Gresa Hasa

Ai që dikur është njohur si vatra e rezistencës studentore të ’90, sot përgjan me një kamp refugjatësh ku studentët e rretheve, të gjendur përpara kushteve ekonomike shtrënguese dhe tarifave universitare të papërballueshme, strehohen për vitet e shkollës së lartë.

Them strehohen pasi studentët duket ta kenë të pamundur ta banojnë Qytetin e Studentit. Dhe vërtet, a mund të banohet një qytet i pajetueshëm, një qytet i cili nuk ofron kushtet më minimale të jetesës; ku në shekullin e zhvillimit teknologjik dhe shkencës të rinjtë nga e gjithë Shqipëria bëhen kruspull përpara një furnele të vjetër, që kudo tjetër do të kish shërbyer si një objekt antikuari për nostalgjikët e historisë, por këtu përmbush një nevojë bazë si ngrohja nga acari dhe i ftohti?! Dimrat janë të ashpër, sidomos në dhomat e vogla e me mure të lagësht të konvikteve ku frymojnë disa vetë njëkohësisht, paçka se hapësira e tyre përngjan me atë të një burgu. Me raste mungon elektriciteti, në ditët pothuajse fatlume kur njëkohësisht nuk mungon edhe uji… Megjithëse edhe furnizimi me ujë nuk i bën dot ballë një tjetër përbindëshi të kësaj karakatine: papastërtisë dhe neverisë së tualeteve të përbashkëta ku në vend se të ruash higjienën personale, rrezikon të sëmuresh rëndë. Veçanërisht për vajzat, kushtet higjienike në konvikte përbëjnë një rrezik potencial infeksionesh gjithfarësh.

Ironia më e madhe e këtij realiteti migjenian është fakti se studentët paguajnë për mjerimin. Muaj për muaj shteti kërkon haraçin e strehimit, përndryshe të flak në rrugë. Të njëjtën gjë bën edhe brenda mjedisit universitar të cilin studentët e kanë gjithashtu të pamundur ta banojnë. Në universitet, njëlloj si në konvikte, studentët përngjajnë me ca kalimtarë të përkohshëm që marrëdhënien me botën universitare e shohin si një kontratë me afat të paracaktuar. Me të shlyer palët detyrimet, asnjëra s’do t’ia dijë më për tjetrën. Kjo gjendje apatie është produkt i dhunës sistemike 27-vjeçare. Të shtypur, nga familje të varfra ose rëndom në skamje, studentët ndodhen në mes të një thike me dy presa: nga njëra anë ankthi për mbijetesë në një qytet të madh dhe aspak ftues si Tirana; rropatja për të gjetur punë ose rropatja në punë të paguara keq dhe ku shfrytëzohet krahu i lirë i këtyre të rinjve të pambrojtur; nga ana tjetër, stresi konstant ndaj ndjekjes dhe lëçitjes së rregullt të lëndëve përkatëse semestrale.
Vlen të shtohet se si një pjesë e konsiderueshme e studentëve, përftues legjitim të të ashtuquajturës ndihmë ekonomike, hiqen zvarrë zyrave të administratës publike për të kërkuar atë që iu takon thjesht e vetëm që t’ia dalin të mbyllin edhe muajin me ushqim dhe një tavan poshtë së cilit të kalojnë natën, teksa iu duhet të përgatiten për provimet e sezonit të radhës.

Në këtë gjendje të jashtëzakonshme nuk ka vend për ëndrra, as për të ardhme. Dhe më mirë kështu! Sepse të ardhmen, përkohësisht, e kemi pezulluar deri në zgjidhjen urgjente të disa çështjeve fundamentale për studentët, universitetin dhe shoqërinë mbarë.

Askush nuk mund t’i shpëtojë studentët përveç organizimit të përbashkët si një trup solid në lëvizje emancipuese. Askush s’do iu garantojë atyre dhoma konvikti për të qenë, ujë, drita, ngrohje, perspektivë… Askush s’do t’ua mundësojë të drejtën themeltare për arsim. Askush përveç atyre vetë nuk mund t’i çlirojë nga kthetrat zhvatës të pedagogëve-xhandarë dhe shtetit grabitës. Asgjë përveçse një lëvizje radikale shoqërore e trupëzuar prej dhe te studentët nuk mund ta nxjerrë shoqërinë tonë prej obskurantizmit ku ndodhet tash sa kohë.

Por ndryshimi nuk vjen menjëherë, papritur e papandehur. Ai kërkon durim dhe mençuri. Së shpejti, bëhen pesë vjet që kur studentët dhe pedagogët e Universitetit të Tiranës vendosën të organizohen së bashku për të rifituar shtëpinë e tyre: universitetin.

Janë dashur shumë protesta, kacafytje me oligarkët në pushtet, përballje me gjakftohtësi i situatave ku dhuna shtetërore ka shtrirë me perversitet çizmen e saj të hekurt mbi kurrizin e studentit të varfër që sot së paku tarifat universitare të mbeten të ngrira; që ato të mos pësojnë ndryshimet e parashikuara nga ligji i arsimit të lartë, kaluar në parlament pavarësisht kundërshtimit që i bëri atij trupi studentor dhe ai pedagogjik. U deshën organizime të njëpasnjëshme dhe një frymë solidariteti që studentët e fakulteteve të ndryshme të bëheshin bashkë për t’i ardhur në ndihmë shokëve dhe shoqeve të tyre në ato fakultete ku gangsterët nën petkun e pedagogut kërkonin paturpësisht qindra euro për një provim, në mënyrë që fenomeni i korrupsionit të rimerrte vëmendjen e merituar; apo që në raste më të suksesshme si në Fakultetin e Shkencave Sociale këtë vit të kishte nga ata pedagogë që do të shkarkoheshin nga detyra për parregullsi të një natyre që i shkon më për shtat rrugës se universitetit.

Studentët e bashkuar gëzojnë potencialin që nevojitet për të rimarrë frenat e jetës së tyre në dorë. Shndërrimi i mllefit dhe revoltës në një akt konkret qytetarie dhe demokracie si shumësia në protesta sistematike nuk do të garantojnë vetëm lirinë e këtyre mjediseve edukuese dhe zhvillimore, por atë të të gjithë shoqërisë. Lëvizja studentore nuk është shpresë vetëm për studentët anembanë vendit, ajo është shpresë për vetë vendin sepse në ka një garanci që e nesërmja ekziston dhe është më e barabartë dhe e drejtë, kjo gjendet te të gjitha celulat aktive të studentëve të përbashkuar në fakultete sot, që gjejnë forcën dhe kurajën të vihen sy-më-sy me këtë pushtet që të vjedh djersën, dinjitetin dhe vetë jetën.

Korridoret e ngushta të konvikteve, dritaret me xhama mjaftueshëm të hollë sa për të të zënë bronkiti, shkallët e pista dhe nevojtoret që mbajnë ende erën e të pëgërave të Azem Hajdarit dhe të gjithë atyre që s’patën guximin ta mbronin lëvizjen studentore të ’90 nga makutët e asaj kohe, presin të uzurpohen më mirë sot, nga studentët e rinj e largpamës që të gjitha këto hapësira t’i shfrytëzojnë për t’u organizuar së brendshmi dhe vazhdimisht, si pak më muaj më parë kur ky qytet-fantazmë mori jetë sapo një sërë çarçafësh u varën njëkohësisht në disa konvikte me shprehjen motivuese: Qençe nuk jetohet më!

Vetëm aty ku vriten ëndrrat ekziston shpresa dhe mundësia për ringjalljen dhe materializimin e tyre./teza11

14