që radhët të jenë më të theksuara.

Pas deklaratës së Turqisë se do të mund të dislokoj trupat e saj ushtarake në Idlib, grupet e lidhura me El-Nusra, të cilat mendonin se do të mund të jenë në objektiv, vënë në dorë kontrollin e disa vendeve strategjike shumica e të cilave ndodheshin në duart e grupit Ahraru-Sham. Me këtë zhvillim Idlibi mori një pamje sikur është një “emirat nën kontrollin e El-Nusras”. Kjo tablo, e cila nuk pasqyron të vërtetën, është në dobi të çdo aktori tjetër përveç Turqisë. Në qoftë se Turqia nuk vihet në veprim, ndërhyrja e mundshme e fuqive të jashtme ndaj Idlibit do të sjell kërcënime serioze nga aspekti i Turqisë. Në rast të një ndërhyrjeje nga jashtë Turqia do të jetë destinacioni natyror i 2,5 milionë civilëve që jetojnë në Idlib. Këtu ekziston rreziku se me civilët të detyruar të largohen nga Idlibi do të largohen edhe luftëtarët radikal. Ndërkaq rreziku kryesor është se në kufirin Turqi-Idlib do të mund të dislokohen edhe trupat e huaja.

Turqia për një kohë të gjatë mbanë qëndrime që do të mundësonin forcimin e opozitarëve të moderuar në Idlib. Mirëpo, opozitarët e moderuar aktualisht nuk kanë fuqi për të dëbuar plotësisht El-Nusran nga ky vend. Turqia duhet që sa më shpejtë ti largoj pretendimet e “emiratit të El-Nusras” në këtë rajon. Përndryshe ekziston rreziku për dislokimin e trupave të huaja në kufi me pretekst të luftimit kundër El-Nusras.

Ndryshe nga pritshmëritë, lufta kundër DAESH-it në Irak dhe Siri vetëm se përshpejton dhe thellon shkëputjet, grindjet dhe konfliktet. Edhe pse DAESH-i është faktor më vete për konflikte, dinamikat e konflikteve të ndryshme do të vazhdojnë të zënë vend në rendin e ditës deri në vendosjen e ekuilibrave të rinj në Irak dhe Siri. Rreziku kryesor me të cilin do të ballafaqohen Iraku dhe Siria, në qoftë se gjatë periudhës së ardhshme nuk vendoset ekuilibri mes grupeve të ndryshme etnike dhe sektare, është një atmosferë që do të dalë jashtë kontrollit e që do të nxitet me dinamikat e konflikteve politike dhe ushtarake./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne