Dr. Usame Sharkavi

Islami erdhi që ti tregojë mbarë njerëzimit peshoren e drejtësisë, erdhi ti edukojë ndjekësit e tij që të ruajnë ekuilibrin mes shpirtit dhe arsyes, erdhi të vendosë balancën mes të vërtetës dhe pranimit të saj me çdo njeri që ka të drejtë. Islami erdhi të largojë padrejtësinë, për të vendosur dhe instaluar drejtësinë.

“Le të mos ju nxisë urrejtja ndaj njerëzve për të bërë padrejtësi. Bëhuni të drejtë, se kjo është më afër devotshmërisë dhe frikësojuni Allahut!” (Maide, 8)

Gjenerata e parë e këtij umeti, përbëjnë modelin më sublim lidhur me zbatimin e drejtësisë, edhe sikur të bëhej fjalë për armiqtë më të egër. Rezistenca ndaj padrejtësisë dhe lufta ndaj zullumeve, manifestohej edhe ndaj njerëzve më të afërt. Ata ishin model praktik i vlerave sublime të cilat solli Islami, ishin zbatues aktualë të moraleve dhe virtyteve të fisme.

Nëse kërkojmë ndonjë shembull për këtë, shembujt janë të shumtë. Le të shohim hadithin e transmetuar nga Musteured Kureshij, i cili ia thotë Amr ibnul As:”E kam dëgjuar të dërguarin e Zotit a.s të thotë:”Kur të bëhet kiameti, romakët (perëndimorët) do të jenë shumicë.” Amr ibnul Asi i tha:”Nëse ti thua këtë, unë të them se ata, kanë katër tipare: Ata janë njerëzit më të matur në kohë trazirash, e marrin veten shumë shpejt pas fatkeqësisë, kanë gatishmërinë më të madhe për kundërsulm pas tërheqjes, janë njerëzit më mbështetës për të vobektët dhe jetimët. Ata kanë edhe një tipar të pestë shumë të bukur: Kanë imunitet ndaj padrejtësisë së mbretërve.” (Muslim, 7461)

Në këtë hadith, Amr ibnul As, një nga kolosët e shokëve të profetit Muhamed a.s, i cili ishte edukuar nga shkolla e tij dhe i kishte përthithur moralet e mesazhit islam nga burimi i tyre, i jep mbarë umetit mysliman një mësim të madh lidhur me drejtësinë. Ai përmend tiparet dhe cilësitë e mira të një populli, me të cilët asokohe myslimanët ishin në armiqësi dhe mes tyre zhvilloheshin beteja dhe luftëra të përgjakshme. Vetë Amr ibnul As, ishte një nga komandantët legjendarë të myslimanëve në këto beteja dhe luftëra. Megjithatë, gjaku i derdhur dhe të rënët e shumtë, nuk e pengonin të bëjë vlerësime objektive, të thotë të vërtetën dhe të cekë vlerat e tyre. Ky është superioriteti shpirtëror dhe intelektual që kultivonte islami.

Këtu, Amr ibnul As, Zoti qoftë i kënaqur me të, i cili i njihte mirë vlerat e popujve dhe kombeve, me kaq pak fjalë, cek pesë tipare që i kanë pëlqyer tek romakët, perëndimorët e sotëm. Atij i ka bërë përshtypje tek këta njerëz, maturia që tregojnë në kohë trazirash, urtësia dhe mençuria në kohë fatkeqësish e cila është tregues i ekuilibrit mendor dhe shpirtëror; shpejtësia me të cilën e marrin veten pas fatkeqësive, duke i kapërcyer traumat dhe ngjarjet e kobshme që u ndodhin; aftësinë e tyre për të kundërsulmuar pas tërheqjes dhe braktisjes së fushës së betejës, gjë e cila tregon guximin dhe trimërinë e tyre në luftëra; gjithashtu, ata janë të dhembshur dhe zemërmirë me shtresën e vobektë dhe jetimët. Ata kanë goxha kontribut në përkujdesin që tregojnë ndaj shtresave në nevojë. Tipari i fundit, është dhe imuniteti që kanë krijuar ndaj padrejtësive të mbretërve të tyre. Kështu, shohim që kanë vendosur standarde dhe kritere të qarta, me të cilat rregullojnë marrëdhëniet mes sovranit dhe popujve të tyre. Ata ndjekin politika parimore në çështjen e administrimit të shtetit dhe jetës së njerëzve të asaj kohe.

Këto tipare që Amr ibnul As i cekte për romakët e asaj kohe, nuk ishin të panjohura për myslimanët, madje, myslimanët ua mësonin mbarë njerëzimit këto parime, ua kultivonin brezave të reja në mënyrë teorike dhe praktike. Doktrina e besimit tek caktimi i Zotit, e mbush zemrën e besimtarit me paqe dhe maturi kur ndeshet me fatkeqësi dhe kriza. Ajo e motivon besimtarin që të përballet me këto sfida dhe fatkeqësi, duke u përgatitur për to, duke i shmangur dhe duke ikur nga caktimi i Zotit tek caktimi tjetër i Zotit. Të shumta janë sfidat dhe vështirësitë që u kanë rënë mbi kokë myslimanëve përgjatë shekujve, por që i përballuan me trimëri, guxim dhe qetësi shpirtërore, duke e lehtësuar peshën e traumave, mundësuar ruajtjen e ekuilibrit dhe duke qëndruar në sërish në këmbë, për ti shkuar gjer në fund rrugëtimit të tyre civilizues.

Lidhur me vlerën e përkrahjes sociale në sheriatin islam, mund të flasim pafund për kushedi sa tekste të qarta si në Kuran ashtu dhe në traditën profetike. Këto tekste u bëjnë thirrje myslimanëve që të jenë si një trup i vetëm, që sa herë ankon një gjymtyrë, i gjithë trupi reagon me temperaturë të lartë dhe pagjumësi. Këto tekste flasin për shpërblimin dhe sevapin e madh për të gjithë ata që kujdesen për jetimin, për ata që bëjnë mirë, për ata që rendin për tu zgjidhur hallet nevojtarëve dhe kryejnë detyrimet e tyre ndaj fukarenjve.

Sheriati islam nuk mjaftohet vetëm me nxitjen dhe orientimin, por ka vendosur edhe ligje, rregulla dhe dispozita, të cilat garantojnë të drejtat e këtyre shtresave në nevojë të shoqërisë islame. Diçka të tillë, sheriati islam e ka bërë përgjegjësi të sovranit, përgjegjësi të cilën ai duhet ta përmbushë në formën më të mirë. Biografia e kalifëve myslimanë përgjatë shekujve, është dëshmia më e mirë në këtë kontekst. Omer ibnul Hatabi, Zoti qoftë i kënaqur me të, gjatë vitit të zisë, edhe pse ishte kalifi i myslimanëve, refuzonte që të fusë në gojë kafshata e bukës e ngjyer me vaj. Sa herë që i grinin zorrët, ai u thoshte:”Pasha Zotin nuk do të shijoni ushqim, derisa të ushqehen fëmijët e myslimanëve.” Historia e tij me jetimët, të cilëve u dërgoi miellin dhe ushqimet, ua gatoi dhe i ushqeu, është e njohur për të gjithë.

Respektimi i drejtësisë dhe ndalimi i çdo forme të dhunës, gjen një hapësirë shumë të madhe tek tekstet e shenjta. Pushteti politik i islamit pësoi çarje dhe dielli i kalifatit filloi perëndimin, vetëm kur mungoi drejtësia dhe u përpahën zullumet mes njerëzve. Zoti nuk mban me hatër askënd. Një ndër ligjet e Tij funksionale në gjithësi, siç thotë dhe Ibnu Tejmije, është:”Zoti e mban në këmbë një shtet të drejtë, edhe pse është jobesimtar. Por nuk e mban në këmbë një shtet të padrejtë, edhe pse është besimtar.” (Mexhmu Fetava, 28/146)

Sot, katërmbëdhjetë shekuj pas fjalëve të profetit Muhamed a.s dhe komentit të Amr ibnul As, shtrohet pyetja:”Vallë ku kanë arritur perëndimorët, pasardhësit e romakëve dhe ku kanë mbërritur myslimanët, pasardhësit e Amr ibnul As dhe shumë sahabëve të tjerë të nderuar?! Cili nga dy grupet ndoqi rrugën e të parëve të tij? Cili prej tyre e ruajti trashëgiminë e paraardhësve? Cili është rezultati?”

Përgjigja është e qartë dhe nuk ka nevojë për tu menduar thellë. Ja ku perëndimi është shndërruar në një union të fuqishëm, sepse i respektoi shkaqet e fuqizimit material. Ndërkohë, kalifati islam është ndarë në shtete të vogla dhe të pafuqishme, të cilat nuk zënë asnjë peshë në rang botëror.

Ndërkohë që perëndimi hedh hapa të sigurt drejt bashkimit, pavarësisht diferencave të shumta, vendet islame vazhdojnë të ngulin këmbë në individualizëm dhe mungesë harmonie, me gjithë faktorët unifikues të shumtë brenda saj, siç është feja, gjuha dhe interesat e përbashkëta.

Ironike është të lexosh se bota islame shënon nivelin më të lartë të varfërisë në botë, ndërkohë që një numë i madh pasanikësh myslimanë kryesojnë listën e personave më të pasur në botë. Ashtu siç është ironike që perëndimi të ndërhyjë në vendet myslimane për ti dhënë fund dhunës dhe persekutimit që regjimet diktatoriale u bëjnë popujve myslimanë.

Perëndimi u zhvillua sepse u kap fort pas vlerave të rilindjes dhe përparimit, të cilat i trashëgoi nga paraardhësit e tij. Ndërkohë, ne i harruam këto vlera, të cilat përbëjnë esencën dhe thelbin e fesë dhe sheriatit tonë. Ne shkojmë dhe lypim prej tyre rilindjen falso, duke i mbyllur sytë ndaj trashëgimisë tonë të madhe.

E vërteta e pakontestueshme është se ky umet, nuk do të ringrihet veçse duke respektuar të njëjtat ligje që respektuan të parët tanë. Dëshmia që dha Amr ibnul As, Zoti qoftë i kënaqur me të, për popujt e perëndimit, ka nevojë të shqyrtohet dhe të studiohet nga ne. Ndoshta, ajo mund të nxisë zellin e myslimanëve për fenë dhe besimin e tyre, duke e refuzuar poshtërimin. Myslimanët nuk duhet ti zërë vendi, derisa umeti i tyre të zërë statusin që i takon.

Përktheu: Elmaz Fida/ ARDHMERIAONLINE

68