Një anketim i fundit i kryer në SHBA ka zbuluar se grupi më i diskriminuar fetar në vend janë myslimanët, transmeton Anadolu Agency.

Në anketimin e kryer në partneritet mes kompanisë anketuese HarrisX dhe The Hill një prej portaleve më kryesore në SHBA, është hulumtuar rreth diskriminimit të grupeve fetare në vend.

Sipas hulumtimit, 85 për qind e pjesëmarrësve në anketimin e kryer me 1 mijë e 3 persona gjatë datave 1-2 mars janë shprehur se në SHBA myslimanët janë grupi më i diskriminuar, të cilët janë ndjekur nga hebrenjtë me 79 për qind.

Po ashtu pjesëmarrësit në anketim kanë theksuar se mendojnë që 61 për qind e të krishterëve dhe 55 për qind e ateistëve përballen me diskriminim.

Vazhdojnë debatet në lidhje me kongresisten Omar

Ky anketim i kryer nën hijen e debateve të nisura pas deklaratave të bëra në lidhje me Izraelin nga myslimania e parë me mbulesë e zgjedhur në Kongresin e SHBA-së, Ilhan Omar, u konsiderua i rëndësishëm në kuptimin e shprehjes së mendimeve rreth diskriminimit fetar në vend.

Teksa vazhdojnë debatet në lidhje me Omar, ka tërhequr vëmendjen se një studim i kohëve të fundit nga Këshilli i Marrëdhënieve Amerikano-Islamike (CAIR) vuri në dukje se islamofobia në vend është në rritje kohët e fundit.

Myslimanët amerikanë që mbështetën Omarin kanë bërë të ditur se diskriminimi kryesor në SHBA ka në objektiv myslimanët dhe se deklaratat e Omar janë shtrembëruar.

Në një votim të kryer ditën e premte në Dhomën e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) u miratua një rezolutë me të cilën dënohen ideologjitë që përfshijnë anti-semitizëm, islamofobi dhe “retorikat e tjera të urrejtjes”.

Fillimisht rezoluta dënonte anti-semitizmin, por në ditën e fundit ajo u rregullua duke u zgjeruar në mënyrë që të përfshijë edhe islamofobinë, superioritetin e njerëzve të bardhë dhe retorika të ngjashme të urrejtjes.

Kongresistja Omar u vendos në objektivin e kritikave edhe nga demokratët edhe nga republikanët pas deklaratave të saj të fundit një javë më parë se disa politikanë amerikanë marrin para nga lobet izraelite.

13