“Ndërtesë me vlera të rralla arkitekturore”, media italiane: Shembja e teatrit rrezikon hapjen e negociatave të Shqipërisë

Insistimi i qeverisë për të shembur godinën e Teatrit Kombëtar vijon të ndëkombëtarizohet duke kaluar kufijtë e Shqipërisë. Këtë herë është media italiane, ‘Il Fatto Quotidiano’,  e cila i ka dedikuar një artikull të gjatë me titull: “Në Tiranë do të shkatërrohet teatri italian: akuzat spekulative hedhin dritë mbi negociatat me BE-në”, ku paralajmëron se teatri nuk është thjeshtë një çështje e historisë, por vë në rrezik edhe të ardhmen europiane të vendit.

Gazetari Tiziana Kolluto, i cili ka qenë për disa ditë në kryeqytet shkruan se projektligji i miratuar me 9 korrik me 75 vota nga mazhoranca i jep fund epokës fashiste në kryeqytetin shqiptarë ndërsa thekson se godina e re e rrethuar me 6 kulla biznesi kundërshtohet fuqishëm nga artistët, shoqëria civile, qytetarët dhe nga opozita teksa shton se pritet me interes edhe qëndrimi i presidentit Ilir Meta.

Pjesë e artikullit të zgjeruar janë edhe dy gazetar shqiptarë; Artur Nura i Report TV dhe Lindita Çela e BIRN, të cilët kanë dhënë mendimet e tyre për teatrin; për një nga dëshmitë më të rëndësishme arkitekturore të periudhës së pushtimit italian.

Nura pohon se ndërtesa është e rëndësishmë pasi jo vetëm që i përket përiudhës së fashizmit, por edhe sepse ka mbijetuar gjatë periudhës së komunizmit, ndërsa gazetarja  Çela thekson se qeveria ka vlerësuar qëllimisht truallim me çmim të ulët nga 2 mijë euro metri katorë në vetëm 470 euro.

Gazetarja investigative, po ashtu përmend edhe emrin e kompanisë Fusha Sh.p.k, ku kujton se ajo ka fituar shumë tendera nga Qeveria dhe Bashkia e Tiranës.

“Projekti përbëhet nga mbi 9 mijë metra katrorë. Në këmbim, kompania, përveç teatrit, do të ndërtojë edhe kulla të larta. Shkëlqim Fusha është kushëri i ish-kryeprokurorit të Tiranës, Petrit Fusha, i cili në vitin 2017  ka mbyllur një hetim ndaj Kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj”, ka sqaruar  Çela, duke iu referuar rastit të Ardit Gjoklajt.

Në fund, gazetari italian Kolluto nënvizon se edhe FMN-ja ka kritikuar qeverinë sa i takon Partneritetit-Publik-Privat, pasi nuk ka analizë të qartë të shpenzimeve dhe fitimeve, ndërsa kujton se propozimi nga kompania Fusha Sh.p.k për teatrin ishte një propozim i pa kërkuar dhe veprime të tilla cënojnë rëndë konkurencën e ndershme.

“Teatri, për më tepër, nuk është vetëm një çështje e brendshme:  akuza për shkeljen e rregullave të konkurrencës evropiane ndikon në negociatat për pranimin e Shqipërisë në BE”, përfundon artikulli i Il Fatto Quotidiano.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne