Me vendosjen e sundimit osman në trojet shqiptare dhe si­domos me përhapjen e Islamit, i cili pati ndikim të ndjeshëm jo vetëm në mënyrën e jetesës, por edhe në kulturën materiale e shpirtërore, nis kontakti ballor i shqiptarëve me kulturën orientale, edhe pse shqiptarët historikisht kanë pasur lidhje kulturore si me Perëndimin ashtu edhe me Lindjen

Shkruan: Sadik MEHMETI, Prishtinë

Para se të bëjmë fjalë për disa nga rrugët dhe mënyrën e përhapjes së literaturës islame tek ne gjatë periudhës osmane, na duhet të konstatojmë se, me depërtimin e osmanlinjve në trojet shqiptare dhe me vendosjen e ad­ministrimit të tyre (shek. XIV-XV), u fituan tipare të reja në të gjitha aspektet e jetës. Në përgjithësi, depërtimi dhe vendosja e administrimit osman bëri kthesë të madhe gjithandej në trojet shqiptare, duke krijuar kështu një kufi të pakapërcyeshëm midis periudhës paraosmane dhe asaj osmane, pas të cilit kufi përfundonte njëra dhe fillonte periudha tjetër krejtësisht e re, sepse osmanlinjtë në trojet tona sollën, përveç të tjerash, një rregullim të ri shoqëror, një kulturë të re, një qytetërim të ri dhe, mbi të gjitha, sollën fenë islame, e cila ishte fe zyrtare e Perandorisë Osmane.

Kështu, me vendosjen e sundimit osman në trojet shqiptare dhe si­domos me përhapjen e Islamit, i cili pati ndikim të ndjeshëm jo vetëm në mënyrën e jetesës, por edhe në kulturën materiale e shpirtërore, nis kontakti ballor i shqiptarëve me kulturën orientale, edhe pse shqiptarët historikisht kanë pasur lidhje kulturore si me Perëndimin ashtu edhe me Lindjen. Mirëpo, me përqafimin e Islamit nga ana e tyre, lidhjet me Lindjen u zgjeruan, u shtrinë në disa fusha dhe u bënë më të drej­t­përdrejta për një shtresë më të madhe të popullsisë.

Përhapja e Islamit në trojet shqiptare s’ka dyshim se ka luajtur një rol të dorës së parë në përhapjen e kulturës materiale dhe shpirtërore të Lindjes, por jo edhe përcaktues. Themi jopërcaktues, sepse kanë qenë, në radhë të parë, vlerat e larta të qytetërimit islam dhe të kultu­rës orientale ato që i kanë hapur rrugën vetes për të gjetur admirues në mesin e shumë popujve të tjerë, përfshirë edhe popullin shqiptar. Ndërkaq, përhapja e xhamive, mejtepe­ve, medreseve, teqeve dhe bibliotekave ka ndikuar në mënyrë të ndjeshme në zgjerimin e lidhjeve dhe të marrëdhënieve të ndërsjella kulturore shqiptaro-islame.

 

Xhamitë, medresetë, teqetë dhe bibliotekat

 

Këto institucione e institucionalizuan depërtimin kulturor të osmanëve në vendin tonë. Por, këto institucione nuk shërbyen vetëm si mjete të për­ve­të­simit ideologjik në duart e sundimtarëve osmanë, siç është bërë zakon të thuhet. Ato u shndërruan në qendra të popullarizimit të arritjeve të shkëlqyera të qytetërimit islam, sidomos në fushën e shkencave fetare islame, të letërsisë, të filozofisë dhe shkencave të tjera. Dhe, jo vetëm kaq. Ato u shndërruan edhe në qendra të mësimit dhe studimit të kësaj trashëgimie, në qendra të lëvrimit të literaturës në gjuhën turke, arabe dhe perse, e më vonë edhe të literaturës në gjuhën shqipe me alfabet arab. Xhamitë, mejtepet, medresetë, teqetë dhe bibliotekat kanë ndikuar pa dyshim në vetë popullatën, në kulturën e saj, në zhvillimin moral, në za­konet, në arsimin fetar e artistik, si dhe në aspekte të tjera.

Xhamitë, si institucioni më i rëndësishëm fetar islam, në Kosovë kanë njohur një shtrirje të madhe në kohë dhe hapësirë. Më vonë afër xhamive u ndërtuan godina për arsimin fillor, të mbiquajtura mejtepe, numri i të cilave u rrit aq shumë, saqë në çdo fshat kishte të tillë, madje në shumë raste kishte edhe më tepër se një.

Ky tip i shkollave ka qenë i përhapur në gjithë trojet shqiptare. Mejtepi më i vjetër, i ndërtuar si objekt i veçantë arkitektonik ndër shqiptarët, është ai i Sinanudin Jusuf Çelebiut, i ngritur në Ohër, para vitit 1491, kurse në Kosovë mejtepi i Suzi Çelebiut nga Prizreni (1513) etj. Me një fjalë, funksioni shkollor i xhamive ishte i pranishëm kudo, që do të thotë se shkollat fetare islame në trojet shqiptare janë të vjetra po aq sa edhe xhamitë. Kështu, vakëfnameja e Kuklibeut, e vërtetuar më 1538, i cili në atë kohë kishte ndërtuar shumë objekte fetare dhe sociale-hu­manitare, dëshmon se ai kishte ndërtuar dy xhami, të cilat njëkohësi­sht ishin edhe shkolla, kurse në mesin e dëshmitarëve kishte edhe disa mualimë. Një shkollë të ngjashme më 1513 kishte ndërtuar edhe Su­ziu, madje ai edhe vetë ishte mësues në të.

Përveç mejtepeve, gati në çdo qytet relativisht të madh shqiptar ka vepruar edhe nga një medre­se që ka pasur edhe seksionin e vetë të kopjimit të literaturës islame dhe kjo sigurisht që ka ndikuar edhe në përhapjen e literaturës islame.

Secila medrese, sipas rregullit, ka pasur bibliotekë të veten, një pjesë libra dorëshkrimesh. Bibliotekat, krahas xhamive dhe medreseve, kanë ndikuar shumë në zhvillimin kulturor dhe në ngritjen arsimore të popullsisë myslimane në këto treva. Më e vjetra ndër to, me sa dihet, është ajo të cilën e themeloi Isa Begu në Shkup, Suziu në Prizren etj. Një biblio­tekë tjetër, mjaft e vjetër, që ekziston edhe sot është ajo e Mehmed Pashës po në Prizren, e ndërtuar në vitin 1537. Edhe në qytete të tjera u themeluan biblioteka, si në Shkodër, Pejë, Gjakovë etj.

Mirëpo, librat – dorëshkrimet orientale-islame – nuk janë ruajtur vetëm në­për bibliotekat e medreseve (ndonëse këto ishin më të rë­ndësishmet, sepse shërbenin edhe si biblioteka publike), por ato kanë qenë pronë edhe e xhamive, teqeve dhe bibliotekave private, numri i të cilave, sikurse dihet, ka qenë i madh.

Ndërkaq, një rol jashtëzakonisht të madh dhe të pakrahasueshëm për përhapjen e fesë islame dhe për përhapjen e kulturës islame në këto anë, rrjedhimisht edhe për mbajtjen dhe stimulimin e me­dreseve, xhamive dhe për mbushjen e pasurimin e fondeve të bi­blio­tek­ave të këtyre institucioneve, e ka luajtur pa dyshim institucioni i vakëfit, që te ne është i vjetër që nga viti 1413 me vakëfet e Ishak Beut në Shkup.

Në anën tjetër, libri, si lëndë e respektuar në mënyrë të veçantë, edhe në shtëpitë myslimane ka zënë vend të rëndësishëm, sidomos Kurani, si libër themelor i fesë islame. Edhe veprave autografe ose atyre të kopjuara nga origjinali u është kushtuar kujdes i veçantë. Kjo shihet nga shënimet, vulat dhe firmat që në faqet e këtyre dorëshkrimeve i kanë vënë pronarët e tyre. Në dorëshkrimin unikat “Sherhrâhatiel-kulûb”, që ruhet në Arkivin e Kosovës, i autorit nga Prishtina Pir Muhamed efendiut, për shembull, shkruan se ky dorëshkrim ishte marrë me vete gjatë shpërnguljes së popullatës shqiptare të Prishtinës më 1680 për në Serez (Greqi), dhe atje ky dorëshkrim kishte mbetur për afro një shekull, derisa disa tregtarë të vëmendshëm prishtinas e kishin blerë dhe ia kishin kthyer bibliotekës së medresesë së Prishtinës. Jo shumë moti nuk kishte shtëpi të shqiptarëve myslimanë që të mos kishte më shumë se një kësi “qitapi” – libra e dorëshkrime islame, të vendosura dhe të ruajtura me kujdes në raftet e odave shqiptare, përveç atyre që gjendeshin nëpër xhami, medrese, etj.

 

Përshkrimi/kopjimi

 

I përmendem të gjitha këto, me qëllim që t’i tregojmë rrugët, përmes të cilave u përhap literatura islame në gjuhët e kohës, e cila pjesërisht ka arritur deri në ditët tona. Pra, përhapja e literaturës islame në trojet tona është bërë në saje të nevojës dhe kërkesave të ulemasë, nxënësve në mejtepe, studentëve dhe myderrizëve në medrese, përmes bibliotekave të ndryshme private, gjysmë private e publike.

Mirëpo, për­hapja e dorëshkrimeve orientale-islame është bërë edhe në rrugë të tjera, si­domos kur kihet parasysh fakti se një numër i njerëzve tanë janë shkolluar nëpër qendra të ndryshme islame, në kuadër të Perandorisë Osmane, por edhe jashtë saj, si në Stamboll, Kajro, Ba­gdad, Damask etj. Ata, me rastin e kthimit nga atje, për nevoja të veta, kanë sjellë një numër të konsiderueshëm edhe të literaturës islame. Literatura e mbetur nga ajo kohë dëshmon dhe është e mbushur me plotë shënime se akëcila vepër është blerë në Stamboll, në Mekë ose në qendra të tjera të Botës Islame.

Edhe shkuarja në Haxh ka qenë njëra prej rrugëve nga kanë ar­dhur këto dorëshkrime. Madje në dorëshkrimin e veprës “el-Vesîletuel-Ahmedijjeh ve edh-Dherîa’tues-Sermedijjehfîsherh et-Tarîkatiel-Muhammedijjeh”, që ruhet në Arkivin e Kosovës, kopjuesi i saj, Ibrahim bin Haxhi Halili, shkruan se më 1790 e ka filluar shkrimin në Mekë, kurse e ka përfunduar në muajin rebiul-ahir të të njëjtit vit në Medinën e Ndritshme, tek vendi i quajtur “Babus-Selam”.

Tregtarët, nëpunësit shtetërorë dhe dinjitarët e tjerë, që kanë shërbyer gjithandej në Perandorinë Osmane, gjithashtu kanë sjellë literaturë islame me t’u kthyer në vendlindje. Po edhe ata që kanë shërbyer tek ne, kanë shkruar a kopjuar libra në gjuhët orientale dhe pastaj i kanë lënë vakëf në vendin tonë.

Lërja vakëf e librave dhe dorëshkrimeve islame ka qenë një tra­ditë e njohur, e cila është praktikuar me përpikëri nga myslimanët e gjeneratave të më hershme, aq sa është quajtur dhe është konsideruar formë e ibadetit. Kështu, në dorëshkrime­t që ruhen në Arkivin e Kosovës shumica sosh janë lënë vakëf nga ulema dhe personalitete të tjera të vendit tonë, si nga Maliq Pasha, Bahtijar Pasha, Jashar Pasha (të familjes Gjinolli), nga myftiu i Pri­shtinës, Haxhi Hysejn efendiu, që ka qenë një bibliofil i vërtetë, nga myderrizi i Prishtinës Ali efendiu etj. Për shembull, dorëshkrimi “Kitabel-Kuduri”, është lënë vakëf nga myderrizi i shquar i Prishtinës, Ali efendiu, nga Bellaçevci (sot Bardhi i Madh), i cili në faqen 1/b të këtij dorëshkrimi kishte shkruar: “Këtë libër, sipas rregullave të Sheriatit – për hir të Allahut dhe që të meritoj shefatin e të Dërguarit të Allahut, e ka lënë vakëf myderrizi i Prishtinës, haxhi Ali efendiu, Allahu e faltë atë dhe prindërit e tij. Kështu (ky dorëshkrim) nuk bën të shitet, as të lihet peng, dhe kush bënë ndryshimin e tij pasi që ta ketë dëgjuar atë, mëkati për të u takon atyre që e ndryshojnë. Viti 1132/1719”.

Ndërkaq dorëshkrimin e librit “Kitâb Gunjetu el-Mutemli fî sherh Mun­jetuel-Musal-li (Halebîsagîr)” – të autorit Ibrahim bin Muhammed Halebi, e kanë lënë vakëf të mirënjo­hurit Maliq Pasha dhe Mustafë Begu (Gjinolli) më 1808. Aty është vënë edhe vula ovale dhe karakteristike e Maliq Pashës, në të cilën shkruan: “Këtë libër e kanë lënë vakëf, sipas rregullave të Sheriatit – për hir të Allahut dhe në kërkim të shefatit të Muham­medit a.s. – dy robërit e ngratë dhe të nevojshëm për mëshirën e Allahut: Maliq Pasha dhe Mustafa Beu, Allahu i faltë ata, prindërit dhe fëmijët e tyre. Andaj ky libër nuk bën të shitet, as të lihet pe­ng dhe as nuk bën të ndryshohet. E kush bënë ndryshimin e tij pasi që ta ketë dëgjuar atë, mëkati për të u takon atyre që e ndryshojnë”.

Në anën tjetër, me kopjimin e librit nuk janë marrë vetëm imamët (prijësit fetarë), siç ka qenë rëndom te pjesëtarët e feve të tjera, por me të janë marrë edhe myderrizët, talebët (studentët), bibliotekistët, zanatlinjtë, ushtarët etj. Një dorëshkrim i kopjuar në vitin 1107/1695 nga Islam Gaziu (ushtari) i biri Abdul-Gaziut, gjendet edhe në Arkivin e Kosovës.

Siç dëshmojnë shumë burime historike, kopjimin e librit islam e kanë bërë dhe e kanë lënë vakëf edhe shumë zonja të nderuara gjithandej trevave tona. Shembuj të tillë ka me shumicë. Në Arkivin e Kosovës ruhet një dorëshkrim i tefsirit të Imam Bejdaviut, i kopjuar nga Haxhi Mehmed Begzadeja nga Prishtina në vitin1697. Ky dorëshkrim, siç shkruan në faqen e parë të tij, është lënë vakëf nga dy vajzat e kopjuesit të këtij dorëshkrimi, d.m.th. nga bijat e Haxhi Mehmetit, në vitin 1123 H/1711 M.

Si përfundim të theksojmë se kopjimi i librit ka mund të porositej edhe te kaligrafisti – “hattati”, njeriu, profesioni i të cilit pati qenë po ky. Profesioni i kaligrafistit dhe i bukurshkruesit në Kosovë është mësuar që me hapjen e mejtepeve dhe medreseve të para. Madje, në këto shkolla fëmijët kanë mësuar të shkruajnë në disa lloje të shkrimeve arabe. Kujdes i veçantë te ne i është kushtuar gjithashtu bukurshkrimit, kaligrafisë dhe vizatimit. Me veprimtarinë e këtyre tre artistëve, që i takonin institucionit të esnafit, në Kosovë, deri më sot në mënyrë të veçantë nuk është marrë asnjë studiues.

Këtu duhet të shtojmë edhe faktin se një pjesë e literaturës është autoktone, e shkruar dhe kopjuar nga njerëzit tanë, ashtu që në fund të shek XVII e këndej lind edhe literatura islame në gjuhën shqipe me alfabet arab dhe libri islam te ne merr një dimension dhe rëndësi të veçantë.

Ndërkaq, pas futjes së shtypshkronjës së parë në Perandorinë Osmane, në vitin 1726, nga Ibrahim Myteferrika, literatura islame fillon e përhapet edhe te ne në formën e veprave të botuara. Dhe, ndonëse pati një refuzim dhe qëndresë nga një pjesë e ulemasë në Stamboll se shkronjat e Kuranit nuk bën të shtypën në makinë dhe ndonëse kjo e vonoi përhapjen e librit islam të botuar, megjithatë kjo pati një urtësi tjetër, sepse i dha jetëgjatësi kopjimit të literaturës islame dhe kështu bëri që nga ajo kohë sot të kemi vepra të shkruara me dorë, që paraqesin thesar të çmuar dhe të vlerësuar në gjithë botën.

Kur t’ia shtojmë kësaj edhe faktin se në kohën për të cilën po flasim nuk ka pasur shtyp ditor, shënimet që janë vënë nëpër margjina të dorëshkrimeve dhe literaturës, që na ka mbetur nga ajo kohë, me përmbajtjen e informacioneve dhe të porosive të ndryshme, ato shënime lirisht mund t’i konsiderojmë edhe si mjet dhe dukuri e veçantë komunikimit me shkrim ndërmjet njerëzve, nëpër duar të të cilëve kishte kaluar dhe kishte arritur kjo literaturë. Sikur të studiohej vetëm ky aspekt i kësaj literature, do të dilte një material mjaft interesantë dhe me shumë vlerë./ shenja

60