Krerët e bashkësisë muslimane në Sri Lankë vizituan kardinalin Ranjith

Krerët e bashkësisë muslimane në Sri Lankë vizituan kryepeshkopin e këtij vendi, kardinalin Malcolm Ranjith, duke shprehur solidarizim me katolikët pas vargut të sulmeve terroriste që në këtë vend ishullor të Oqeanit Indian ndodhën për Pashkët, raporton Anadolu Agency (AA).

Delegacionin e udhëheqësve fetarë muslimanë, politikanëve dhe intelektualëve në vizitën e kardinalit Ranjith e udhëhoqi myftiu i Sri Lankës dhe kryetar i Unionit të Ulemave Seylan (ACJU), Sheik Muhammed Ibrahim Rizëe.

Udhëheqësit e bashkësisë muslimane dënuan ashpër sulmet terroriste të së dielës dhe shprehën mbështetjen e tyre të plotë për komunitetin katolik.

Kardinali Ranjith theksoi se është shumë e rëndësishme që në kohë të vështira të ruhen solidariteti ndërkulturor dhe bashkëpunimi i bashkësive fetare.

Ai gjithashtu tha se krimet e individëve nuk duhet t’i atribuohen të gjithë komunitetit.

Gjatë takimit, myftiu Rizwe theksoi se Sri Lanka është shtëpia e të gjithë qytetarëve të saj muslimanë, katolikë, budistë dhe pjesëtarëve të bashkësive të tjera fetare.

“Ne lutemi për paqe dhe kalimin më të lehtë të dhimbjeve dhe vuajtjeve pas sulmeve terroriste. Le të jemi të bashkuar në këtë kohë të vështirë dhe sprovuese dhe së bashku të luftojmë për një të nesërme më të mirë”, tha Rizwe.

Një varg sulmesh me bomba ndodhën të dielën në Sri Lanka në festën katolike të Pashkëve. Forcat e sigurisë të Sri Lankës vazhdojnë të kryejnë operacion të gjerë për të kapur të gjithë ata që janë përgjegjës për këtë masakër ku u vranë së paku 310 persona, ndërsa 500 të tjerë u plagosën.

Objektiv i sulmeve ishin tre kisha në qytetet Kochchikada, Negombo dhe Batticaloa dhe tre hotele luksoze Kingsbury, Cinnamon Grand dhe Shangri La në kryeqytetin e Sri Lankës, Colombo. Dy shpërthime të tjera ndodhën në periferi të Colombos.

Në mesin e të pësuarve janë edhe 39 të huaj prej 12 shteteve.

Nga mesnata, ushtria e Sri Lankës ka autoritet të plotë, siç janë ato në kohën e luftës, me qëllim që ta bëjnë atë më efikas për t’u marrë me kërcënimet terroriste. Deri tani, të paktën 40 të dyshuar janë arrestuar dhe të gjithë janë shtetas të Sri Lankës./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne