Drejtoria e përgjithshme e Tatimeve ka rikujtuar në faqen e saj zyrtare të gjithë subjektet që kanë detyrime të papaguara dhe që përfitojnë nga “Ligji i Fshirjes, se do të mund të përfitojnë nga kjo mase lehtësuese deri në fundin e këtij vitit. Pas kësaj data, të gjithë subjektet debitorë do të jenë të ekspozuar nga masat shtrënguese të mbledhjes me forcë.

Njoftimi i plotë:

Ka hyrë në një fazë të rëndësishme zbatimi i ligjit “Për pagesën dhe fshirjen e pjesshme të detyrimeve tatimore, doganore, si dhe procedura e heqjes nga qarkullimi të mjeteve të transportit”, konkretisht në atë të fshirjes së gjobave dhe kamatëvonesave që rezultojnë të papaguara në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Zbatueshmëria e kësaj mase lehtësuese financiare për tatimpaguesit, është e mundur deri në datën 31 Dhjetor 2017.

Tatimpaguesit duhet të shfrytëzojnë këtë mundësi pasi pas kësaj date, ato do të jenë të ekspozuar përpara masave shtrënguese të mbledhjes së detyrimeve tatimore të papaguara.

Fshihen/shuhen gjobat dhe kamatëvonesat që rezultojnë të papaguara në datën e hyrjes në fuqi të ligjit, të regjistruara në llogarinë e subjektit, me kushtin që, brenda datës 31.12.2017, të paguhet i plotë tatimi/taksa/tarifa/kontributi për:

detyrimet tatimore, që u përkasin periudhave tatimore janar 2011 – dhjetor 2014, duke u aplikuar sipas llojit të tatimit;

kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, që u përkasin periudhave tatimore janar 2011 – dhjetor 2014;

taksat/tarifat vendore të papaguara, që u përkasin periudhave tatimore janar 2011 – dhjetor 2014.

Kujtojmë tatimpaguesit që mund të përfitojnë nga fshirja me kusht e detyrimeve, t’i drejtohen çdo banke të nivelit të dytë duke kryer pagesën, vetëm për detyrimin principal për tatimin/taksën/kontributin/tarifën.

1
16