Kuvendi i Kosovës miraton buxhetin 2018

Kuvendi i Kosovës në një seancë të jashtëzakonshme të përfunduar mbrëmjen e të premtes shqyrtoi për herë të dytë dhe e miratoi projektligjn për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2018, i cili parashikon të ardhura të përgjithshme 1 miliard e 829 milionë euro, ndërsa shpenzime 2 miliardë e 82 milionë.

Projektligji u miratua me pjesëmarrjen në votim të 75 deputetëve të Kuvendit 120 anëtarësh, 59 ishin pro, 16 kundër e asnjë nuk abstenoi.

Para përmbylljes së seancës Veseli njoftoi se Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka marrë një kërkesë të nënshkruar nga 43 deputetë për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme po në mbrëmjen e djeshme për shqyrtimin e Projektligjit për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Menjëherë pas seancës Kryesia e Kuvendit me shefat e grupeve parlamentare zhvilluan mbrëmë dy mbledhje të njëpasnjëshme për ta shqyrtuar kërkesën e 43 deputetëve nënshkrues, por në mungesë kuorumi nuk mori asnjë vendim dhe nuk u ftua seanca e jashtëzakonshme për shqyrtimin e Projektligjit për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

“Në mungesë të kuorumit, Kryesia, dy herë radhazi nuk arriti të marrë vendim për procedimin e këtij projektligji për mendim në qeveri”, u deklarua mbrëmë vonë në Kuvendin e Kosovës.

Seanca e dytë plenare e Kuvendit për Buxhetin e shtetit 2018 u zhvillua pas një seance të veçantë të mbajtur po dje pas mesditës me vetëm një pikë në axhendë: Adresimi i Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, deputetëve të Kuvendit të Republikës të Kosovës. (ATSH)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne