Pse vizituan Shqipërinë katër senatorët në mes të pushimeve të krerëve të shtetit?

Ambasada amerikane në Tiranë ka zbardhur vizitën e katër senatorëve nga SHBA në Shqipëri.

Përmes një postimi në Facebook, ambasada e SHBA sqaron se senatorët biseduan mbi partneritetin mes dy vendeve dhe çështjet në interes dypalësh si lufta ndaj terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Senatorët zhvilluan takime me presidentin Metasi dhe përfaqësues të qeverisë e opozitës.

Reforma në drejtësi
Sipas ambasadës së SHBA, të cilët kanë zbardhur takimet e katër senatorëve me krerët e shtetit dhe politikës shqiptare, theksi është vënë edhe te reforma në drejtësi.

SHBA-të vijojnë të insistojnë për zbatimin pa vonesa të reformës më të rëndësishme të këtyre 27 viteve pluralizëm politik.

Njoftimi i ambasadës së SHBA:
“Një delegacion me katër senatorë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës vizitoi sot Shqipërinë për të biseduar mbi partneritetin ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, si dhe çështjet e bashkëpunimit për sigurinë, mbrojtjen dhe luftën ndaj terrorizmit.

Senatorët Blunt, Cornyn, Cotton, dhe Tillis u takuan me Presidentin Ilir Meta, zyrtarë të Qeverisë, dhe drejtues të Partisë Demokratike, për të nënvizuar rëndësinë e rolit të Shqipërisë në stabilitetin rajonal, përpjekjet për të luftuar terrorizmin, dhe rëndësinë e zbatimit të reformave kryesore, përfshirë reformën në drejtësi”, thuhet në deklaratën e ambasadës së SHBA.

Meta takon senatorët e SHBA: Bashkëpunim kundër terrorizmit
Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti dhe bashkëbisedoi me një delegacion të Senatit të SHBA-së, të kryesuar nga Senatori Roy Blunt, të cilët po zhvillojnë një vizitë pune faktembledhëse në disa vende të Ballkanit Perëndimor.

Kreu i Shtetit shqiptar dhe senatorët amerikanë vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera dhe partneritetin strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA-së, kontributin e Shqipërisë në NATO dhe rolin e saj stabilizues në rajon.

Bashkëbiseduesit vlerësuan vizitën në Malin e Zi të Zëvendëspresidentit të SHBA-së, Mike Pence dhe mesazhet e tij të qarta mbi çështje të sigurisë rajonale, ato të koordinimit të veprimeve në kuadër të luftës globale kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Presidenti Meta nënvizoi se siguria është baza e prosperitetit dhe zhvillimit të rajonit tonë, ndaj bashkëpunimi kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar me SHBA-në dhe NATO-n është vendimtar për të ardhmen e sigurt të vendeve tona dhe qytetarëve tanë.⁠

Basha jashtë shtetit, Paloka pret në takim 4 senatorët amerikanë
Nje delegacion prej katër senatorësh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Roy Blunt, John Cornyn, Tom Cotton dhe Thom Tillis zhvilluan një takim mbi aktualitetin politik në vend me zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike.

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka konfirmoi mirënjohen maksimale të popullit Shqiptar dhe në veçanti të Partisë Demokratike për mbështetjen që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë demokracisë në vend. “Kjo vizitë është dëshmia më e mirë e kësaj mbështetjeje dhe të interesit të Shteteve të Bashkuara ndaj krizës që po kalon vendi”, tha Paloka.

Nënkryetari Paloka i njohu senatorët me faktin se prej katër vitesh Shqipëria është nën diktatin e një qeverisjeje të kapur nga interesa të ngushta kriminale, nje qeveri e cila ka mbështetur dhe është implikuar drejtëpërsëdrejti në kanabizimin e vendit. Me fitimet kolosale të trafikimit të kanabisit, tha Paloka, është financuar dhe blerja masive e votës anembanë vendit ne zgjedhjet e 25 qershorit.

Raportet ndërkombëtare, si ai i Departamentit të Shtetit dhe te mediave ndërkombëtare kanë theksuar shqetesimet e opozitës. Krimi i organizuar dhe rritja e trafikimit të drogës është bërë nën bekimin politik. Qeveria ështe njësh me krimin e organizuar duke angazhuar me kohë të plotë dhjetëra individë me rekorde kriminale, përfshirë dhe kandidimin e tyre.

Zgjedhjet e 25 qershorit treguan më së miri se fenomeni i shitblerjes së votës është tashmë masiv, se paratë e krimit e të drogës blejnë pushtetin, e pushteti mbahet duke lejuar krimin dhe drogën. E ky nuk është më një shqetësim kombëtar, por po cënon sigurinë e rajonit ashtu siç dhe theksoi dhe prokurori italian Roberti pak ditë më parë, theksoi Paloka.

Paloka i rikonfimoi senatorëve se “Partia Demokratike do të vazhdojë të luftojë për një Shqipëri demokratike e një qeverisje totalisht të shkëputur nga interesat kriminale e korruptive duke mbështetur integrimin europian ashtu si dhe forcimin e shtetit ligjor. Në këtë drejtim, kontributi Amerikan do të ngelet jetik duke dalur gjithmonë në krah të vlerave euro-atlantike të vërteta”.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne