Moro, drejt ditëve me diell

Prof. dr. Kudret BÜLBÜL*

Myslimanët Moro, që jetojnë në Ishullin Mindanao në jug të Filipineve janë njerëzit që jetojnë në një hapësirë gjeografike që mbase kanë jetuar periudhën më të gjatë të dhimbjeve në histori dhe që janë lodhur më shumë nga kjo dhimbje. Dhimbja, që filloi në vitet 1500, është një proces i brumosur me gjak, mizori, mjerim dhe vdekje dhe ky proces, deri në një farë mase, sot ka evoluar në shpresë. Në horizont duket një dritë e fuqishme për tharjen e lotëve të fëmijëve nga Moro, lënien pas të ditëve me shi (të zymta) dhe ecjes drejt të nesërmes pa mbetur jetim, pa nënë e pa babë.

Moro është një rajon, që në lutjet e përditshme të hapësirës gjeografike turqishtfolëse, përmendet së bashku me vendet e tjera të shtypura si Palestina, Eritreja e Kashmiri. Masa të gjera mbase kanë dëgjuar për Moron nga poezia mbresëlënëse e Salih Miryabejollu (Mirzabeyoğlu) “Luftëtarët e Shkëlqimit-Legjenda Moro”. Por tashmë myslimanët e Moros i pret një e ardhme tjetër. Ajo që dua të them, është referendumi i 21 janarit.

Një histori e shkurtër për Moro

Ardhja e islamit në ishujt e Filipineve, nuk ka ndryshim nga e ardhura dhe përhapja e këtij besimi në vendet e tjera të Lindjes së Largët. Edhe morot u njohën me islamin nëpërmjet tregtarëve myslimanë dhe me kalimin e kohës kjo fe përhapet në këtë hapësirë gjeografike. Myslimanët vazhdojnë jetën prej shekujsh në shtetin e vet deri në vitet 1500.

Në Moro në vitin 1521 plas lufta mes myslimanëve dhe spanjollëve. Me rënien e Andaluzisë, përleshjet përfshinë Filipinet dhe mund të themi se vazhdojnë prej rreth 500 vjetësh deri më sot në forma të ndryshme.

Ndërkohë që deri në vitet 1900 pothuajse i tërë jugu i Filipineve ishte me shumicë myslimane, për shkak të përpjekjeve për asimilimin dhe ndryshimin e strukturës demografike, myslimanët sot kanë rënë në gjendjen e pakicës në shumë rajone.

Për shkak të politikave të ndjekura në fillim nga spanjollët, pastaj Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që udhëhoqën rajonin deri në gjysmën e parë të shekullit të 20-të dhe më pas të politikave të Filipineve, myslimanët mbetën ballë për ballë ose me vdekjen, ose me emigrimin.

Gjatë vizitës time në Cotaboto në vitin 2016, pashë personalisht se si njerëzit e zhvendosur nga atdheu i tyre, duke mos u lejuar të vendosen në tokë, janë detyruar të jetojnë në barakat në formë varke të ngritura mbi lum.

Myslimanët Moro, në vitet 1960 filluan një lëvizje revolucionare të organizuar kundër politikave për zhdukjen e tyre. Kjo rezistencë vazhdon me periudha të ndryshme nën organizime të ndryshme. Këto përpjekje vazhduan me negociatat me Filipinet të liderit të Frontit Islam të Çlirimit , Selamet Hashim dhe pas vdekjes së tij në vitin 2003 me Haxh Murat Ibrahim. Për ti dhënë fund luftës civile që vazhdon prej 40 vjetësh dhe shkaktoi vdekjen e 120 mijë njerëzve dhe emigrimin e 2 milionë personave, ndërmjet qeverisë së Fillipineve dhe Frontit në vitin 2012 u nënshkrua një marrëveshje kornizë. Kurse në vitin 2014 u themelua “Delegacioni Monitorues i Pavarur” për të vëzhguar procesin e paqes. Kryetari aktual i Shtetit të Filipineve, i nderuari Duerte gjatë fushatës elektorale në vitin 2014 premtoi krijimin e rajonit autonom në Moro.

Referendumi dhe domethënia e rezultateve

Në referendumin e zhvilluar në 21 janar 2019 u pranua me 80% të votave autonomia e myslimanëve Moro. Pas kësaj do të krijohet “Autoriteti i Tranzicionit Bangsamoro (BARMM)” me 80 anëtarë. Ky autoritet, që do të kryej detyrën e një lloj parlamenti do të sipërmarrë udhëheqjen e Bangsamoro-s deri në vitin 2022.

Me miratimin e referendumit, 75% e taksave që do të mblidhen në rajon do t’i përkasin qeverisë lokale ndërse 25% do të shkojnë për qeverinë qendrore.

Myslimanët në Bangsamoro, në ndryshim me Filipinet mund të zbatojnë drejtësinë islame. Kurse të krishterët në Moro do të mund të varen nga drejtësia e shtetit të Filipineve.

Myslimanët Moro janë plotësisht të pavarur në çështjet e brendshme kurse në çështjet e punëve të jashtme dhe sigurisë do të varen nga qeveria e Filipineve.

Turqia vazhdon të jetë pranë myslimanëve Moro në Filipine | TRT  Shqip

Nevojat e myslimanëve Moro

Mbështetja e procesit të paqes: Kudo në botë, vazhdimi i procesit të paqe është i vështirë. Ngjarjet e përjetuara përmbajnë gjithmonë rrezikun për t’iu rikthyer përsëri bisedimeve të paqes ndërmjet palëve. Për këtë arsye, është shumë e rëndësishme që shoqëria ndërkombëtare të mbështesë procesin në Filipine për palët që kërkojnë paqe dhe qetësi në rajon. Kryetari i Shtetit të Filipineve, Rodrigo Duterte, i cili është nga një rajon i afërt me Bangsamoron dhe e ka kaluar fëmijërinë në këtë rajon me marrëdhëniet të afërta me popullin Moro, është një shans i rëndësishëm për procesin e paqes. Në këtë aspekt, për vazhdimin e procesit, është e rëndësishme që të mbështet dhe të inkurajohet Duerte. Duhet pasur kujdes që procesi të mos dëmtohet me dorën e DAESH-it.

Nevoja për mos t’u mjaftuar vetëm me ndihmat njerëzore: Ndihmat njerëzore për një popull që ka luftuar 500 vjet për lirinë dhe ka paguar një çmim shumë të lartë për të, janë të padiskutueshme. Në rajonin që unë vizitova, të lartpërmendur, gjenden 26 organizata ndërkombëtare dhe unë mësova se nga bota islame gjendet vetëm Fondacioni për Ndihmat Humanitare, Liritë dhe të Drejtat e Njeriut (IHH) nga Turqia. Padyshim që duhet të shtohen ndihmat njerëzore ndaj rajonit. Së bashku me këtë, ashtu siç bëra të ditur në një artikull tim të mëparshëm (https://www.yenisafak.com/hayat/filipinlermoro-muslumanlari-ve-otesi-2556104), myslimanët Moro, në procesin e autonomisë, kanë një nevojë jashtëzakonisht të madhe për ndihma njerëzore. Një shoqëri e fokusuar prej shekujsh më shumë tek përleshjet për të mbijetuar, do të ketë nevojë urgjente në këtë proces për eksperiencën e administrimit për të krijuar udhëheqjen e rajonit autonom. Sistemi politik, financimi publik, udhëheqjet lokale, burokracia qendrore, arsimi universitar, e legjislativi do të kenë nevojë njerëz cilësor dhe ndarje të eksperiencës. Vullnetarëve për Moron nga e gjithë bota, i bie një punë e madhe në mënyrë që lufta 500-vjeçare e myslimanëve Moro, të mos flijohet për shkak të udhëheqjes së gabuar dhe emrave jo cilësor (të pakualifikuar). Në fusha të tilla si universitete, ligjet për të cilat mund të ndjehet nevoja në fushën e shëndetësisë dhe udhëheqjes vendore, administrimi publik, udhëheqjet vendore, hapja e shkollave të larta profesionale nëse është e mundur hapja e fakulteteve, kontribuon në mënyrë strukturale në zgjidhjen e shumë problemeve.

Vlera e kontributit të Turqisë në paqen globale: Për të realizuar bisedimet e paqes në Moro është ngritur një komision ndërkombëtar, në të cilin bën pjesë edhe Turqia. Krahas komisionit është krijuar edhe një delegacion monitorimi. Në delegacionin, që përbëhet nga 5 persona, me kërkesën e myslimanëve Moro gjendet edhe organizata e shoqërisë civile nga Turqia. Në emër të Fondacionit për Ndihmat Humanitare, Liritë dhe të Drejtat e Njeriut (IHH) nga Turqia bën pjesë Hysejin Oruç (Hüseyin Oruç). Delegacioni do të monitorojë procesin e paqes.

Turqia, edhe pse nënshtetasit e saj nuk e vënë re, si rrjedhojë e historisë, akumulimit dhe respektit global që gëzon, është një vendet që mund të japë më shumë kontribut në paqen dhe qetësinë globale. Ky kontribut nuk është vetëm ndaj shtetit, por ashtu si në shembullin e Filipineve, mund t të jepet edhe nëpërmjet organizatave joqeveritare dhe universiteteve. Në Moro pika e rritur në luftën 500-vjeçare është shumë e vyer. Lënia pas e mjedisit të konfliktit, që shkakton humbje për të gjithë dhe rezultati i referendumit; këtyre duhet ti japim kontribut të përbashkët për procesin në fjalë që të mbërrijë paqja për myslimanët e Moros, Filipinet dhe njerëzimit, në mënyrë që tashmë fëmijët e Moros të shohin me besim drejt të ardhmes.

*Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne