Maqedoni – Hiqen tabelat me emrin “Aleksandri i Madh”

Kompania “Rrugët e Maqedonisë” hoqi tabelat e komunikacionit me emrin e deritanishëm të autostradës “Aleksandri i Madh” në Korridorin 10, që sipas vendimit të qeverisë duhet të zëvendësohen me të reja që do ta mbajnë emrin “Miqësia”.

Nga kompania publike informojnë se janë porositur 19 tabela komunikacioni me emrin e ri.

Me vendimin e qeverisë maqedonase, emërtim të ri mori edhe aeroporti i Shkupit, por ende nuk ka informata zyrtare konkrete për procedurën e ndërrimit të emrit nga “Aleksandri i Madh” në “Aeroporti Ndërkombëtar Shkup”.

Ndryshimi i emërtimit të autostradës dhe aeroportit, ashtu siç deklaroi Kryeministri Zoran Zaev pas takimit në Davos me homologun e tij grek, Alexis Tsipras, është në shenjë të vullnetit të mirë dhe përmirësimit të marrëdhënieve me Greqinë.

Emri i deritanishëm i autostradës “Aleksandri i Madh” përdorej që nga korriku i vitit 2008, me vendim të qeverisë së mëparshme.

Nga dhjetori i vitit 2006, sërish, gjithashtu me vendim të kësaj qeverie, aeroporti i Shkupit e mori emrin “Aleksandri i Madh”. /ATSH

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne