Kuvendi i Kosovës sot në seancën e jashtëzakonshme ka miratuar tri marrëveshje ndërkombëtare në mes të Bashkimit Evropian (BE) dhe Kosovës.

Në seancën e sotme të jashtëzakonshme të thirrur nga grupet parlamentare të partive opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Partia Social Demokrate (PSD), si dhe deputetët e pavarur Mimoza Kusari-Lila dhe Ilir Deda u votuan 3 projektigje atë për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2017 (Instrumenti për Ndihmën e Para-Anëtarësimit), pjesa e parë, ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi pjesëmarrjen e Kosovës në programin “Evropa për qytetarët”, si dhe projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Komisionit Evropian dhe Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në “ERASMUS +” Programin e Unionit për Arsim, Trajnim, Rini dhe Sport.

Marrëveshja Financiare për IPA 2017, pjesa e parë, ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, e cila ka një kosto totale të programit prej 49.473.378 euro, prej të cilave kontributi maksimal i BE-së është 48 milionë euro, shumë kjo e cila do të alokohet para datës 31 dhjetor 2018, është miratuar me 96 vota “për” dhe 8 abstenime.

Marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi pjesëmarrjen e venditnë programin “Evropa për qytetarët”, i cili i mundëson Kosovës qasje në 17 programe të BE-së, të cilat lehtësojnë rrugëtimin e vendit drejt integrimit evropian është miratuar me 96 vota “për”, 2 “kundër” dhe 7 abstenime.

Ndërkaq marrëveshja për pjesëmarrjen e Kosovës në “ERASMUS +”, e cila parasheh platformën mbështetëse të IT, përfshirë binjakizimin si dhe mbështetjen për reformën e politikave në arsim dhe politikave për rini ka kaluar me 97 vota “për”.

Burimi: AA

9