Gjatë vizitës sime në Xi an të provincës veriperëndimore Shaanxi në Kinë, më bëri përshtypje emërtesa e një shkolle. Ajo ishte Xi an Bo Ai International School. Pasi pyeta kolegun Xu Guang mësova se Bo Ai në kinezisht do të thotë “dashuri universale”. U habita disi nga kjo emërtesë shkolle, deri sa e vizitova atë, bashkë me kolegët e departamenteve të tjera të Radios së Jashtme të Kinës.

Shkolla ndodhej në Distriktin e Zonës Ekonomike dhe Teknologjike të Xi anit, ku shtrihej në një sipërfaqe prej 65 mijë metra katrorë. Kampusi i shkollës shtrihej mes gjelbërimit në këtë hapësirë që mblidhte në gjirin e saj nxënës të niveleve të ndryshme arësimore, por dhe nga vende të ndryshme të botës.

Historiku i Shkollës Ndërkombëtare Bo Ai

Me miratimin e Zyrës Arsimore të Provincës Shaanxi, Shkolla Ndërkombëtare Bo Ai u themelua në mars të vitit 1997. Mësuesi i parë, njëherësh drejtore e huaj e shkollës ishte Esther Kenyon, e cila në një klasë mblodhi 11 nxënës të klasës së tetë, duke vënë kështu themelet e shkollës. Në gusht të vitit 1999, pas miratimit të Ministrisë së Arsimit të Kinës Shkolla Ndërkombëtare e Dashurisë Universale nisi misionin e saj të edukimit të të rinjve kinezë dhe të huaj. Në vitin 2009 me zgjerimin e veprimtarisë së saj, ambjentet e reja të shkollës u ndërtuan aty ku ajo ndodhet edhe sot. Mjediset shkollore përbëhen nga klasat, sallat sportive, laboratorët e shkencës, mjediset për muzikën, artet dhe kurse të tjera për nxënësit.

Një pritje dashamirëse në mjediset e shkollës

Drejtori i Shkollës dhe një pjesë e stafit pedagogjik na priti në hyrje të saj, sapo autobusët me gazetarë të Radios së Jashtme të Kinës u parkuan në oborrin e saj.

1 / 4

Pasi na foli për mbarëvajtjen e procesit mësimor, rritjen e numrit të nxënësve nga vendet fqinje të Kinës si Rusia, Kazakistani, Mongolia, por dhe Korea e Jugut e deri Britani e SHBA-ja drejtori njohu me disa nga ambjentet shkollore.

Përjetoje një emocion të veçantë kur në një klasë shihje që mësuesi ishte britanik, ndërsa nxënësit nga Kina por dhe disa vende të botës. Drejtori na tha se kjo është e para shkollë ndërkombëtare e provincës Shaanxi, në të cilën përfshihet shkolla fillore, e mesme dhe ajo e ndërkombëtare. Klasat e kësaj shkolle janë multimediatike. Nxënësit e huaj fillimisht mësojnë gjuhën kineze dhe deri tani në mjediset e shkollës janë trajnuar 3 mijë nxënës e studentë nga 15 vende të botës.

Pjesa më e madhe e nxënësve kanë përfituar bursa nga qeveria kineze.

Në mjediset e shkollës pashë të publikuara foto nga veprimtari të shumta me karakter mësimor, argëtues dhe sportiv, në qendër të të cilave ishin vetë nxënësit. Një ndër konkurset më të dashura për nxënësit ishte “Ura Kineze”, ku ata përballnin njohuritë për historinë dhe kulturën kineze.

Gjuha kineze në këtë shkollë mësohej sipas modelit të Institutit Konfuci.

Shkolla Ndërkombëtare e Dashurisë Universale organizon çdo vit kampuse verore me studentë të Instituteve Konfuci në vende të ndryshme të botës. Të shumta janë vlerësimet që kjo shkollë ndërkombëtare ka marrë ndër vite për nivelin e lartë të mësimdhënies, por dhe cilësinë e përgatitjes së nxënësve të saj.

Stafi pedagogjik i shkollës është i përzgjedhur me kërkesë të lartë. Kjo duket në kurrikulumet e profesorëve ndërkombëtarë të shkollës. Ishte kënaqësi kur në një nga terrenet sportive ndoqëm një ndeshje futbolli të djemve të shkollës së mesme, për të cilët na foli me vlerësim mësuesi i tyre i kulturës fizike, një ish futbollist afrikan.

Drejtori i Bo Ai-t na tha se në vitin 2013 Universiteti i Kembrixhit e ka autorizuar këtë shkollë të regjistrohet si “Shkollë Ndërkombëtare” e nivelit të Kembrixhit, e pajisur me certifikatën përkatëse.

Pas takimeve me mësuesit kinezë dhe të huaj, vizitave nëpër klasa e mjedise të tjera mësimore, por dhe një dreke në mensën e shkollës, një surprizë e këndëshme për të gjithë ne gazetarët ishte një koncert i nxënësve. Ndoqëm një shfaqje ku nxënës nga Kazakistani këndonin kinezisht, apo nxënëse ruse performonin valle të vendlindjes së tyre, si dhe kineze.

Të rinjtë studentë të shkollës, por dhe nxënësit më të vegjël në moshë na përcollën energjinë e tyre, përkushtimin për dijen, kureshtinë për kulturën dhe gjuhën kineze. Për këtë arësye emërtesa e shkollës së dashurisë universale, mu duk më se e gjetur, pas vizitës disaorëshe në mjediset e saj.

8