Kosovë, dështon votimi i projekt-ligjit për marrëveshjen Kosovë-BE

 Në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, projekt-ligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian (BE) mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Unionit “Konkurrenca e Ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (COSME) 2014-2020”, nuk kaloi për shkak se votimi në Kuvend nuk arriti të sigurojë 80 vota të deputetëve.

Seanca plenare e Kuvendit në fillim u ndërpre për një kohë të shkurtër për shkak të mungesës së kuorumit. Pas pauzës kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se do të kalohet në votimin e projekt-ligjit ndërmjet Kosovës dhe BE-së, ku theksoi se pjesëmarrja ndërkombëtare e Kosovës në programin COSME është shumë me rëndësi dhe bashkon pozitën dhe opozitën në parlament.

Veseli bëri të ditur se kur filloi votimi i këtij ligji, në sallë të pranishëm ishin 92 deputet. Ai tha se vetëm 72 prej tyre votuan, me 63 vota pro dhe 9 abstenime.

Përkundër faktit që e votuan edhe një pjesë e deputetëve të partive opozitare, ky projekt-ligj, që parasheh miratimin e një marëveshjeje ndërkombëtare, pasi nevojiten dy e treta e votave, apo 80 vota nga gjithsej 120 deputetë të Kuvendit të Kosovës.

COSME është programi kryesor i BE-së për konkurrueshmëri të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, e cila ofron një ndihmë substanciale ku përfiton edhe sektori bankar kosovar nga grantet e këtij programi. Marrëveshja COSME është nënshkruar në fund të muajit dhjetor të vitit 2017 në mes të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë të Kosovës dhe Komisionit Evropian, e cila parashikohet të zgjasë nga 2014 deri në 2020 dhe njeh rolin jetik që kanë ndërmarrjet në ekonominë e BE-së.

Gjatë ditës pritet që Kuvendi të mbajë një debat për dialogun me Serbinë. Në seancën e kaluar të Kuvendit, më 19 korrik 2018, Grupi Parlamentar i Partisë Socialdemokrate (PSD) kishte kërkuar mocion procedural për debat parlamentar për dialogun me Serbinë. Ndërkaq, ligjet e parapara për atë seancë nuk u votuan për shkak të mungesës së kuorumit dhe u ndërprit seanca, duke mos patur kohë për të kaluar tek debati për dialogun.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne