Ministri turk i mbrojtjes Nurettin Canikli thotë se vendi ka përfunduar procesin e blerjes së sistemeve të raketave S-400 të Rusisë dhe është në bisedime me një konsorcium evropian për ta ndihmuar atë të zhvillojë sistemin e vet të mbrojtjes raketore.

“Marrëveshja me Rusinë është përfunduar, raketat S-400 janë blerë, pjesa tjetër është vetëm detaje “, tha të dielën ministri turk i mbrojtjes në komentet televizive në qytetin Giresun në brigjet e Detit të Zi. S-400, emri i plotë i të cilit është Sistemi i raketave të shumëfishta anti-ajrore (AAMS), është një sistem i avancuar raketor rus i projektuar për të zbuluar, ndjekur dhe shkatërruar avionë, dronë ose raketa deri në 402 kilometra largësi. Ky sistem është shitur më parë vetëm në Kinë dhe Indi. Megjithatë Canikli vuri në dukje se Turqia nuk ishte e kënaqur vetëm me marrëveshjen për sistemin S-400. “Po bëjmë gjithashtu marrëveshje paraprake me konsorciumin EUROSAM për ta zhvilluar këtë teknologji, për të prodhuar dhe përdorur burimet tona për sistemet e mbrojtjes ajrore”, tha ministri turk, duke iu referuar një projekti të përbashkët franko-italian të mbrojtjes ajrore./ PT

92