Pompeo: Tubacioni “Rrjedha Veriore 2” kërcënon sigurinë e energjisë në Evropë

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo pretendoi se projekti i tubacionit “Rrjedha Veriore 2”, me të cilin planifikohet dërgimi i gazit natyror rus në Gjermani, kërcënon sigurinë e energjisë në Evropë.

I ndodhur për vizitë zyrtare në Poloni, Sekretari Pompeo pas takimit me ministrin e Jashtëm të këtij vendi, Jaçek Çaputoviç (Jacek Czaputowicz) organizoi një konferencë të përbashkët për shtyp.

Duke mbrojtur qëndrimin se projekti “Rrjedha Veriore 2” paraqet kërcënim për sigurinë e energjisë evropiane, Sekretari Pompeo tha: “Uashingtoni zyrtar është kundër këtij projekti sepse kjo do të rris avantazhin e Rusisë në eksportin e gazit natyror dhe do të bëjë që vendet evropiane të jenë të varura nga Rusia”.

Ai tërhoqi vëmendjen në rëndësinë e bashkëpunimit mes ShBA-së dhe Polonisë në fushën e energjisë, ndërsa shprehu kënaqësinë nga përmbushja e përgjegjësive të Polonisë në kuadër të NATO-s.

Pompeo u prononcua edhe në lidhje me kompaninë “Huawei”, e cila është një gjigant kinez i teknologjisë, ku tha se është e drejtë e Polonisë, që është një vend sovran, të vendos mbi përdorimin e kësaj teknologjie, por preferenca për përdorimin e teknologjisë së kompanive kineze paraqet rrezik.

Ndërkaq ministri polak Çaputoviç në lidhje me projektin “Rrjedha Veriore 2” tha se pajtohet me homologun e tij amerikan, ndërsa pretendoi se projekti në fjalë nuk do të jetë i dobishëm për sigurinë e energjisë në Evropë.

Ai theksoi se gjatë takimit kanë biseduar edhe për rritjen e numrit të trupave amerikane të dislokuara në Poloni dhe tha se hapat agresive që hedh Rusia, posaçërisht ndaj Ukrainës, janë të papranueshme për Poloninë dhe ShBA-të./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne