ANDI BUSHATI

Marrëveshja e paprinciptë Rama – Basha nuk qe vetëm një shembull flagrant i asaj që në mendjen e publikut mund të përvijohet si republika e vjetër, por ajo shërbeu mbi të gjitha si një pasqyrë gjigande ku mund të shihet fare qartë shëmtia e aktorëve kryesorë. Pakti për zgjedhjet vërtet i dha fund një krize 3 mujore, por nxorri më në pah të gjitha mashtrimet, piruetat, betimet e pambajtura dhe gafurrjet qesharake, të Edi Ramës, Lulzim Bashës dhe Ilir Metës.

I pari Edi Rama, megjithëse ruajti karrigen e tij dhe ndonëse pothuajse siguroi edhe një mandat tjetër katërvjeçar, doli i telendisur nga kjo betejë. Me marrëveshjen e fundit, atij i ra teza se shteti qenkërkërsh përgjegjësi dhe postet e rëndësishme nuk mund të merren pa u votuar. Pas marrëveshjes, PD-ja po fut në xhep mbi gjysmën e qeverisë dhe një sërë drejtorish të rëndësishme. Pra kuptohet qartë se kur i thoshte këto parrulla, kur betohej se ai nuk mund ta tradhëtonte vullnetin e 1 milionë njerëzve duke i ridhuruar Berishës pushtet në tavolinë, kryeministri bënte thjesht propagandë për të ruajtur karrigen e tij.

Firma në paktin me Bashën ka diskredituar të gjithë qeverisjen e Rilindjes. Ajo mund të lexohet fare mirë si një kapitullim i propagandës që na ka shurdhuar veshët për katër vite me radhë. Duke pranuar të heqë një mumër të pamatë ministrash dhe drejtorësh, Rama ka pranuar nën zë dështimet me drogën, me arsimin, me rendin, me drejtësinë, me shëndetësinë dhe me financat.

Po të shohësh dhe pikat e tjera të marrëveshjes (lexoje poshtë të plotë) ky dështim shtrihet në politikat e OSShE, ato të legalizimeve, në menaxhimin e burgjeve etj. Madje në atë pjesë të paktit të titulluar “Masa të tjera” qeveria tashmë e rrëzuar mban mbi supe edhe peshën e kriminalizimit, të politizimit të administratës publike dhe të mosluftimit të trafiqeve.

Një marëveshje të tillë vetëm një njeri i sëmurë për karrigen e vet mund t’a nënshkruante.

Dhe Edi Rama e bëri. Duke harruar përbetimet se gjithë pretendimet e PD ishin vetëm përpjekje për të marrë pushtet në tavolinë, duke arkivuar zotimin se ai nuk do ta braktiste misionin që iu ngarkua katër vite më parë.

Pavarësisht se kjo marrëveshje e diskrediton moralisht aksionin e tij qeveritar, ai nuk u merakos për këtë. Ai kërkonte vetëm një kusht: që të vazhdonte të mbante në duar atë pushtet okult, i cili është vendimtar për të përcaktuar fituesin e zgjedhjeve të ardhshme. Ai arriti t’i demostrojë njerëzve të lidhur me krimin, oligarkëve dhe bosëve të mediave se ai do të jetë përsëri kryeministër, prandaj ata duhet të vazhdojnë të rrinë pranë tij.

Nga pikpamja e imazhit ai arriti një sukses si ai i Napoleonit në Moskë, i cili fitoi betejën, por shpartalloi gjithë ushtrinë. Por, kjo gjë Ramës pak i intereson. Sepse për të ndejtur në pushtet ai ka bërë zgjedhjen që para krediteve morale të ketë kredite kriminale dhe financiare. Dhe për hir të së vërtetës duhet thënë se ai ia mbërriti objektivit të tij.

Në të kundërt Lulzim Basha i humbi të dyja vezët që kishte në shportë. Nga kjo marëveshje ai doli i humbur edhe moralisht edhe pragmatikisht. Sepse, ai, nga njëra anë u detyrua të të lëpinte mbi atë që kishte përshtyrë për 90 ditë (se nuk hynte në zgjedhje me një kryeministër që mbante në duar një pushtet ekstrademokratik) dhe nga ana tjetër nuk mori asnjë garanci për t’u siguruar shqiptarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme. Për mënyrën se si firmosi dhe sesi u përkul Basha dukej sikur ishte i gatshëm të paguante çdo çmim për të dalë nga halli ku e kishte futur vetë veten (lexo shkrimin e dytë poshtë).

Pikërisht atë bëri.

Ai u soll si një kalkulator i rëndomtë i republikës së vjetër dhe do të marrë jo më larg se pas një muaji faturën e çilimillëkut të vet.

Po ashtu edhe Ilir Meta po merr një faturë të kripur nga pakti i dy të mëdhenjve. Nëse në këtë betejë tre mujore Rama dhe Basha, sejcili veç e veç, u përpoqën të gënjejnë idhtarët përkatës, ish kreu i LSI i vuri vetes misionin e pamundur, për të gënjyer së bashku edhe PS edhe PD-në.

Fillimisht ai mbështeti idenë e opozitës se nuk mund të kishte zgjedhje farsë. Ai mori edhe një vendim kryesie se nuk shkonte në votime pa pakicën, iu referua madje me terma të ashpra historisë së këtij vendi.

Ai thjesht u përpoq që përmes çadrës t’i bënte presion Ramës dhe ta çonte atë sa më të dobët drejt zgjedhjeve. Por kur e pa që Rama nuk lëshonte pe, kur edhe McAllister dështoi në Tiranë, Meta sipas zakonit të vjetër, “ç’me duhet mua se ç’kam thën unë”, jo vetëm u rregjistrua në një garë pa opozitën, por shkoi e u zgjodh president në një situate, për të cilën ishte betuar se nuk do t’a bënte kurrë.

Ai kalkuloi të futej në zgjedhjet që PD-ja do i bojkotonte, me shpresë se do të joshte edhe elektoratin e saj. Për këtë arsye Monika Kryemadhi doli në fushatë për të thënë se kush nuk do Edi Ramën le të votojë për LSI-në.

Por, Meta harroi një gjë, se loja që luan prej kohësh, pra ajo që një herë përdor Lulin për të shantazhuar Edin dhe herën tjetër bën të kundërtën, dikur merr fund.

Kur këta të dy u ulën për marëveshje bashkë, vendosën në mënyrë krejtësisht arbitrare ta përjashtojnë LSI-në nga koalicionet duke e përgjysmuar automatikisht numrin e deputetëve të saj të ardhshëm.

Dhe kështu pakti Rama – Basha e penalizoi rëndë LSI-në.

Por, ai nuk shërbeu vetëm për këtë. Ndonëse mes efekteve të tij negative mund të përmendet fakti se nuk u krijua asnjë garanci serioze për zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndonëse ai i siguroi Ramës edhe një mandat të dytë, ai pati gjithësesi një vlerë positive. Ai nxori edhe njëherë lakuriq në sy të publikut, se sa politikanë të vjetër, dredharakë, të paskrupuj, aspak seriozë në principet që deklamojnë dhe aspak të respektueshëm ndaj atyre që i dëgjojnë, janë Rama, Basha dhe Meta.

Kjo krizë tre mujore, piruetat, betimet e pambajtura dhe gafurrjet qesharake gjatë saj, dhe qershia mbi tortë, mënyra se si u mbyll, janë shembulli më i mirë se ata duhen rrefuzuar të gjithë në bllok. Si një parti e vetme. Si një soj i neveritshëm. Ndaj mënyra më e mirë për t’u hakmërrë kundër tyre është ose të mos votohen partitë tradicionale, ose të bojkotohet tërësisht farsa që do të ndodhë në 25 qershor. (Lapsi.al)

16