Prokuroria e Shtetit mund të refuzojë ndjekjen penale ndaj shtetasve turq që Erdogan u ka kërkuar autoriteteve kosovare për ekstradimin e tyre. Turqia në kërkesën e saj për Ministrinë e Drejtësisë së Kosovës pretendon se personat që kërkon ekstradimin e tyre janë “terroristë” vetëm se përkrahin Fetullah Gulenin, kundërshtarin e Presidentit turk. Kryeprokurori i Kosovës, Aleksandër Lumezi thotë se ligji parasheh refuzimin e kërkesave për ekstradim në rastin kur veprimet penale ndërlidhen me ato politike.

Kryeprokurori Aleksandër Lumezi nuk komenton konkretisht kërkesën që Erdogan javën që shkoi ia ka përsëritur Kosovës për t’ia ekstraduar disa shtetas turq që dyshohet se ndodhen në territorin kosovar, e që janë identifikuar si përkrahës të organizatës FETO.

Thotë se për kërkesën në fjalë mund të deklarohet vetëm pranuesi i saj, në këtë rast Ministria e Drejtësisë.

“Për kërkesat për ndihmë juridike ndërkombëtarë dhe për ekstradim ka të drejtë të deklarohet vetëm Ministri i Drejtësisë”, ka thënë Lumezi.

Ndërkohë që, kryeprokurori Lumezi shpjegon për kushtet që duhen plotësuar që kërkesa e një shteti tjetër të jetë e pranueshme nga ana e autoriteteve kosovare, por pa specifikuar rastin konkret.

Sipas të parit të Prokurorisë së Shtetit, personat e kërkuar nga shteti tjetër me qellim të zhvillimit të procedurës penale mund të ekstradohen vetëm sipas kushteve të parapara ligjore.

“Me ligjin për bashkëpunim juridik ndërkombëtar është paraparë procedura dhe kushtet për bashkëpunim dhe në rastet kur shtetet tjera paraqesin ndonjë kërkesë ne duhet ti mbështesim në aspektin procedural. Mirëpo gjatë shqyrtimit të këtyre kërkesave ne duhet të kujdesemi për mbrojtjen e interesave të sovranitetit, sigurisë, rendit publik dhe interesave tjera të Republikës së Kosovës, siç janë të përcaktuara me Kushtetutë”, tha Aleksandër Lumezi.

Tutje, Kryeprokurori kosovar përmend edhe rastet kur ekstradimi refuzohet sipas ligjeve në fuqi të Kosovës, duke veçuar ato të natyrës politike.

“Me ligj është paraparë që ekstradimi refuzohet për veprat penale politike si dhe për veprat penale ushtarake të cilat nuk janë vepra penale edhe sipas ligjit penal”, ka thënë Kryeprokurori Aleksandër Luemzi.

Shteti turk në shkresën zyrtare të cilën ia ka drejtuar Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës, javën që shkoi, e që një të ngjashme e kishte nisur edhe në tetor të vitit të shkuar që kishte rezultuar me një arrestim, kërkon pikërisht që autoritetet kosovare t’ia dorëzojnë Turqisë disa shtetas të saj që përkrahin kundërshtarin politik të Presidentit Reccep Taypp Erdogan, klerikun Fetullah Gulen.

Gulen, që sot për presidentin turk Erdogan është ideolog i një grupimi terrorist dhe qëndron i arratisur në SHBA, dikur ishte partner i ngushtë i tij në politikë.

Udhëheqësin e lëvizjes “Hizmet”, që Erdogan e quan “FETO”, Presidenti turk e kishte bërë përgjegjës për pucin ushtarak të dështuar në Ankara e Stamboll, në korrik të viti 2016.

Prej asaj kohe, Turqia ka intensifikuar përndjekjen e përkrahësve të Gulenit.

Në tetor të vitit 2017, autoritetet kosovare iu kishin përgjigjur pozitivisht përndjekjes së shtetit turk ndaj shtetasve të saj që banojnë në Kosovë. Më 27 tetor 2017, Policia e Kosovës kishte arrestuar në Prizren shtetasin turk Ugur Toksoy.

Turqia e Erdoganit, teologun e arrestuar në Prizren, e konsideron terrorist, vetëm pasi që e ka identifikuar si përkrahës të Fetullah Gulenit.

Toksoy ishte mbajtur 40 ditë në procedurë, derisa më 14 dhjetor 2017 Prokuroria Speciale e Kosovës kishte hequr dorë nga kërkesa që drejtuesi i një institucioni edukativ në Prishtinë t’u dorëzohet autoriteteve turke.

Prokurori Ali Rexhaj gjatë gjithë këtyre ditëve kishte insistuar që t’i nënshtrohet kërkesës së Erdoganit për ekstradimin e Toksoyt, por në përfundimin e afatit ligjorë për ekstradim, në Gjykatë pranoi se urdhërarresti i Turqisë ishte i mangët qysh kur e morën autoritetet kosovare.

“Përkundër insistimit tim dhe kohës, të njëjtit (Shteti turk) nuk na kanë dorëzuar prova valide, materiale për ekstradimin e shtetasit Ugur Toksoy (…) në mungesë të provave materiale tani për tani tërheq kërkesën për ekstradim”, i kishte thënë Rexhaj gjykatës.

Në tetor të 2017’ës, Turqia i kërkonte Prishtinës zyrtare arrestimin edhe të një shtetasi tjetër turk, që dyshohej se ndodhej brenda territorit kosovar.

Krimi i vetëm që dyshohej se kanë kryer Ugur Toksoy dhe shtetas tjetër i kërkuar për ekstradim, është se janë përkrahës të Fetullah Gylenit, kundërshtarit të presidentit turk Recep Tayyip Erdogan dhe punojnë në institucionet arsimore-kulturore që organizata e Gulenit i ka të përhapura pothuajse në gjithë botën.

Kjo sipas dokumentit i bënte ata financues të organizatave terroriste, që Erdogani të tillë e konsideron organizatën “Hizmet”, e themeluar nga Gulen – që Erdogan e njeh si “FETO”.

37