Partia Liberale në pushtet e Australisë përjashton nga radhët e veta politikanin anti mysliman

Një kandidat për zgjedhjet australiane nga Partia Liberale në pushtet u shkarkua të mërkurën nga partia për shkak të komenteve të tij islamofobe që kishte bërë më parë dhe gjatë fushatës zgjedhore.

Kandidati liberal Jeremy Hearn u shkarkua pasi gazeta Herald Sun zbuloi një bisedë të gjatë me përmbajtje anti-islame dhe me teori konspiracioni ku tregonte se muslimanët po kapnin qeverinë.

“Muslimanët australianë kanë një ideologji me anë të së cilës kërkojnë vrasjen ose skllavërimin e qytetarëve australianë që nuk janë muslimanë”, shkroi Hearn vitin e kaluar në seksionin e komenteve të një reviste online.

Në komentet e zbuluara nga e përditëshmja lokale, ai kishte thënë se muslimanëve australianë duhet që tu refuzohej shtetësia, pasi ata duan përmbysjen e qeverisë dhe sjelljen e ligjit të Sheriatit.

Hearn më vonë kërkoi falje për komentet e tij.

Udhëheqësi liberal i Viktorias Michael O’Brien tha se komentet ishin “të tmerrshëm” dhe shtoi: “Unë i refuzoj ato plotësisht. Këto pikëpamje nuk kanë ekzistuar kurrë në Partinë Liberale”.

Kjo ngjarje u pasua shpejt edhe me dorëheqjen e kandidatit tjetër liberal, Peter Killin, i cili përdorte një blog konservator për të inkurajuar të krishterët që ti bashkohen partisë për të ndihmuar në ndalimin e zgjedhjes së homoseksualëve.

Ministri i Tregtisë Simon Birmingham mbrojti partinë, por pranoi se procesi i verifikimit të kandidatëve kishte dështuar.

Kryeministri Scott Morrison u kap në një moment jo të mirë pasi dy nga kandidatët e tij të Partisë Liberale në shtetin kryesor të Viktorias u detyruan të jepnin dorëheqjen njëri pas tjetrit brenda disa orëve.

Zbulimet janë një siklet i madh për një qeveri e cila sipas sondazheve tashmë po tkurret. Ato janë argumenta të forta edhe për liderin opozitar Bill Shorten se partia në pushtet është “mbushur me ekstremistë të krahut të djathtë”.

Në ditët e fundit, edhe opozita ka pasur gjithashtu raste dorëheqjesh.  Njëri dha dorëheqje pasi kishte shpërndarë teori konspirative antisemite ndërsa një politikan tjetër kërkoi falje për shpërndarje në internet të “shakave” me përdhunime.

Australia shkon për zgjedhjet e përgjithshme më 18 maj. Zgjedhjet do të vendosin nëse Partia Liberale konservatore do të vazhdojë mandatin e saj ose Partia Laburiste do të marrë pushtetin.

Gjatë kësaj fushatë të nxehtë, të dyja palët po njihen edhe me verifikimet e kandidatëve që janë në garë. Zbulimet e fundit kanë ngritur gjithashtu pyetje edhe rreth kalibrit të politikanëve të Australisë dhe gjykimeve ndaj tyre.

Steve Dickson i Partise ‘një komb’, një ish-anëtar liberal i shtetit Queensland, dha dorëheqjen këtë javë pasi u filmua duke kërcyer dhe prekur me duar disa kërcimtare ekzotike gjatë një udhëtimi në Shtetet e Bashkuara.

Një kandidat i Partisë së Bashkuar të Australisë e liderit Clive Palmer në shtetin Victoria u zbulua të mërkurën se kishte kërcënuar një gazetë lokale me humbje fitimesh në reklamat e saj nëse mbulimi nuk do të përmirësohej./dailysabah/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne