Propozimet/ Si mund të dilet nga kriza?

Ilir Meta me deklaratën e tij për mospjesmarrje në zgjedhje pa opozitën e ka thelluar edhe më tej krizën politike. Pas këtij reagimi të fortë të të hënës në mbrëmje, të gjithë liderët kryesorë në vend janë deklaruar mbi këtë propozim. Lapsi.al ka mbledhur në mëntyrë konçize thelbin e qëndrimeve të Metës, Ramës, Berishës dhe Bashës, për mënyrën e daljes nga konflikti…

Meta bëri një propozim të fortë. Megjithëse u tregua i hapur për koalicion me Edi Ramën, ai i vuri një kusht, të japë të gjitha garancitë e mundshme që opozita të jetë pjesë e procesit zgjedhor. Kreu i LSI-së tha se nëse lideri i PS nuk garanton zgjedhje të lira, LSI nuk do të jetë as në koalicion dhe as në zgjedhje.

“Nëse lideri i PS nuk garanton zgjedhje të lira dhe dhënien e të gjitha garancive të mundshme për opozitën që të jetë e procesit zgjedhor, LSI nuk mund të jetë pjesë e një koalicioni të tillë dhe as një farse elektorale”- deklaroi kryeparlamentari.

Meta shkoi edhe më tej, duke nxjerrë në tavolinë mandatet që partia e tij disponon, duke filluar që nga mandati i kreut të parlamentit, deri tek ministrat, me qëllim shmangien e thellimit të krizës.

Kreu i LSI-së tha se zgjidhja do të ishte do të një qeveri “besimi” e pranuar nga opozita.

Nga ana e tij, Rama që reagoi këtë të martë u tregua i hapur për dialog, por ai nuk bëri asnjë hap pas nga qëndrimet e deritanishme.

Në shkrimin e tij në Facebook ai u tregua i vendosur edhe kundër qeverisë teknike, edhe kundër shtyrjes së zgjedhjeve.

“Dialogu ka qenë e mbetet gjithnjë zgjedhja ime e parë dhe unë kam qenë e jam i hapur për cdo kërkesë apo zgjidhje, që nuk cënon Kushtetutën e nuk i bie ndesh standarteve demokratike”.

Për Ramën Kushtetuta është shumë e qartë.

“Kushtetuta jonë është shumë e qartë – zgjedhjet duhet të mbahen në 18 qershor. Kushtetuta është shumë e qartë – qeveria është vullnet i shumicës”- shkruan Rama në Facebook.

Por për ish-Kryeministrin Sali Berisha, Edi Rama e përdor Kushtetutën vetëm atëherë kur i intereson. Në Facebook, Berisha sjell në vëmendje shtyrjen e zgjedhjeve vendore të vitit 2007. Edhe në atë rast, nëse do të ishte zbatuar Kushtetuta, zgjedhjet nuk do të ishin shtyrë tre muaj.

“Rama perdor si mburoje kushtet. Per Edvinin, libri themelor i shtetit nje here quhet Kushtetute e heren tjeter prostitute!

Keshtu, ne vitin 2007 kur ai kerkoi shtyrjen, dhe zgjedhjet u shtyne tre muaj vetem per certifikaten e gjendjes civile per zgjedhesin, e cila ne Tirane dhe 70% te vendit leshohej nga bashkite socialiste, ajo nuk ishte Kushtetute por ishte thjesht prostitute!”- shkruan ish-Kryeministri Berisha.

Pikërisht se Berisha pretendon se Rama e përdor kushtetutën vetëm si alibi, Lulzim Basha nuk tërhiqet nga kërkesat që artikulon prej kohësh.

 “Një qeveri që do të luftojë me vendosmëri kundër kultivimit të drogës dhe kundër parave të pista të drogës dhe bandave. E cila do të përgatisë kushtet europiane, standartet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, ku çdo shqiptar do të votojë i lire”- deklaroi kryedemokrati.

Madje, Basha që është përmendur për një marëdhënie shumë më të vështirë me Metën sesa Berisha, nuk nguroi ta falenderojë kryeparlamentarin:

“Mbrëmë një nga dy nga partnerët kryesorë të koalicionit qeverisës ka bërë zgjedhjen e tij dhe ne i themi: Nëse kjo zgjedhje është e sinqertë ne i themi: Mirësevjen tek “Shqipëria e para, shqiptarët të parët”. (Lapsi.al)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne