PD nxjerr emrat: Kompanitë që fshihen pas projektit 40 milionësh te Unaza e Madhe

Partia Demokratike denoncoi sot projektin e Unazës së Madhe duke e konsideruar atë abuzim, në shkelje të ligjit dhe të korruptuar. Sipas zëdhënëses së PD-së, Ina Zhupa, kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku Erion Veliaj po heshtin për protestën e mbi 2 mijë banorëve, sepse ata kanë vënë në jetë një skemë korruptive me vlerë 40 milionë euro për më pak se 3 kilometra rrugë.

Sipas Zhupës, skema korruptive është e qartë pasi fituesit kanë qenë 3 të paracaktuar, sepse në tre tendera të ndryshëm ka qenë vetëm 1 ofertues i vlefshëm, ndërsa pjesëmarrësi i dytë, është futur për të legjitimuar tenderin dhe nuk ka bërë asnjë ofertë.

Përfituesit kryesore nga projekti, bashkimi i kompanive “DH Albania” dhe “Biba X”, por sipas PD-së janë të dyja me probleme.

“Kompania DH Albania është krijuar në korrik të këtij viti, një muaj e gjysëm para hapjes së tenderit, nën emrin e kompanisë mëmë Dunëell Haberman ltd. Kompania mëmë e saj është kompani offshore, me pronarë të panjohur, e regjistruar në Delaëare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili njihet si parajsë fiskale” – thotë PD.

“Kompania tjetër, Biba X, ka nuk ka përvojë në ndërtim rrugësh, aktivitet të cilin e ka shtuar pak para se të shpallej fitues i tenderit prej 18 milionë euro. Kompania Biba X, ka qenë nën sekuestro edhe gjatë periudhës kur ka marrë pjesë në tenderin e Unazës së Re, në shkelje flagrante të ligjit të Prokurimeve Publike” – tha zëdhënësja e PD që shtoi se gjithçka ka ndodhur në shkelje të ligjit të prokurimeve publike që, për të rritur sigurinë e realizimit në kohë të veprës, kërkon që kompanitë të kenë siguri financiare, të mos jenë në proces falimentimi apo nën sekuestro.

“Biba X ka urdhër sekuestro nga përmbaruesi më datë 3 Korrik. Tenderi është hapur në 10 shtator dhe fituesi është shpallur 5 javë më vonë. Gjatë kësaj kohe, përfituesi I 18 milionë eurove, bashkë me një kompani fantazmë, ka qenë nën sekuestro, e cila i është hequr pas shpalljes fitues të tenderit, më 24 tetor. Edi Rama dhe Erion Veliaj duhet t’u thonë sot shqiptarëve kush është pronari i vërtetë që fshihet pas kompanisë guaskës, dhe sa është përfitimi për të gjithë skemën korruptive me fitues të paracaktuar në tenderin fitktiv prej 40 milionë eurosh” – thuhet në deklaratën e PD.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne